Ish-gardiani i burgut të Dubravës, Gavrillo Millosavleviq, do të rigjykohet për krimet e luftës, përfshirë vrasjen e të burgosurve. Gjykata e Apelit vlerësoi se, kur atë e ka liruar Themelorja, nuk ka vlerësuar në mënyrë të plotë provat dhe dëshmitë. Themelorja e kishte liruar Millosavleviqin edhe nga paraburgimi, e ai tani ka ndërruar adresë dhe nuk është paraqitur në seancën e Apelit. Avokati i tij refuzoi të tregojë për vendndodhjen
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim vendimin e Themelores, me të cilin e ka liruar nga akuza ish-gardianin e burgut të Dubravës, Gavrillo Millosavleviq, që është akuzuar për krime lufte.
Themelorja e pati liruar Millosavleviqin në qershor të vitit të kaluar. Por, Apeli ka konstatuar se provat dhe dëshmitë nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë në shkallë të parë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Gjykata e shkallës së parë nuk e ka shqyrtuar dhe gjykuar në tërësi objektin e akuzës, aktgjykimi nuk përmban arsye të mjaftueshme lidhur me faktet vendimtare, provat dhe dëshmitë nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse në raport me faktet vendimtare që kanë të bëjnë me identifikimin dhe veprimet e të akuzuarit Gavrillo Millosavleviq për kohën dhe vendin siç pretendohet në aktakuzë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Në ditën kur është shpallur aktgjykimi, Themelorja ka vendosur që Millosavleviq të lirohet edhe nga masa e paraburgimit. E në seancën e shkallës së dytë, ai nuk ishte i pranishëm në seancë.
Sipas gjykatës së Apelit, Millosavleviqit i është dërguar ftesë për seancë, por ka rezultuar se është shpërngulur nga adresa në Istog.
E avokati i tij, Dejan Vasiq, i pyetur lidhur me vendndodhjen e Millosavleviqit dhe se a do të jetë i pranishëm në rigjykim, nuk është përgjigjur konkretisht.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që të akuzuarit për krime lufte dhe vepra të tjera janë arratisur nga Kosova, pas lirimit në shkallë të parë.
Në vendimin e shkallës së dytë thuhet se dëshmitarët e kanë identifikuar të pandehurin, i cili në cilësinë e gardianit ka qenë i pranishëm në Burgun e Dubravës, gjatë vitit 1999.
“Gjykata e Apelit vëren se dëshmitë e dëshmitarëve B.Xh., E.H., K.B., N.K., N.H., A.R., S.Rr. etj, që kanë të bëjnë me identifikimin e të pandehurit me nofkën “Gagi”, praninë e tij në Burgun e Dubravës dhe përshkrimin e veprimeve konkrete gjatë ngjarjeve të majit 1999 si dhe rrethanat e përgjithshme të ngjarjeve në Burgun e Dubravës, praninë e personelit të armatosur si dhe zhvillimin e ngjarjeve të dhunshme, nuk janë analizuar në ndërlidhje me njëra-tjetrën dhe me provat e tjera materiale, çka ka rezultuar në një vlerësim të fragmentarizuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, Millosavleviq, në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë. Aktakuza e Prokurorisë Speciale e ngarkon atë për pjesëmarrje në vrasjen e 109 të burgosurve dhe në plagosjen e 108 të tjerëve.