LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja e fton Prokurorinë t’i hetojë 97% të tenderëve njëburimorë

Partia e dytë më e madhe opozitare, LDK-ja, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për lidhjen e 781 kontratave njëburimore, në vlerë 209 milionë euro, që prej vitit 2021. Për këto kontrata, përfaqësues të kësaj partie i bënë thirrje Prokurorit të Shtetit që të nisë hetime

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike (LDK) i bënë thirrje të shtunën Prokurorit të Shtetit që t’i hetojë tenderët njëburimorë, të nënshkruar gjatë Qeverisë Kurti.

Deputeti Besjan Mustafa, në një konferencë për media, tha se gjatë qeverisjes aktuale, që prej vitit 2021 janë lidhur 781 kontrata të negociuara, në vlerë prej 209 milionë eurosh.

Tek i përmendi rastet e kontratave të lidhura nga Ministria e Brendshme, ajo e Ekonomisë, pastaj ajo e Drejtësisë dhe Ministria e Kulturës, ai e akuzoi pushtetin për keqpërdorime.

“Këto janë kontrata ku nuk lejohet konkurrenca e lirë, negocimi bëhet në katër sy me zyrtarët e ministrisë apo vetë ministrat dhe përfaqësuesit e kompanisë së cilës i garantohet një tender. Pra, të negociuara e të dakorduara në katër sy, normalisht me një hapësirë të skajshme e të tmerrshme për keqpërdorim”, ka thënë Mustafa. “Të enjten, siç keni parë, kemi ftuar seancë të jashtëzakonshme për këtë temë. Të zënë ngushtë dhe të paaftë për t’u ballafaquar me këtë temë dhe me fakte, edhe ministrat, edhe deputetët e LVV-së e lëshuan sallën e kuvendit”.

LDK-ja e propozoi gjatë javës një rezolutë për shqyrtimin e tenderëve njëburimorë dhe për krijimin e një komisioni hetimor, porse pas një diskutimi që përshkallëzoi me ofendime e vërsulje mes deputetësh, ligjvënës të Lëvizja Vetëvendosje e braktisën sallën e seanca e Kuvendit u ndërpre pa miratimin e rezolutës, në mungesë të kuorumit.

E Visar Azemi, anëtar i kryesisë së LDK-së, e akuzoi Qeverinë për vjedhje të miliona eurove nëpërmjet këtyre kontratave.

“Pse nuk duroi pushteti? Pse iku? Sepse për tri vite i dha plot 781 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë, vlera e të cilëve është plot 209 milionë euro. Pra, kanë thirrur biznese të cilat i kanë dashur vetë, pa asnjë procedurë konkurruese, tenderuese, ju kanë dhënë tenderë e kontrata. Është interesante se ndër vite ka shkuar duke u rritur kjo vlerë”, ka thënë Azemi.

Sipas një raporti të organizatës “Demokraci Plus”, Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga LDK-ja, është në mes të autoriteteve kontraktuese që ka lidhur numrin më të madh të kontratave njëburimore që nga viti 2019. Për gjashtë muaj të vitit 2023, ajo ka firmosur dhjetë kontrata që kapin vlerën totale prej rreth 2.3 milionë eurosh.

E në një grafikë të “Iniciativës për Progres”, publikuar dy ditë më parë, kryeqyteti radhitet i katërti nga mesi i dhjetë institucioneve që lidhën më së shumti kontrata njëburimore gjatë 2023-s, me vlerë 4 milionë e 259 mijë euro.

Të pyetur për këto të dhëna mbi Komunën e Prishtinës, Mustafa e Azemi nuk u përgjigjën nëse do të kërkojnë hetim. Ata insistuan se pushteti po krijon narracione të tilla të pakrahasueshme.