Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Dekreti i Osmanit rrit dozën e përplasjeve mes pushtetit dhe opozitës

Kuvendi i Kosoves

Foto: Driton Paçarada

Në Partinë Demokratike të Kosovës e kanë vlerësuar kushtetues dekretin e nxjerrë nga presidentja Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin e Kosovës. Ata thanë se Vetëvendosje po e keqinterpreton Kushtetutën për të prodhuar kriza institucionale. Por, njohës të rrethanave juridike vlerësojnë se Osmani veproi në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të shtetit.

Dekreti i presidentes Vjosa Osmani për t’i dhënë fund legjislaturës së 10-të është në përputhje me Kushtetutën, kanë thënë në Partinë Demokratike të Kosovës.

Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, tha se shpërndarja e Kuvendit është pasojë e drejtpërdrejtë kushtetuese kur ky organ dështon ta zgjedhë presidentin brenda afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në konferencën për media, Gruda tha se nëse nënkuptohet se shpërndarja e Kuvendit ndodh vetëm pas dështimit të votimit të tretë për presidentin, atëherë Kuvendi mund të mos thërrasë kurrë seancë dhe ta zgjasë afatin përtej parashikimeve kushtetuese, duke mos aktivizuar as afatin 30 ditësh as atë 60 ditësh.

“Afati 60-ditor shërben kryesisht për situata kur posti i presidentit mbetet vakant, në situata kur ai jep dorëheqje, shkarkohet ose vdes. Në këto raste nuk mund të zbatohet afati prej 30 ditësh i nenit 86 sepse ai lidhet me përfundimin e rregullt të mandatit të presidentit aktual”, ka thënë Gruda.

Por, ndryshe nga PDK-ja, Flamur Hyseni, profesor i teorisë së shtetit dhe së drejtës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës vlerëson se dekreti është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Vetëvendosje ka kohë edhe dy muaj për ta zgjedhur presidentin e për t’i shmangur zgjedhjet.

“Pikërisht neni 82, paragrafi 1, nënparagrafi 3 ofron sigurinë juridike dhe institucionale dhe shprehimisht përcakton se Kuvendi e humb aftësinë e tij vepruese: “nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes nuk zgjidhet presidenti i Republikës së Kosovës”. Pra, saktësisht përcaktohet se kur dhe në cilat rrethana mund të shpërndahet Kuvendi. Ky kusht ende nuk është plotësuar. Ka kohë deri në ditën e gjashtëdhjetë pas datës 5 mars”, ka shkruar Hyseni.

Antikushtetues dekretin e presidentes e ka vlerësuar edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

“Kjo që ka bërë zonja Osmani, është përpjekje për ndryshim të formës së pushtetit shtetëror dhe shndërrim të sistemit kushtetues nga parlamentar në sistem presidencial. Në sistemet presidenciale dhe gjysmëpresidenciale, presidenti ka të drejtë ta shpërndajë parlamentin. Ndërkaq, në sistemet parlamentare, siç e ka Kosova, kjo nuk ndodh. Parlamenti shpërndahet vetëm atëherë kur ka mocion mosbesimi, ose kur ai e shpërndan vetveten, si dhe kur nuk mund të formohen me rrugë kushtetuese organet qendrore të pushtetit, të cilat legjitimohen nga parlamenti”, ka thënë të premten Hasani në intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Dy partitë më të mëdha në vend janë përplasur edhe për pamundësinë e arritjes së “konsensusit” për presidentin e ri.

Në konferencën e Partisë Demokratike, Lëvizja Vetëvendosje u akuzua se është përgjegjëse për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme dhe për krijimin e një krize të re politike.

“Kur nuk i ke votat, kërkon marrëveshje, kërkon kompromis, kërkon konsensus. Por kur refuzon marrëveshjen dhe insiston vetëm në kandidatë partiakë, mesazhi është i qartë: problemi nuk është presidenti, por dëshira për të kontrolluar çdo institucion të shtetit. Dëshira për t’i nënshtruar të gjithë akterët e tjerë politikë ndaj një mentaliteti autoritar”, ka thënë Arian Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

E zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, tha se në takimet me PDK-në për marrëveshjen për presidentin, ky subjekt nuk u ankua në emrin e Glauk Konjufcës për president.

“Bedri Hamzën e ftoi KM Kurti dy herë në takim dhe kanë komunikim normal e të mirë. Hamza asnjëherë s’ia ka thënë Kurtit që ka ndonjë problem me Glauk Konjufcën si personalitet, e të cilin LVV e kandidoi krejt n’fund të afatit për president në pritje të ndonjë marrëveshje me opozitën”, ka shkruar Manxhuka.

