LAJMET E MBRËMJES

Pas dështimit të seancave, presidentja Osmani nis konsultimet me partitë

Në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin institucional pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, presidentja Vjosa Osmani do të nisë të enjten konsultime me partitë parlamentare. Procesi i konstituimit të Kuvendit ka mbetur pezull për shkak të mungesës së dakordimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit, ndërsa qëndrimet e partive mbeten të njëjta edhe në prag të vazhdimit të 15-të të seancës konsitutive

Presidentja Vjosa Osmani, do të nisë takimet me partitë parlamentare në funksion të zhbllokimit të ngërçit rreth konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit, kanë njoftuar të hënën nga Zyra e presidencës. Ftesat u dërguan një ditë para vazhdimit të 15-të të seancës konstituive. 

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, u tha nga Presidenca. 

Procesi i konstituimit ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit, ku në disa seanca partia fituese përmes kryesuesit Avni Dehari po kërkon ndryshimin e procedurës së votimit - nga i hapur në të mbyllur. Kjo është kundërshtuar nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. 

Partia Demokratike është shprehur e gatshme të marrë pjesë në konsultat e iniciuara nga presidentja Osmani. Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka thënë se kryetari i partisë Memli Krasniqi do të shkojë në takim, tek shtoi se “Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë”. 

“Po, kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja. Kryetari Krasniqi do të marrë pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë. Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë”, tha Abdullahu.  

Pro konsultave me presidenten janë deklaruar më herët edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike, Aleancës dhe Nismës Socialdemokrate. 

E për ftesën e presidentes Vjosa Osmani për një takim me krerët e partive lidhur me çështjen, deputeti i Listës Guxo, pjesë e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Faton Peci, ka thënë të dielën se është e rëndësishme të shihet përmbajtja e ftesës. Pas dështimit të 14-të ai deklaroi se në asnjë moment nuk ka thënë se presidentja Osmani bën ftesa koti. 

“S’kam dilemë, kur ta shohim ftesën do të ketë përgjigje adekuate”, tha Peci.  

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka mirëpritur ftesën e Presidentes Osmani, si një hap të duhur drejt zhbllokimit të ngërçit aktual dhe përmbushjes së detyrimit të saj për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve.

“KDI-ja rikujton se ka kërkuar ndërmarrjen e një iniciative të tillë më shumë se dy javë më parë, duke theksuar se seancat e përsëritura të Kuvendit, pa marrëveshje politike dhe pa progres real, po dëmtojnë dhe pamundësojnë konstituimin e institucioneve. Në këtë fazë kritike, kur vendi ndodhet në një ngërç institucional që po minon funksionimin demokratik, inkurajojmë të gjitha partitë politike të marrin pjesë në këtë takim, në mënyrë që ai të shërbejë si një mundësi për të nxitur dialogun politik e ndërpartiak – si domosdoshmëri për tejkalimin e situatës aktuale. Njëkohësisht, u kërkojmë partive politike që pjesëmarrja në këtë takim të mos jetë simbolike, por shprehje e një përgjegjësie konkrete për t’i shërbyer funksionalizimit të institucioneve”, u tha nga KDI. 

Vazhdimi i pesëmbëdhjetë i seancës konstituive do të mbahet të martën në orën 10:00.