Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Liburn Aliu kanë vizituar disa markete në Prishtinë të hënën, për të monitoruar zbatimin e Udhëzimit Administrativ për qeset e plastikës. Kurti ftoi qytetarët që të përdorin torba, teksa tha se qeset e plastikës janë ndër shkaktarët kryesorë për vërshimet e fundit në vend.
Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i përdorin qeset e plastikës dhe në vend të tyre të shfrytëzojnë torba shumëpërdorimëshe. Ai bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, të hënën vizitoi disa dyqane në Prishtinë për të monitoruar zbatimin e Udhëzimit Administrativ për ambalazhin dhe mbeturinat e ambalazhit, i cili kufizon dhe rregullon shitjen e qeseve të plastikës.
“I ftojmë qytetarët që kur të shkojnë të blejnë në vetëshërbim, në markete, t’i marrin torbat me vete”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka theksuar se gjendja me mbeturina është e rëndë dhe moskontrolli i shpërndarjes së qeseve të plastikës ka kontribuar në vërshimet që ndodhën në fillim të vitit.
“E kemi parë të gjithë që vërshimet që janë shkaktuar në Kosovë, e kanë nxjerrë në pah se sa shumë qese të panevojshme plastike janë shndërruar në mbeturina që në mënyrë masive e kanë ndotur ambientin. Prandaj shpresoj, në bashkëpunimin tuaj, që me këtë Udhëzim të ri administrativ, me këtë fushatë, t’i themi jo qeseve të plastikë”, ka thënë kryeministri.
Vizitat në terren i ka filluar javën e kaluar ministri Aliu, gati një muaj pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit. Ato sipas tij, janë miqësore e sensibilizuese, e jo me karakter të inspektimit. Ai ka sqaruar se shkaktarë të ndotjes janë qeset deri në 25 mikronë që zakonisht janë dhënë për pemë dhe perime. Me Udhëzimin e ri, është marrë vendim që ato të jenë pa vega.
“Kjo qese dikur ka qenë me vegëza dhe është dhënë falas. Meqenëse është dhënë falas numri i përdorimit të tyre ka qenë jashtëzakonisht i madh. Konsumatorët, për një produkt e kanë marrë një qese”, ka thënë Liburn Aliu.
Ministri Aliu, javën e kaluar paralajmëroi për mundësinë që nga dhjetori të fillojnë me inspektimet. Shumica e dyqaneve kanë filluar të shesin qeset e plastikës për 5 cent, por ato shpeshherë janë me logo, ndonëse Udhëzimi Administrativ nuk parasheh pagesën për këtë lloj të qeseve.
Bazuar në Udhëzimin Administrativ, qeset e trashësisë nga 25 deri në 50 mikronë do të paguhen 5 centë për copë.
“Qeset plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza prej njëzet e pesë (25) deri pesëdhjetë (50) mikronë vihen në treg me një çmim shitjeje minimal detyrues prej së paku zero pikë, zero pesë (0.05) euro që paguhet nga konsumatori, ku prej tyre zero pikë, zero dy (0.02) euro tarifë kalojnë në buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në udhëzimin administrativ për ambalazhin dhe mbeturinat e ambalazhit.
Udhëzimi Administrativ është futur në fuqi më 5 tetor dhe parasheh edhe fillimin e një programi për riciklimin e shisheve të plastikës, aluminit dhe qelqit.