LAJMET E MBRËMJES

Mbrojtja: Nuk kishte polici të UÇK-së nën komandën e Selimit

rexhep selimi

“Shumë ushtarë të UÇK-së, përfshirë komandantët, nuk dinin as për ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm apo anëtarëve të tyre. Vetë zonat ishin në formim e sipër, të paformuara në pjesën e parë të vitit 1998. Nuk kishte strukturë me zinxhir komandues, kishte grumbullim njësitesh lokale, njësitesh guerile që vepronin në mënyrë të pavarur dhe horizontale, pa ndonjë kohezion dhe uniformitet. Brenda Shtabit të Përgjithshëm në këtë periudhë kohore nuk kishte strukturë komanduese të vërtetë dhe nuk kishte përcaktim të qartë të përgjegjësive”, ka thënë në fjalën përfundimtare Chad Mair, njëri nga katër avokatët e Rexhep Selimit

Avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully, e ka nisur fjalën përfundimtare duke paralajmëruar se do t’i trajtojë tri tema në emër të klientit të tij: pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për rolin e Selimit si ministër i Rendit Publik, pretendimet për disa shkrime dore që pretendohet të jenë bërë prej Selimit, dhe më pas për disa përjashtime që mbulon ZPS-ja në dosjen e saj.

Avokati i Selimit nis me kundërargumentimin e pretendimit të parë të Prokurorisë kinse Selimi ka pasur kontroll mbi Policinë si ministër i Rendit Publik.

“ZPS-ja nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta”.

Sipas tij, termi “Policia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)” është një tezë e Prokurorisë, "e hartuar si një kosh ku Prokuroria mund t’i hidhte sa më shumë dëshmi përmes provave jogojore" për të dhënë përshtypjen e gabuar se ekzistonte një lloj policie dhe që drejtohej nga Selimi si ministër i Rendit Publik.

“Pas qershorit, UÇK-ja dhe policia ushtarake e UÇK-së ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave, nuk ka qenë nën përgjegjësinë e zotit Selimi. Nuk ka ekzistuar një polici e tillë e UÇK-së, ose ministrisë së Rendit Publik, që është mbikëqyrur nga zoti Selimi, siç pretendon ZPS-ja”, ka thënë Tully.

Sipas avokatit, nuk kishte asnjë forcë policie të krijuar në prill të vitit 1999, duke marrë parasysh rrethanat në atë kohë, dhe nuk ka asnjë provë konfirmuese të paraqitur nga dëshmitarë apo ZPS-ja që vërtetojnë një pretendim të tillë.

Avokati Tully kalon te tema e dytë: pretendimet për kontrollin e Selimit mbi policinë.

Ai ka thënë se pavarësisht një numri të madh të dokumenteve të pranuara nga trupi gjykues, Prokuroria nuk ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e veta.

“Ekziston një mungesë e tërë e dokumenteve operative të dërguara nga Ministria e Rendit Publik në drejtim të policisë, ose e kundërta, gjë e cila nuk vërteton përfshirjen e zotit Selimi, apo që ai ka pasur kontroll mbi policinë. Prokuroria nuk ka dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mosveprimet e zotit Selimi si ministër i Rendit Publik kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë dhe që ai është përgjegjësi për veprimet e personave të tjerë lidhur me kryerjen e krimeve të pretenduara në aktakuzë”.

Mes tjerash, avokati ka përmendur edhe mospërputhjet në dosjen e Prokurorisë, për mënyrën se si i referohet Selimit: diku si person me kontroll operacional mbi policinë, ndërsa diku tjetër pretendon se ai kishte autoritet operacional mbi policinë, dhe që ai ishte i pozicionuar për të udhëzuar persona.

Tully: Prokuroria u referohet disa dokumenteve pa datë dhe të panënshkruara

Sipas avokatit Tully, Prokuroria nuk është përpjekur fare që të provonte që Ministria e Rendit Publik, e drejtuar nga Selimi, ishte strukturë që kishte mundësi të ushtronte kontroll operativ mbi një forcë policie në mbarë vendin.

“Për rrjedhojë, ky pretendim i Prokurorisë nuk qëndron dhe është tërësisht i pambështetshëm”.

Më tutje, avokati Tully ka thënë se Prokuroria u referohet disa dokumenteve pa datë dhe të panënshkruara.

“Mungesa e dokumenteve është një lloj dëshmie që nuk ekzistonte një strukturë e mirorganizuar e Rendit Publik... mendojeni për një çast sa i rëndësishëm do të ishte roli i shefit operativ të policisë së një vendi, edhe në një situatë jashtë konfliktit në Kosovë. Kjo do të ishte një detyrë herkuliane. Minimalisht do të kishim pritur të shihnim urdhra, udhëzime që të buronin prej këtij komandanti operativ drejtuar vartësve, por s’kemi parë asnjë të tillë. Asnjë shembull të ndonjë urdhri, një udhëzimi, në asnjë moment, në asnjë zonë të Kosovës nuk është lëshuar asnjë dokument, as nga zoti Selimi, dhe as në emër të zotit Selimi”.

Sipas avokatit Tully, Prokuroria nuk e ka bërë asnjëherë të qartë autorësinë e materialeve që ia ka mveshur Selimit, dhe nuk do të thotë që nëse disa prej materialeve janë sekuestruar nga Selimi, janë të tij.

“Duhet ta keni parasysh që kjo mund të ketë pasoja konkrete për personin.. Qasja e paqartë e Prokurorisë lidhur me këto shënime në momentet e fundit të këtij gjykimi u bë edhe më e paqartë me pretendimet e tyre të forta se fjalët këtu janë të zotit Selimi. Po t’i kishim ditur këto akuza specifike gjatë gjykimit, ne si mbrojtje do të kishim pasur strategji tjetër gjatë kundërpyetjeve tona dhe do të kishim bërë hetime të tjera sa u përket pretendimeve të Prokurorisë. Këtu ne jemi cenuar”.

