LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja përsërit thirrjet për zgjedhje: Qeveria e karakterizuar me afera të shumta korruptive

Partia Demokratike e Kosovës ka përsëritur thirrjet për zgjedhje. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se Qeveria Kurti 2 është karakterizuar me “afera e skandale të shumta korruptive”. Tha se arrestimi i ish-kryeshefit për KRU Gjakovës dhe ish-kandidatit të LVV-së për asamblist në Bullgari me kërkesë të Interpolit është tregues që Kosova është peng i një qeverisjeje korruptive dhe që i prish raportet me aleatët.

Arrestimi i Hasan Krasniqit, kryeshefit të ndërmarrjes KRU Gjakova në Bullgari para disa ditësh nën dyshim për trafikim me njerëz ka bërë që të rikthehen akuzat për korrupsion ndaj partisë në pushtet.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka deklaruar se Krasniqi u emëruar kundërligjshëm.

Ndonëse emërimin e kryeshefave e bëjnë bordet e ndërmarrjeve, Deliu-Kodra e ka akuzuar Qeverinë për sjellje korruptive, meqë tha se Krasniqi, ish-kandidat i LVV-së për asamblist në Gjakovë, e nuk e ka kaluar kohën që ligji ia kërkon për të qenë jashtë politikës para se të bëhej kryeshef i ndërmarrjes publike.

“Zgjedhja e tij si kryeshef ka qenë në kundërshtim me ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi që i njëjti parasheh që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit. Ndërsa, tani, ai është edhe i dyshuar për vepra të tjera penale...”, ka thënë ajo.

Deliu-Kodra ka përmendur disa nga zyrtarët e Vetëvendosjes të cilët tha se “kanë zënë ballinat mediale me skandale dhe afera”.

Ajo po ashtu ka përmendur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të cilin e ka quajtur “kupola e gjithë këtyre keqpërdorimeve”.

“Pa dyshim kupola e të gjitha këtyre keqpërdorimeve është ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, miku dhe zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Martin Berishaj. Ambasadori Berishaj siç e dini është përfshirë në një skandal të madh rajonal financiar në tregtimin me energji elektrike, i cili dyshohet se peshon me miliona euro, ndërsa vetë ambasadori Berishaj dyshohet se ka përfituar 600.000 euro nga filiali i kompanisë GEN-i me seli në Beograd”, ka shtuar ajo.

Deliu-Kodra u shpreh se janë bërë tetë muaj qëkur Kosova edhe zyrtarisht është nën masa ndëshkuese të Komisionit Evropian dhe se qindra miliona euro investime janë bllokuar shkaku i kësaj.

Në këtë konferencë për media, PDK-ja e ka përsëritur kërkesën drejtuar pushtetit për ta shpërndarë Kuvendin, në mënyrë që të organizohen zgjedhje të parakohshme.