LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja e VV-ja refuzojnë qeverinë e unitetit, LDK-ja s’e sheh Kurtin kryeministër unifikues

Kërkesa e LDK-së për unitet mes spektrit politik për formimin e një qeverie afatshkurtër është refuzuar nga VV-ja e PDK-ja. Në Vetëvendosje thanë se unitet duhet për shtetin e jo për pushtetin, e në PDK thanë se nuk mund të ketë qeveri uniteti pa Lëvizjen Vetëvendosje

Kërkesa për unitet në formimin e një qeverie, në të cilën do të kishin hise të gjithë, nuk ka bindur përfaqësuesit e partive politike. Dy partitë më të mëdha për nga përfaqësimi në Kuvend, LVV-ja dhe PDK-ja kanë refuzuar propozimin e LDK-së për qeveri të unitetit.

Propozimi i LDK-së parasheh që postet në këtë qeveri do të ndaheshin në mënyrë proporcionale sipas fuqisë politike, me mandat deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Ky subjekt që fton për unitet, nuk e dëshiron Albin Kurtin, kryetarin e partisë fituese, drejtues të kësaj qeverie. 

Sipas deputetit Besian Mustafa, në krye do të duhej të ishte një “figurë e unitetit”. 

“LDK-ja qeverinë e unitetit nuk insiston që ta udhëheq. Nuk kemi emër të përveçëm për të, por natyra e saj, një qeveri e unitetit insiston, na obligon që të gjejmë një figurë të unitetit, një figurë që na bashkon të gjithë spektrin politik për të udhëhequr këtë qeveri”, ka thënë Mustafa.

Me gjithë refuzimin, Mustafa ka thënë se janë duke tentuar që të bindin spektrin politik, se propozimi i tyre është opsioni më i mirë në rrethanat aktuale.

Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë thënë se për të formuar qeverinë, LDK-ja duhet fillimisht t’i fitojë zgjedhjet. Sipas deputetes Donika Gërvalla, LDK-ja duhet të përgjigjet se pse dëshiron të jetë pjesë e një qeverie ku është pjesë VV-ja, derisa refuzon bashkëpunimin me të. 

“Në këto ditë kur fjala unitet është e përsëritur dhe e stërpërsëritur më lejoni t’ju them që kemi nevojë për unitet për shtet dhe jo për unitet për pushtet. Uniteti për shtet demonstrohet duke konstituuar Kuvendin e jo duke bllokuar konstituimin e Kuvendit, i cili i pamundëson edhe të gjitha procedurat e tjera vijuese”, ka thënë ajo.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nuk ka çfarë të diskutohet për një qeveri të tillë, pasi partia me më së shumti deputetë ka refuzuar të jetë pjesë e saj. 

“Qeveritë e tilla nënkuptojnë që duhet me qenë të gjithë bashkë dhe LVV-ja me numrin ma të madh të deputetëve e ka refuzuar qysh në start, kështu që besoj që s`kemi çka diskutojmë tutje për këtë çështje”, është shprehur Krasniqi. 

Refuzimi i propozimit të LDK-së, sipas deputetit Besian Mustafa është insistim në vazhdimin e bllokadës. 

“Refuzimi i idesë për qeverinë e unitetit pa ofruar një zgjidhje tjetër, fatkeqësisht është insistim në vazhdimin e kësaj bllokade 48-orëshe dhe kjo bllokadë fatkeqësisht do e çonte vendin në zgjedhje të parakohshme të reja, ose thënë ndryshe ripërsëritje të zgjedhjeve parlamentare. E ripërsëritja e zgjedhjeve është gjëja e fundit që i duhet Kosovës”.

Propozimi i Lidhjes Demokratike është mirëpritur nga Nisma Socialdemokrate. Deputetja Xhevahire Izmaku ka thënë se figura që do të unifikonte të gjitha partitë politike do të ishte kryetari i Nismës, Fatmir Limaj. 

“Po pres me pa diçka ma serioze në këtë drejtim, vetë fakti që është diçka më ndryshe unë e vlerësoj dhe pres me pas një ndryshim... Absolutisht po, është Fatmir Limaj”, ka thënë ajo. 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, një ditë më parë iu ka bërë sërish thirrje liderëve partiakë që të shqyrtojnë propozimin e tij. E ndonëse nuk ka marrë përgjigje pozitive nga ta, Abdixhiku ka paralajmëruar se do të prezantojë agjendën 15-pikëshe të qeverisë së unitetit.

Të dielën, ai ka shkruar në rrjetin social “Facebook” se beson që mund të ulet me liderët e VV-së, PDK-së, AAK-së e Nismës për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. “Pas finalizimit të konsultimeve të brendshme, do të dal me një agjendë 15 pikëshe – një platformë konkrete bashkëpunimi për Qeverinë e Unitetit, të cilën do t’ua ofrojë të gjitha partive politike, pa përjashtim. Shpresoj që të kuptohet qartë: uniteti sot nuk është luks – është domosdoshmëri.  Po, Kosovës i duhet një opozitë. Po, Kosovës i duhet një balanc demokratik. Por para dyjave, Kosovës i duhet një pozitë. Një qeveri legjitime, një Kuvend funksional, një shtet që punon - tek më pas një opozitë që kritikon”, ka shkruar ai.

Të hënën ka dështuar tentimi i 29-të për konstituimin e Kuvendit. Seanca do të vazhdojë të mërkurën.