LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Partneriteti nuk mund t’u jepet atyre që kryejnë agresion ndaj fqinjëve

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, presidentja Vjosa Osmani u ka dhënë mesazh ndërkombëtarëve për sjelljen në raport me Serbinë. Ajo ka thënë të premten se partneriteti nuk mund t’u ofrohet atyre që kryejnë agresion ndaj fqinjëve. E, komandanti i deritashëm i KFOR-it, Enrico Barduani, ka deklaruar se ka ende shqetësime në lidhje me qëndrueshmërinë e sigurisë në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje të premten për vendosmëri ndërkombëtare ndaj atyre që synojnë ta destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. 

Para trupave shumëkombëshe, në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, ajo ka thënë se ende ka përpjekje për të zhbërë gjithçka që është arritur në Kosovë dhe për ta kthyer vendin prapa në të shkuarën.

“Për ta, përgjigjja jonë duhet të jetë e vendosur. Përkëdhelja e diktatorëve dhe e autokratëve nuk mund të jetë përgjigje, siç e ka dëshmuar edhe historia herë pas here. Partneriteti nuk mund t’u jepet atyre që kryejnë agresion ndaj fqinjëve. Vetëm përmes qëndrueshmërisë dhe qartësisë mund të mbrojmë paqen, stabilitetin dhe të ardhmen që të gjithë kërkojmë”, ka thënë ajo.

Thirrje të ngjashme por drejtuar kryesisht Bashkimit Evropian (BE), presidentja Osmani ka bërë një ditë më parë edhe në Danimarkë, ku ka marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian. Nga Kopenhaga, ajo ka thënë se Serbia, si satelit i Rusisë në Ballkanin Perëndimor, nuk duhet të përkëdhelet nga BE-ja dhe se Serbia dhe Rusia paraqesin kërcënim për Kosovën. 

“Për Bashkimin Evropian dua të them se historia tregon se përkëdhelja e diktatorëve e autokratëve kurrë nuk çon te paqja e qëndrueshme. Fatkeqësisht përkëdhelja e diktatorëve historikisht ka çuar në inkurajimin e tyre për të përdorur më shumë dhunë kështu që thirrja jonë është që të jenë shumë të kujdesshëm se si sateliti i Rusisë në rajonin tonë trajtohet dhe të mos lejohen që ta vazhdojnë dhunën”, ka thënë Osmani të enjten.

E të premten, komandanti i deritanishëm i KFOR-it, Enrico Barduani, ka deklaruar se ka ende shqetësime në lidhje me qëndrueshmërinë e sigurisë në Kosovë, shkaku i raporteve të pazgjidhura me Serbinë. 

“Ekzistojnë ende shqetësime për qëndrueshmërinë e sigurisë, për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura, dhe kjo është arsyeja pse roli i KFOR-it mbetet ende kritik, dhe pse është thelbësore që KFOR-i të shihet si pjesë integrale e angazhimit të vazhdueshëm të komunitetit ndërkombëtar”, është shprehur Barduani.

Komandanti italian, i cili të premten ia ka kaluar udhëheqjen e KFOR-it gjeneralmajorit turk, Ozkan Ulutas, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të bëjnë kompromise.

“Nëse e shohim skenarin e sigurisë ndërkombëtare sot, jam i bindur se tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për udhëheqje politike për të ndjekur zgjidhje afatgjata për shumë çështje të pazgjidhura që ende prekin Kosovën dhe rajonin”, ka theksuar ai.

E, komandanti i rikthyer në detyrë si udhëheqës i KFOR-it, Ozkan Ulutas, ka treguar se cili do të jetë prioritet i tij. 

“Të siguroj që misioni i KFOR-it do ta ruajë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe të garantojë lirinë e lëvizjes për komunitetin ndërkombëtar”, ka deklaruar ai.

Në këtë ceremoni të misionit të NATO-s, presidentja Osmani ka ritheksuar se aspiratë e Kosovës është anëtarësimi në Aleancën Veriatlantike, krah së cilës ka thënë se është rreshtuar gjithherë. 

“Në kohë kur kërcënimet ndaj paqes po shtohen, Aleanca është më e fortë kur qëndron pranë partnerëve që vërtet kanë dëshmuar përkushtimin e tyre. Kosova e ka bërë këtë vazhdimisht – përmes qëndrueshmërisë sonë, reformave tona dhe vendosmërisë së popullit tonë”, ka thënë Osmani.

Ulutas e ka drejtuar misionin e NATO-s në Kosovë edhe një vit më parë, para se udhëheqjen t’ia dorëzonte komandantit të deritanishëm të KFOR-it, italianit Enrico Barduani.