Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Aivo Orav, ka shfaqur shpresën që Kosova sa më shpejt që është e mundur të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Këtë ai e ka shprehur gjatë shënimit të Ditës së Evropës në Prishtinë, ku janë organizuar një numër aktivitetesh
Pasionin dhe dëshirën për t’i shërbyer shtetit si ushtar, Jon Maliqaj i tregon duke i provuar uniformat e ushtrisë dhe të policisë, të cilat janë prezantuar të premten në Panairin e Evropës, të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës.
Ndër aktivitetet e shumta në kryeqytet, për Jonin ky i EULEX-it është më i veçanti.
“Ka shumë gjëra të bukura këtu, sidomos këto pajisjet ushtarake dhe policore. Më bëjnë përshtypje, sepse unë babanë e kam pasur ushtar në luftë, si i ri, shumë i ri, 17 vjet. Edhe unë kam qejf të bëhem ushtar nëse ndodh ndonjë gjë, ishalla nuk bëhet kurrë, por nëse bohet ndonjë gjë edhe unë kam qejf të bëhem sikur babai im”, është shprehur ai.
Panairi i Ekipit të Evropës, me stenda të shteteve anëtare të BE-së, dhe Karvani i Ditës së Evropës me aktivitete për fëmijë, organizuar nga Zyra e BE-së, ka mbledhur fëmijë nga mbarë Kosova. Ata janë sfiduar me pyetje dhe janë nxitur që të mësojnë më shumë për BE-në.
Për prindërit, këto aktivitete janë të rëndësishme ashtu që fëmijët e tyre të njihen më nga afër me vendet e BE-së dhe me integrimin evropian.
“Zakonisht po mësojnë edhe nëpër shkolla dhe çerdhe, por është mirë që fëmijët tanë me ditë për integrimin tonë në Evropë”, ka thënë qytetarja Rineta Krasniqi.
Pjesëmarrja e nipit dhe e mbesës në këto aktivitete e ka sjellë Luan Çekun në këtë atmosferë festive, ndonëse për të 9 Maji është ditë e zakonshme.
“Është një ditë e rëndomtë, por që ka mbetë si traditë. Ishalla kjo do të tregojë në të ardhmen që ne kosovarët jemi në rrugë të mirë për inkuadrim në Bashkësinë Evropiane”, ka thënë ai.
Në aktivitete ka marrë pjesë edhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Aivo Orav. Ai ka shfaqur shpresën që Kosova ta nisë rrugën e anëtarësimit në bllokun evropian.
“Kur shohim prapa, e shohim se Bashkimi Evropian ka qenë projekti më i rëndësishëm i paqes ndonjëherë. Asnjëherë nuk ka pasur luftëra midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Nëse mua më lejohet të ëndërroj së bashku me ju, atëherë ëndrra ime është që ky projekt i paqes të vazhdojë. Dhe unë sinqerisht shpresoj që Kosova do të jetë me ne në Bashkimin Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Orav.
9 Maji shënohet si Dita e Evropës që prej 75 vjetësh, kur kryediplomati i atëhershëm i Francës, Robert Schuman, ka propozuar krijimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, projekt që i ka paraprirë krijimit të Bashkimit Evropian.