LAJMET E MBRËMJES

Nis rrënimi i tetë objekteve pa leje në Orllan

Tetë objekte pa leje në zonën e Orllanit kanë hyrë në proces të rrënimit. Gjatë ditës është rrënuar një objekt, kurse aksioni do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Zyrtarët komunalë kanë thënë se rrënimi po bëhet pasi lëndët kanë kaluar nëpër të gjitha instancat shtetërore, përfshirë edhe gjykatat. Pronarët e këtyre vilave nuk kanë dashur të deklarohen.

Pas raportimit të KOHËS për degradimin që u ishte bërë brigjeve të Liqenit të Batllavës, ku inspektorët kishin gjetur “formulën” për mosndalimin e ndërtimeve pa leje në këtë zonë, ka nisur rrënimi i tetë objekteve pa leje në zonën e dytë të mbrojtur në fshatin Orllan të Podujevës.

Zyrtarët komunalë kanë thënë se rrënimi po bëhet pasi lëndët për këto objekte kanë kaluar nëpër të gjitha instancat shtetërore, përfshirë edhe gjykatat.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka theksuar se këto tetë objekte janë të pesë pronarëve dhe tri janë në ndërtim, kurse pesë të tjera janë të banueshme.

“Janë zhvilluar të gjitha procedurat duke filluar nga ankesat e palëve në Komunën e Podujevës, në drejtim të Ministrisë së Mjedisit dhe në gjykatë, ku të gjitha këto instanca shtetërore i kanë konsideruar si të pabazuara këto ankesa andaj edhe Drejtoria e Inspeksionit duke u bazuar në to ka vepruar duke bërë rrënimin e këtyre vilave. Ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me qëllim që të vendoset ligjshmëria në këtë zonë, e cila edhe është zonë e mbrojtur”, ka thënë Zhitia.

Pronarët të cilët po e vëzhgonin aksionin e Inspektoratit Komunal nuk kanë dashur të deklarohen para mediave.

Aksioni ka qenë i planifikuar të fillojë të hënën, por për shkak të situatës në Mitrovicën e veriut Policia kishte kërkuar nga Komuna që ta shtyjë për pak ditë.

Zyrtarët komunalë kanë thënë se ka edhe ndërtime të tjera që janë ndërtuar pa leje në zonën e Orllanit.

“Në zonën e Orllanit janë gjithsej 59 vila apo objekte pa leje, të cilat janë në faza të ndryshme dhe pasi që të sheren të gjitha mundësitë do të merren masa ligjore karshi secilës prej tyre, e cila nuk ka mundësi që të pajiset me leje apo ndonjë formë tjetër”, ka thënë Zhitia.

KOHA kishte raportuar më herët se inspektorë të Komunës, Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë së Pyjeve kishin gjetur “formulën” për mosndalimin e ndërtimeve në këtë zonë.

Çështja e ndërtimeve pa leje ishte bërë mollë sherri ndërmjet zyrtarëve komunalë të Podujevës. Ish-drejtori i Inspektoratit, Besnik Mulliqi, pasi ishte shkarkuar e kishte akuzuar kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqi, se e kishte penguar të zbatojë ligjin lidhur me ndërtimet pa leje, veçanërisht atyre në Orllan. Kurse Bulliqi kishte thënë se Mulliqin e kishte shkarkuar pikërisht për sabotim të punës lidhur me ndërtimet pa leje.