LAJMET E MBRËMJES

Kushtetuesja s’ua lë në dorë deputetëve mjetin për ta bllokuar konstituimin

Tetë ditë pas vendimit, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë duke bërë kështu që të nisë rrjedha e afatit të mbetur prej 12 ditësh për konstituimin e Kuvendit. Në arsyetim Kushtetuesja ka legjitimuar ndarjen e votimit të kandidatëve për nënkryetarë e edhe shortin, si dhe e ka kufizuar votimin në më së shumti tri herë për një të propozuar. Ka paraparë edhe mundësinë e konstituimit, në rast se një grup parlamentar apo komunitet refuzon të japë propozim për nënkryetar Kuvendi

Gjykata Kushtetuese ka publikuar të mërkurën aktgjykimin e plotë në rastin e ngritur nga Lista Serbe për konstituimin e Kuvendit e në të cilin nuk ua ka lënë në dorë grupeve parlamentare apo komuniteteve që, duke mos propozuar kandidat për nënkryetar, ta mbajnë të bllokuar punën e organit legjislativ.

Bazuar në të, nga e mërkura nis të rrjedhë afati 12-ditor brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi. Por, gjykata nuk ka treguar se cilat janë pasojat nëse këtë nuk e bëjnë deputetët.

Në aktgjykim Kushtetuesja ka konstatuar se është kushtetues edhe votimi i ndarë për nënkryetarët, e cila ishte kontestuar edhe nga një numër i partive në Kuvend që ose abstenuan në procesin e votimit për nënkryetarin serb, ose nuk votuan fare.

“Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Kësisoj, gjykata ka konstatuar se zgjedhja e Emilja Rexhepit për nënkryetare është në përputhje me Kushtetutën. 

Ajo ka legjitimuar edhe zhvillimin e procedurës së shortit e edhe kufizimin e votimit në më së shumti tri herë për një të propozuar.

“Në rrethanat e rastit konkret, dy mekanizmat zhbllokues, respektivisht, (i) votimi 3 (tri) herë për të njëjtin kandidat dhe (ii) procedura e shortit, ia kanë dhënë mundësinë Kuvendit që të votojë njërin nga kandidatët e propozuar për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb. Në këtë kontekst Gjykata vlerëson se deputetët e zgjedhur të Kuvendit kanë dështuar që të zgjedhin njërin nga nënkryetarët e Kuvendit, apo anëtarin e pestë të Kryesisë së Kuvendit pasi që asnjëri nga kandidatët nuk mori 61 (gjashtëdhjetë e një) vota për t’u zgjedhur në këtë pozitë”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata në arsyetim ka theksuar se e drejta për të propozuar nuk nënkupton edhe të drejtën për ta mbajtur të bllokuar konstituimin. Ajo ka elaboruar rrethanën kur Kuvendi mund të funksionojë edhe pa të gjithë nënkryetarët.

“Gjykata sqaron se në rastet kur e drejta kushtetuese në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ushtrohet nga deputetët apo grupet parlamentare, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, qofshin ato nga komuniteti shumicë apo nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat mund të manifestohen në pengimin e këtij procesi, apo në rastet kur, përkundër vullnetit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur anëtarin e Kryesisë, Kuvendit i pamundësohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së saj, Kuvendi përjashtimisht do të mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia e Kuvendit të ketë kuorum në vendimmarrjen e saj në përputhje me paragrafin 3 të nenit 20 (Mbledhja e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se: “Vendimi i Kryesisë merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje”, thuhet në arsyetimin e dhënë nga Kushtetuesja.

Megjithatë Kushtetuesja ka theksuar se në rastin konkret dështimi për konstituim i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit për deputetët e propozuar.
Në rastet e deritashme nuk kanë votuar deputetët e Lidhjes Demokratike, por edhe ata të Listës Serbe. Në disa raste nuk kanë marrë pjesë në votim as deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Edhe në këtë aktgjykim, Kushtetuesja ua ka rikujtuar deputetëve obligimin për të marrë pjesë në seancë dhe për të votuar, qoftë për, kundër apo duke abstenuar.

“Në këto rrethana deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të konstituojnë Kuvendin brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve, gjithnjë duke respektuar procedurën e përcaktuar me Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit. Gjykata rikujton obligimin e deputetëve që të marrin pjesë në punimet e Kuvendit, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e tyre në votim, përkitazi me propozimet e paraqitura në bazë të Kushtetutës dhe rregullave tjera të ndërlidhura”.

Më 28 gusht, kryeparlamentari Dimal Basha shpalli të konstituuar Kuvendin pavarësisht moszgjedhjes së një deputeti serb për nënkryetar.

Lista Serbe, si subjekti më i madh nga radhët e komunitetit serb, dështoi të sigurojë shumicën e votave në propozimin për Sllavko Simiqin në tri runde. E pas kësaj, Basha me short mundësoi votimin për çdo deputet të këtij grupi e edhe për deputetin që nuk është i Listës Serbe, Nenad Rashiq. Por as ai nuk mori votat e mjaftueshme.

Lista Serbe u ankua në Kushtetuese edhe për ndarjen e procesit të votimit prej nënkryetarit të komuniteteve të tjera joshumicë.