LAJMET E MBRËMJES

Mbi 3.6 milionë euro për subjektet që siguruan ulëse në Kuvend

Ani se partitë politike nuk e kanë konstituuar ende legjislaturën e 9-të dhe trupat e tjerë përkatës pas tetë vazhdimeve të seancës konstituive, KQZ-ja ka ndarë fondin e paraparë për to. Nga totali i vlerës prej 3 milionë e 670 mijë, më së shumti do të përfitojë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë 1 milion e 540 mijë euro. Megjithëse u kundërshtua nga Sami Kurteshi i LVV-së, nga ky fond do t’i përfitojë 270 mijë euro edhe Lista Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ndarë të mërkurën gjithsej 3 milion e 670 mijë euro për subjektet politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit në Kosovë, sipas një ndarjeje të bazuar në numrin e vendeve të fituara në Kuvend dhe kritere të tjera.

Kjo ndarje financiare bëhet me qëllimin që të sigurohet mbështetje për funksionimin e subjekteve politike në përputhje me ligjin dhe përfaqësimin që ato kanë në Kuvend. 

Partia me përfitimin më të madh është Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka marrë 1 milion e 540 mijë e 800 euro, pasi ka fituar 48 vende në Kuvend dhe përfitoi gjithashtu një shumë shtesë nga kuota gjinore, në vlerë prej 100 mijë e 800 eurosh. Pas saj janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 720 mijë euro dhe Lidhja Demokratike (LDK) me 600 mijë euro.

Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate u janë alokuar financat ndaras edhe pse ato garuan si koalicion në zgjedhjet e 9 shkurtit. AAK-ja me pesë deputetë ka përfituar 150 mijë euro, kurse Nisma 90 mijë euro, ku 81 mijë janë për subjektin, kurse 9 mijë për deputetët. 

“Financimi i subjekteve politike bëhet përmes buxhetit të Republikës së Kosovës nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike, i cili ndahet për financimin e aktiviteteve të rregullta të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend në bazë të numrit të ulëseve. KQZ-ja ndan fonde publikë 1 për qind në vlerë të shumës së përgjithshme të alokuar për subjektin politik për secilin mandat të fituar nga gratë në momentin e certifikimit”, ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala.

Lista Serbe, e cila ka siguruar 9 ulëse, ka përfituar 270 mijë euro, për të cilën anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi, ka thënë se është kundër që t’i ndahen fonde nga buxheti i shtetit. 

“Në bazë të vendimit të mëhershëm dhe të sqarimit të mëhershëm unë i votoj këto ndarje dhe rekomandimin për partitë e tjera. Por votoj kundër për ndarjen e fondeve për Listën Serbe në çdo rast”, ka thënë Kurteshi. 

Vetëvendosje pati kundërshtuar edhe certifikimin e këtij subjekti për zgjedhjet e 9 shkurtit me arsyen se kjo parti angazhohet kundër shtetit të Kosovës dhe ish-nënkryetari i saj, Milan Radoiçiq organizoi sulmin terrorist më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. 

Ndërsa partitë më të vogla si Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, koalicioni VAKAT, Partia Liberale Egjiptiane, dhe të tjera kanë përfituar nga 30 mijë euro secila, bazuar në ndarjen minimale për subjektet me nga një deputet. 

Kjo ndarje financiare nga KQZ-ja bëhet ani pse Kuvendi nuk është funksionalizuar plotësisht. Në tetë vazhdime të seancës konstituive deri tash deputetët nuk kanë arritur ta zgjedhin kryetarin e organit ligjvënës.