Në trevjetorin e qeverisjes, zyrtarë të partisë në pushtet theksuan se para kërkesës për zgjedhje të parakohshme, opozita duhet të reflektojë mbi rezultatin e fundit zgjedhor. Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, i quajti joserioze kërkesat e paraqitura një ditë më parë nga partitë opozitare, që lidhen me ndërprerjen e mandatit
Opozita duhet të reflektojë mbi rezultatin e fundit zgjedhor përpara se të kërkojë zgjedhje të reja, ka thënë të shtunën shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Një ditë më parë, disa nga partitë opozitare shprehën gatishmërinë që të japin votat e tyre për shpërndarjen e Kuvendit, disa thanë se janë gati për mocion votëbesimi teksa disa e kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.
Kusari-Lila e quajti të panevojshëm përfundimin e hershëm të mandatit të Qeverisë, e partitë opozitare i kualifikoi si joserioze në kërkesat për zgjedhje të parakohshme.
“Një nismë të grupit parlamentar të Aleancës, një kërkesë të PDK-së për kryeministrin që të sjellë nënshkrimet për shpërndarje të Kuvendit dhe një refuzim nga rruga e re me metoda të vjetra apo me ide të vjetra të LDK-së që ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, por jo nënshkrimet nuk do t’i japin për këtë çështje. Prandaj, përderisa nuk ka konsensus mes bllokut opozitar, le që nuk kanë vota, por nuk e kanë as konsensusin, duket më shumë se bëhet kjo për konsum publik sesa për të arritur një rezultat i cili mund të çojë te zgjedhjet e reja parlamentare”, ka thënë Kusari-Lila.
Në përvjetorin e tretë të marrjes së mandatit qeverisës nga LVV-ja, Kusari-Lila e deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi, e vlerësuan legjislaturën e tetë si më të suksesshmen. Ata thanë në një konferencë për media se gjatë kësaj periudhe miratim morën gjithsej 220 ligje, 57 syresh marrëveshje ndërkombëtare.
“Janë miratuar shumë ligje që për vite me radhë kanë qenë pjesë e raporteve të progresit të BE-së për Kosovën që ishin në pritje nga legjislatura në legjislaturë dhe që kanë marrë epilog pa dyshim gjatë këtyre tre vjetëve”, ka thënë Rrustemi.
Edhe Kusari-Lila foli në superlativ për punën e legjislaturës aktuale.
“Pa dyshim kjo legjislaturë ka shënuar suksesin më të madh nga të gjitha legjislaturat paraprake të Kuvendit, përkundrejt sfidave me të cilat jemi ballafaquar, qoftë në aspektin e përballjes me pasojat e pandemisë në fillim të këtij mandati të legjislaturës së tetë, pastaj me krizat e vazhdueshme”, ka thënë ajo.
Në tre vjetët e legjislaturës aktuale të Kuvendit janë mbajtur gjithsej 151 seanca plenare.