Në mbledhjen e 54-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i kësaj partie, ka shprehur kritika ndaj institucioneve të drejtësisë për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, por edhe për trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Një mesazh ua dha edhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për pjesëmarrje në zgjedhjet evropiane, meqë, siç tha, Kontinenti Evropian është i kërcënuar prej agresionit rus.
Kritika ndaj institucioneve të drejtësisë e thirrje për diasporën ka adresuar kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i partisë në pushtet, si për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, ashtu edhe për rastet e dhunës ndaj grave.
Në fjalimin e tij në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së, ai tha se Prokuroria nuk ka ngritur ende aktakuzë për një ndër përgjegjësit kryesorë ndaj sulmit terrorist të shtatorit të vitit të kaluar në Bnjskë.
“Sot po hymë në javën e 30-të prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit për sulmin terrorist në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku, sulm terrorist për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të problematizohej, lëre më java e 30 në të cilën hyjmë sot”, ka thënë Kurti.
Kurti kërkoi edhe sensibilizim shoqëror, meqë tha se nuk ka kuptim që një shoqëri që ka qenë viktimë e gjenocidit të Serbisë, përfshirë dhunën seksuale, të ushtrojë dhunë ndaj grave.
“Kemi nevojë që sistemi i drejtësisë t’i bëjë prioritet trajtimin e rasteve të dhunës në baza gjinore dhe të japë dënime meritore për kriminelët. Ne të cilët kemi vuajtur e humbur kaq shumë, ne që jemi një popull kundër së cilit është kryer gjenocid dhe ku përdhunimi seksual ka qenë armë lufte kundër popullit tonë e për robërimin e vendit tonë do të duhej që të kemi dyfish më shumë përgjegjësi, ndjeshmëri e vetëdije për barazinë gjinore dhe nevojën për t’i mbrojtur gratë dhe vajzat”, ka deklaruar tutje ai.
Mobilizim kërkoi për ta ndihmuar regjistrimin e popullsisë, ku i bëri thirrje të veçantë diasporës që të regjistrohet online përmes e-Diaspora.
Bashkatdhetarëve u kërkoi edhe pjesëmarrje masive në zgjedhjet evropiane e votim të socialdemokratëve, meqë, sipas tij, këto zgjedhje janë përcaktuese edhe për sigurinë në Kontinentin Evropian.