Kjo nuk është një ide e re, ngase atë e pati paraqitur para disa vjetësh edhe Parlamenti Evropian (PE) dhe po ashtu disa vende anëtare. Bazuar në këtë ide, vendimet për hapjen e grup-kapitujve do të merreshin me shumicë të kualifikuar në Këshill dhe jo si deri më tash me pajtimin e të gjitha vendeve anëtare. Por kjo do të vlente vetëm për hapje të kapitujve e jo edhe për mbylljen e tyre
Presidenti i Këshillit Evropian (KE), Antonio Costa, ua ka paraqitur liderëve të vendeve anëtare idenë për tejkalimin e bllokadave në procesin e zgjerimit, për të mundësuar që ky proces të përshpejtohet.
Kjo ide është diskutuar edhe në samitin joformal të Bashkimit Evropian (BE), i cili të mërkurën është zhvilluar në Kopenhagë të Danimarkës, vend ky që e ka kryesimin e radhës të bllokut evropian.
Kjo nuk është një ide e re, ngase atë e pati paraqitur para disa vjetësh edhe Parlamenti Evropian (PE) dhe po ashtu disa vende anëtare. Bazuar në këtë ide, vendimet për hapjen e grup-kapitujve do të merreshin me shumicë të kualifikuar në Këshill dhe jo si deri më tash me pajtimin e të gjitha vendeve anëtare. Por kjo do të vlente vetëm për hapje të kapitujve e jo edhe për mbylljen e tyre.
Aktualisht në procesin e zgjerimit secili vendim në secilin hap merret me konsensus. Kjo ka bërë që shpesh një apo më shumë vende anëtare të bllokojnë përparimin e ndonjë vendi kandidat. Rasti më i njohur është ai i Maqedonisë së Veriut, shtet ky që nuk po arrin t’i hapë kapitujt e parë qysh nga viti 2009, kur Komisioni pati konstatuar se i ka përmbushur të gjitha kushtet.
Maqedonia e Veriut fillimisht mbahej e bllokuar nga Greqia, për shkak të mospajtimeve rreth emrit, ndërsa tash po mbahet e bllokuar nga Bullgaria, e cila ka vërejtje për disa çështje që lidhen me identitetin, me interpretimin e historisë dhe me pakicat kombëtare.
Bashkimi Evropian për momentin më së shumti është i interesuar për të zhbllokuar hapjen e kapitujve me Ukrainën. Për këtë janë pajtuar të gjitha vendet, por veton po e mban Hungaria. Tash po kërkohen mënyra për të tejkaluar veton e Hungarisë në rastin e Ukrainës.
Por nëse do të ndryshohet mënyra e miratimit të vendimeve, nga kjo do të përfitonin edhe vendet e tjera kandidate. Megjithëkëtë, diplomatët në Bruksel janë skeptikë rreth kësaj ideje, sepse edhe për heqjen e vetos duhet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare. Dhe nuk është vetëm Hungaria ajo që ka rezerva ndaj heqjes së vetos. Këtë, sipas diplomatëve, nuk do ta pranonin as Qiproja, e cila dëshiron ta mbajë mundësinë për të bllokuar Turqinë, dhe as Bullgaria që e bllokon Maqedoninë e Veriut, as Greqia që dëshiron në të ardhmen të ketë fjalën e fundit në negociatat e BE-së me Shqipërinë, si dhe as Kroacia, e cila shpesh ka rezerva në hapjen e kapitujve me Serbinë.
Kosova po ashtu ka mbetur e bllokuar si pasojë e kundërshtimit të pesë vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Kështu kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE e dorëzuar para gati tre vjetësh nuk është shqyrtuar fare. Dhe Kosova ka mbetur i vetmi vend evropian, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe nuk e ka ende statusin e kandidatit.