Në rastin gjyqësor ku po gjykohen ish-udhëheqësit e UÇK-së, njërit nga dy dëshmitarët e mbrojtur, sipas prokurores, i është zhdukur vëllai që nga koha e luftës, kur ishte arrestuar nën dyshimet për bashkëpunim me okupatorin serb. E në seancën e pasdites ka filluar dëshminë dëshmitari i radhës i cili, sipas prezantimit të bërë nga prokuroria, vuan nga probleme shëndetësore si pasojë e keqtrajtimit në njërën nga shtabet lokale të UÇK-së
Dëshmitari i 51-të në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka dëshmuar lidhur me vëllain që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) thotë se është i zhdukur.
Në seancën e së martës, e cila shumicën e kohës ishte e mbyllur, prokurorja Vega Iodice ka prezantuar në pika të shkurtra se për çka do të dëshmonte dëshmitari i mbrojtur.
Iodice ka thënë se vëllai i dëshmitarit ishte arrestuar nga UÇK-ja nën dyshimin se ishte bashkëpunëtor i Serbisë.
“Dëshmitari (04446) mësoi nga një i afërm se i vëllai i tij ishte arrestuar nga UÇK-ja. Kur shkoi të kërkonte të vëllain, ushtarët e UÇK-së i thanë që të fliste me një komandant të UÇK-së i cili konfirmoi se vëllai i dëshmitarit ishte aty dhe se rasti i tij po hetohej, duke qenë se UÇK-ja besonte se ishte bashkëpunëtor i okupatorit”, tha prokurorja e ZPS-së, Vega Iodice.
Prokurorja Iodice ka thënë që në njërën prej vizitave të familjarëve tek i arrestuari kuptuan që ai është zhdukur dhe për fatin e tij nuk dihet ende.
Në seancës e pasdites me videolidhje ka filluar dëshminë dëshmitari i radhës që, sipas gjyqtarit Charles Smith, do të zgjasë rreth 6 orë.
Përmbajtja e dëshmisë së tij u prezantua shkurtimisht nga prokurorja Douina Hattabi.
“Rreth gushtit të 98-s dëshmitari me shifrën 04571, shqiptar nga Kosova, është arrestuar nga disa ushtarë të UÇK-së dhe është dërguar me autoveturë në një shtab lokal të UÇK-së, është marrë në pyetje nga anëtarë të UÇK-së përfshirë edhe të ndaluarit e tjerë dhe i është thënë ndër të tjera se ai duhet ta ndihmonte UÇK-në. Ai mbahej aty i ndaluar me të tjerët tek të cilët kishte shenja të rënda keqtrajtimi. Ai kishte shenja të rënda keqtrajtimi, dëshmitari ende vuan prej disa problemeve të caktuara si pasojë e këtij ndalimi”, tha prokurorja e ZPS-së, Douina Hattabi.
Edhe me këtë dëshmitar si dhe atë paraprak, pas një prezantimi të shkurtër të intervistave të dhëna për Zyrën e Prokurorit, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar në seancë private.