Është liruar Gavrilo Milosavleviq, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në Burgun e Dubravës gjatë vitit 1999. Gjykatësi Vesel Ismaili ka thënë se nuk është provuar se Milosavleviqi ka marrë pjesë në keqtrajtime apo vrasje ndaj të burgosurve shqiptarë. Me shpalljen e aktgjykimit atij i është ndërprerë masa e paraburgimit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për krime lufte, Gavrilo Milosavleviq.
Në këtë rast Milosavleviq, në cilësinë e gardianit në Burgun e Dubravës, akuzohej për krime lufte kundër popullatës civile më 1999.
Aktgjykimi është shpallur të hënën nga gjykatësi Vesel Ismaili, sipas të cilit nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për çka akuzohej.
“Për gjykatën nuk është kontestuese se ka ndodhur masakra në Burgun e Dubravës ndaj të burgosurve shqiptarë, siç nuk është kontestuese se edhe i akuzuari ka qenë në marrëdhënie pune në Burgun e Dubravës, por nuk ka qenë gardian, por në stafin civil”, ka thënë gjyqtari Ismaili.
Po ashtu të akuzuarit Milosavleviq i është ndërprerë masa e paraburgimit.
Ismaili ka thënë se pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe vlerësimit të fakteve nuk është provuar përtej dyshimit të bazuar se Milosavleviqi ka marrë pjesë në keqtrajtime e vrasje.
“Në këtë çështje penale nuk janë provuar faktet konkrete, të cilat përbëjnë elementin kryesor të figurës së veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarit. Ngase edhe dëshmitarët dhe dëshmitë e tyre lidhur me masakrën e Burgut të Dubravës, të cilët i kanë dhënë në polici prokurori por edhe në gjykatë nuk kanë vërtetuar saktë dhe bindshëm që të akuzuarin e kanë parë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar gjyqtari Ismaili.
Ndaj vendimit të gjykatës kanë reaguar shumë të ish-të burgosur, që në kohën e masakrës ishin në Burgun e Dubravës, duke e quajtur aktgjykim tronditës.
“Ky vendim, i cili bie ndesh me faktet, dëshmitë dhe kujtesën kolektive të një populli të tërë, është një goditje ndaj viktimave dhe një përpjekje për të fshirë një nga kapitujt më të errët të historisë sonë të afërt. Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Milosavleviqit për pjesëmarrje në krime sistematike kundër të burgosurve shqiptarë gjatë viteve 1998-1999 në Burgun e Dubravës, krime të faktuara nga dëshmitarë të drejtpërdrejtë, ish-të burgosur dhe përjetues të masakrës së 22 majit 1999”, ka shkruar Sadik Zeqiri, ish- i burgosur që i shpëtoi masakrës së Dubravës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, Gavrilo Milosavlevq, në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, në bashkëkryerje me persona të tjerë ka aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë.
Në aktakuzë thuhet se mbi 1 mijë të burgosur ishin nxjerrë në oborrin e burgut nën pretekstin e mbrojtjes nga bombardimet e NATO-s, por menjëherë ishin sulmuar me armë të rënda, duke i lënë të vrarë 109 prej tyre. Po ashtu Milosavleviqi dhe të tjerë akuzohen se çdo ditë rrihnin të burgosurit në pavijonet B dhe C.