Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka ftuar për të enjten në takim të përbashkët kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Përmes letrave dërguar atyre, Kurti ka thënë se takimi ka për qëllim konsultativ për konstituimin e Kuvendit. LDK-ja i është përgjigjur negativisht ftesës e në PDK nuk treguan nëse Krasniqi do të marrë pjesë në takim
Pas tetë dështimeve me radhë për konstituimin e Kuvendit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i ka ftuar në takim kreun e Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, dhe atë të Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku.
Takimin e përbashkët Kurti e ka ftuar për të enjten, në orën 8:30, pak para mbajtjes së vazhdimit të radhës së seancës konstituive.
Në letrën që Kurti ia ka adresuar Krasniqit thuhet se qëllimi i konsultimit është konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve.
“Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Lumir Abdixhiku, kryetarin e LDK-së, në sallën N-204 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30”, thuhet në këtë letër, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA.
Edhe letra adresuar Abdixhikut ka përmbajtje të ngjashme.
Kryetari i LDK-së do t’i përgjigjet negativisht.
Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, i tha KOHËS se pozita e nënkryetarit që i takon LDK-së nuk është objekt diskutimi me asnjë parti politike.
“Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit, që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës, është në bazë të rezultatit zgjedhor dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për më tepër, nënkryetarët votohen në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme. Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, ka thënë Bajrami.
Në PDK nuk treguan se si do të përgjigjen në ftesën e Kurtit.
Por, të premten e shkuar, Krasniqi pati deklaruar se nuk do të shkojë në ndonjë takim që mund ta ftojë kryetari i LVV-së.
“Jo nuk ka absolutisht arsye të na ftojë Albin Kurti, nuk ka mandat të na ftojë, ai është veç një deputetë, nuk ka nevojë të na ftojë të merremi vesh, duhet të vijë edhe të propozojë dikë tjetër. Nuk po dëshiroj unë të ja imponojë atij kandidatin, le të provojë i ka 48 deputetë”, pati thënë Krasniqi.
Të martën, pas dështimit për të gjashtën herë që të votohet për kryeparlamentare kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu, deputeti i kësaj partie, Hekuran Murati, ka propozuar që votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të bëhet në pako.
Mirëpo, Kushtetuta përcakton se kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët zgjidhen ndaras.
Të enjten, në orën 10:00, Kuvendi do ta bëjë përpjekjen e nëntë për konstituim.