Avokati Tully e ka përfunduar fjalën e vet duke thënë se Prokuroria i ka bazuar akuzat kundër Selimit në prova dytësore, të cilat, sipas tij, i ka shfrytëzuar, edhe si mburojë, edhe si armë: si armë për t’i mbuluar boshllëqet në provat e tyre dhe si mburojë për t’u mbrojtur nga përgjegjësitë që ka Prokuroria në përmbushjen e standardeve në provat që ofron.

Mair: Shtabi i Përgjithshëm në këtë periudhë kohore nuk kishte strukturë komanduese

Në pjesën tjetër të seancës, Selimin e përfaqësoi avokati Chad Mair.

“Shumë ushtarë të UÇK-së, përfshirë komandantët, nuk dinin as për ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm apo anëtarëve të tyre. Vetë zonat ishin në formim e sipër, të paformuara në pjesën e parë të vitit 1998. Nuk kishte strukturë me zinxhir komandues, kishte grumbullim njësitesh lokale, njësitesh guerile që vepronin në mënyrë të pavarur dhe horizontale, pa ndonjë kohezion dhe uniformitet. Brenda Shtabit të Përgjithshëm në këtë periudhë kohore nuk kishte strukturë komanduese të vërtetë dhe nuk kishte përcaktim të qartë të përgjegjësive”, ka thënë Mair.

Mes tjerash, ai ka thënë se ka pasur edhe mungesë armësh dhe ato që kanë qenë, ishin "armë të lehta".

E avokatja tjetër e Selimit, Furtuna Sheremeti, po vazhdon fjalën përmbyllëse duke u përqendruar te dëmi që u është shkaktuar viktimave. Ajo tha se nuk iu qaset provave të mbrojtjes të viktimave me shpërfillje, sepse e kuptojnë dëmin dhe vuajtjen që kanë përjetuar njerëzit, duke insistuar se Selimi nuk ka kryer krime.

Megjithatë, ajo tha se vuajtja dhe represioni nuk e përjashton provën ligjore.

“Nuk është e mjaftueshme që të thuhet se ka pasur dhunë, paraburgosje që në një shoqëri pas konfliktit trauma është e gjerë. Asnjë nga këto nuk tregon se Selimi ka kryer krime, apo ka urdhëruar ato, ka kontribuar në to apo ka pasur njohuri apo kontroll efektiv që të bëjë përgjegjësi komanduese”, tha Sheremeti.

Sipas saj, Prokuroria po synon që të paraqesë dëmin në natyrë të përgjithshme, duke e përdorur si model dhe pjesë “të një plani për kontroll të përqendruar”. Por, ajo argumentoi se provat e Prokurorisë përbëhen nga episode e jo dëme të natyrës së përgjithshme dhe pa autor specifik.

“Po të ketë pasur një rrjet komandimi që do të çonte drejt zotit Selimi do të kishte dalë nga provat. Por nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, tha Sheremeti.

Sipas saj, asnjë provë nuk tregon se dëmi ndaj viktimave është shkaktuar nga Selimi.

Mbrojtja thotë se provat nuk mbështesin fajësinë e Selimit

Avokatja Furtuna Sheremeti tha se nuk ka prova që Selimi është fajtor për pikat e aktakuzës, ndërkaq kërkesën e Prokurorisë për 45 vjet burgim për secilin të akuzuar e cilësoi si burgim të përjetshëm.

“Nuk ka prova që të mbështesin fajësinë në asnjë prej pikave të aktakuzës për zotin Selimi. Duhet të shpallet i pafajshëm dhe nuk mund të flitet për masë dënimi. Megjithatë, nëse trupi gjykues arrin në masën e dënimit, pala do të flasë me kërkesën e jashtëzakonshme të Prokurorisë. ZPS kërkon 45 vjet për secilin të akuzuar dhe kërkon një masë dënimi të përbashkët duke trajtuar totalitetin e pretenduar të sjelljes si një justifikim. Kërkesa e Prokurorisë është joproporcionale dhe e paprecedent në rrethana të kësaj çështjeje që nuk është provuar”, tha Sheremeti.

“Një dënim 45-vjeçar, praktikisht është burgim i përjetshëm. Nuk është proporcionale”, shtoi ajo.

Avokati kryesor i Selimit, Geoffrey Roberts, e mori në fund fjalën për të përmbyllur deklaratat e mbrojtjes. Ai tha se trupi gjykues do të arrijë në përfundimin që klienti i tij është i pafajshëm nëse shikon tërësinë e provave.

“Selimi nuk ka qenë komandant. Nuk ka ushtruar asnjë përgjegjësi eprore në asnjë mënyrë dhe asnjë formë. Këtu përfshihet edhe autoriteti i pretenduar se Selimi ka qenë anëtar i këtyre strukturave, pavarësisht se ai që në fillim ka qenë një anëtar i njohur i UÇK-së”, tha Roberts.

Ai tha se pafajësia e Selimit mbështetet po ashtu në faktin që nuk kishte vartës dhe nuk kishte lidhje me kontroll efektiv, siç pretendon Prokuroria.

“Provat kundër tij janë kontradiktore, nuk kanë besueshmëri dhe janë të pabazuara. Veçmas pretendimet që ai ka marrë pjesë në ndonjë krim të pretenduar”, tha Roberts.

Rexhep Selimi, bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale si udhëheqës të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Për secilin nga ta prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim, nën pretendimin se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Trupi gjykues pritet të vendosë më së largu brenda 5 muajsh.