Për shkak të moszgjedhjes së kryetarit të shtetit deri më 5 mars, presidentja e ka shpërndarë Kuvendin dhe i ka konsultuar shumicën e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Krerët e partive politike në Kosovë janë takuar disa herë në ditët e fundit në përpjekje për të arritur deri te një figurë konsensuale për president, mirëpo nuk është arritur asgjë.

Vetë kryeministri Albin Kurti në konferencën e mbajtur të premten ka folur për rrjedhën e takimeve që pati me liderët e dy partive opozitare për çështjen e presidentit.

“Me kryetarin Hamza jam takuar dy herë, me kryetarin Abdixhiku jam takuar tri herë. Më vjen keq që nuk jemi takuar në tri ditët e fundit. Pra që nga pardje, nuk pranonin që të takoheshim më. Unë u thashë që nuk ka ndonjë gjë të keq ose ndonjë dëm nëse takohemi. Por unë i falënderoj edhe për një gjë tjetër, se edhe kur nuk jemi takuar, kemi komunikuar me njëri-tjetrin me telefon... Por, atmosfera e mirë nuk garanton marrëveshje, nuk sjell hapa konkretë dhe ky është realiteti në të cilin jetojmë ne sot. Asnjërën prej asnjërit prej tyre nuk m’u tha asnjë emër për president. Presidenti/ ja, është emër i përveçëm. Pra si të ecim përpara nëse askush nuk thotë asnjë emër”, ka treguar Kurti. 

Kurti ka përmendur emrin e Murat Jasharit, për të cilin ka thënë se do të merrte mbështetje rekorde, e edhe për Andin Hotin, emri i të cilit sipas tij nuk u përkrah nga Hamza dhe Abdixhiku. 

“Dhe kur s’më dhanë emra thashë hajt ta provoj t’ju jap unë ndonjë emër. Iu thashë Andin Hoti. Andin Ukshin Hoti. Duke pasur parasysh prej familjes që vjen. Ukshin Hoti është unik. Për nga filozofia politike ne nuk kemi një mendje tjetër të ngjashme jo vetëm në Kosovë, por mbarë kombin shqiptar që nga Lufta e Dytë Botërore e këtej. Andaj, Andin Ukshin Hoti ishte një propozim i yni që së paku të fillojmë të diskutojmë. Nuk u pranua dhe jo vetëm që nuk u pranua, por nuk u pranua as të kemi takime më tej që të flasim për emra të tjerë. Mirë, nëse nuk bën Andin Hoti, më thuaj një emër tjetër. Nuk m’u tha asnjëherë. M’u kërkua vetëm të nënshkruaj unë chek bllanko aty marrëveshje pa emra, por me zotim absolut. Më vjen keq, por nuk është e mundur. Me gjithë vullnetin tim që të ecim përpara, por kjo nuk është rrugë e mundshme”, ka thënë Kurti. 

Sipas liderit të LVV-së, ndërsa nuk kishte emra nga opozita, afrohej afati për dorëzimin e propozimeve.

“Kur u pa që është e pamundur të marr ndonjë emër, qoftë prej kryetarit Bedri Hamza, qoftë prej kryetarit Lumir Abdixhiku, vetëm atëherë ne kemi nxjerrë emra. Unë kam pritur të më japin ata emra. Nuk m’u dhanë emra. President pa emër nuk ka. President anonim s’është e mundur. Edhe tash ndodhemi në situatën në të cilën pa çka se unë i takova kryetarët e dy partive opozitare për 12 ditë, më shumë e më shpesh, komunikova më dendur e më intensivisht se në 12 vjet e fundit, megjithatë konstruktiviteti dhe korrektësia nuk prodhuan marrëveshje. Andaj, konsiderojmë që i kemi 60 ditë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që ta bëjmë një zgjidhje e të mos kemi zgjedhje. Ta bëjmë një zgjidhje të re, që të mos kemi zgjedhje të përsëritur”.

Të enjten pak para mesnatës, shumica parlamentare tentoi ta zgjedhë presidentin, duke propozuar dy kandidatë. Ndonëse pati kuorum për formim të Komisionit e nisjen e procedurave, seanca u ndërpre, meqë opozita nuk erdhi në seancë duke pamundësuar nisjen procesi i votimit.