LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja dhe Lista Serbe e kontestojnë konstituimin. VV-ja e përjashton bashkëpunimin me to për Qeveri

Konstituimi i Kuvendit i hap rrugën rrjedhjes së afatit për zgjedhjen e Qeverisë së re. Në këtë funksion, partia që e para e merr të drejtën për ta tentuar formimin e Ekzekutivit është Lëvizja Vetëvendosje. Në këtë parti janë shprehur të hapur për diskutime me të gjitha subjektet e tjera, pos me Partinë Demokratike dhe me Listën Serbe

Në Partinë Demokratike dhe në Listën Serbe e kanë kontestuar konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Pas përmbylljes së seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ngriti dyshime për mënyrën e votimit të Nenad Rashiqit, për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

“Nuk jam i sigurt, sepse këtu nuk pati as short. Unë mendoj se ka pasur hapësirë tjetër për konstituim legal apo kushtetues. E pashë që kryetari i Kuvendit mundohej të konsultohej me ata që i japin instrukcione, sesa të bëjë një interpretim për konstituim apo jo”, u shpreh Krasniqi.

E deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, paralajmëroi se për mënyrën e konstituimit të Kuvendit do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese.

“Lista Serbe do të ankohet ndaj këtij vendimi të Kuvendit. Ne e kemi shqyrtuar ligjin edhe para disa kohe, kur kemi thënë se Kuvendi nuk është i konstituuar, ndërsa ata e festuan konstituimin gjithashtu kundërligjshëm”, tha Simiq.

Konstituimi i Kuvendit i ka hapur rrugë nisjes së rrjedhjes së afatit për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Por deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, paralajmëroi që në rast se qeveria e re nuk votohet, atëherë deputetë të partisë së saj do të votojë për shpërndarjen e Kuvendit. E në PDK folën për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Në qoftë se nuk do të formohet qeveria, natyrisht që votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jenë për shpërbërje të Kuvendit, sepse nuk mund të mbajmë peng institucionet”, deklaroi Bajrami.

“Duke pasur parasysh afatet e tjera, skadimin e afatit të presidentes dhe obligimin për ta zgjedhur presidentin deri më 4 mars, nuk ma merr mendja se ka hapësirë për ta zgjedhur një qeveri disamujore”, tha Memli Krasniqi.

Në funksion të formimit të qeverisë së re, të hapur për bashkëpunim me LDK-në, por jo edhe me PDK-në e me Listën Serbe u deklaruan përfaqësues të Vetëvendosjes.

Tek komentoi mbi pretendimet rreth shpërndarjes së Kuvendit, nënkryetarja Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse ky ka qenë qëllimi i partive deri tash në opozitë, atëherë ka pasur kuptim që të vazhdohet me bllokadën.

“Jemi të gatshëm që të vazhdojmë me qeverinë apo të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por, këto qëndrime është dashur që të na i thonë me kohë”, tha Haxhiu.

Sipas Kushtetutës, presidenti në konsultim me partinë ose koalicionin që ka shumicën në Kuvend, e mandaton kandidatin për kryeministër. Ai ka kohë 15 ditë që ta paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe ta kërkojë miratimin nga Kuvendi. Për t’u votuar me sukses, kandidatin për kryeministër dhe qeveria e tij duhet t’i sigurojnë së paku 61 vota për.