LAJMET E MBRËMJES

Kushtetuesja s’merret me ankesën e Ramës për bërllokun

Kushtetuesja ka shpallur të papranueshme kërkesën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimit dhe plotësimit të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave, i publikuar në fund të vitit 2024. Sipas aktvendimit, kërkesa e kryetarit Rama nuk e plotëson kriterin që shqyrtimi të bjerë brenda kompetencave të Gjykatës

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimit dhe plotësimit të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave, e publikuar në gazetën zyrtare në ditën e fundit të 2024-tës. 

Në aktvendimin e Kushtetueses shpjegohet se para vlerësimit të meritave të çështjes, Gjykata një herë sigurohet se shqyrtimi i lëndës bie në kompetencat e saj. Pra nëse po kontestohet një ligj i Kuvendit të Kosovës apo akt i Qeverisë, i cili zvogëlon përgjegjësitë komunale ose cenon të hyrat e saj. Në aktvendim thuhet se pikërisht këtë kriter nuk e plotëson kërkesa e Ramës. 

“Në rrethanat e rastit konkret, para Gjykatës, ashtu siç është specifikuar më lart, parashtruesi i kërkesës konteston rregulloren e miratuar nga Kuvendi i Komunës, në mbledhjen e mbajtur më 5 dhjetor 2024, për të cilën shqyrtimi i ligjshmërisë ishte bërë nga MMPHI, pas përcjelljes të së njëjtës nga MAPL”, thuhet në aktvendim. 

Rama ka dorëzuar kërkesën në Kushtetuese më 3 shkurt.

Më 1 dhjetor të vitit 2023 pati hyrë në fuqi Rregullorja për menaxhimin e mbeturinave, e cila ia mundësonte Komunës arkëtimin e mjeteve për shërbimin e mbledhjes së bërllokut e jo kompanisë “Pastrimi”. Gjithashtu, në raste të jashtëzakonshme lejohej që Komuna këtë shërbim t’ua jepte kompanive private. 

Këto nene të rregullores u larguan me plotësim-ndryshimin e saj në Asamblenë e Prishtinës, në dhjetor të vitit 2024. 

Arkëtimi iu kthye kompanisë “Pastrimi”, e Komuna e udhëhequr nga Rama nuk e pranoi këtë. Ftoi qytetarët që të vazhdojnë të paguajnë për shërbimet e mbeturinave në Komunë.

Kompania “Pastrimi” u zhyt në krizë financiare, e punëtorët e saj hynë në grevë në oborrin e Komunës. 
Pretendimi i punonjësve të “Pastrimit” ishte se Komuna e ka dëmtuar ndërmarrjen me arkëtim të paligjshëm të mjeteve, e po ashtu se nuk e ka paguar për gati pesë muaj shërbim.

Shpejt kryeqyteti u mbulua nga bërlloku, e duke e përdorur këtë situatë si pretekst, kryetari Rama pati shpallur gjendje të jashtëzakonshme në shkurt të këtij viti, me çka u hap rruga që këtë shërbim ta kryenin kompanitë private.

Me kontestimin e lëndës në Gjykatën Kushtetuese, kryetari Rama në shkurt e shpalli plotësim-ndryshimin e Rregullores të pavlefshëm, ndonëse Kushtetuesja nuk vendosi masë të përkohshme.  

E Komuna e Prishtinës në një tender të ndarë në gjashtë llote, me vlerë 16.5 milionë euro, ka kontraktuar gjashtë kompani private për mbledhjen e mbeturinave në kryeqytet, ndonëse këtë e ndalon plotësim-ndryshimi i Rregullores.