LAJMET E MBRËMJES

PDK: Politikat e Qeverisë Kurti rrezikojnë sigurinë kombëtare

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kritikuar Qeverinë që drejtohet nga Albin Kurti për mungesën e vizionit për sigurinë kombëtare dhe të mbrojtjes. Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në Kabinetin për Qeverisje të mirë të PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka thënë në një konferencë për media se ekzekutivi nuk ia ka dhënë përgjigjen e duhur kërcënimeve serbe e luftës hibride ruse.

“Qeveria ka dështuar vazhdimisht të përgjigjet në mënyrë efektive ndaj provokimeve dhe kërcënimeve serbe, t’i kundërvihet luftës hibride ruse dhe të menaxhojë çështjet e sigurisë së brendshme, duke përfshirë integrimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, rritjen e qëndrueshmërisë kombëtare dhe përmirësimin e menaxhimit të emergjencave dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm, në raste të katastrofave natyrore”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

Kabashi-Ramaj ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhimin dhe tendencat populiste, e për të cilat theksoi se përbëjnë shqetësim dhe kërcënim për sigurinë kombëtare. Ajo ka rekomanduar rishikimin e Projektligjit për Këshillin e Sigurisë pasi, sipas saj, versioni aktual i jep kryeministrit kontroll të tepruar.

“Iniciativat legjislative si Projektligji për Inteligjencën Ushtarake dhe Projektligji i Këshillit të Sigurisë Kombëtare shfaq të meta të rëndësishme duke treguar një mospërfillje të strukturave ekzistuese dhe një qasje alarmante për shpërbërjen e institucioneve tashmë ekzistuese dhe rindërtimin nga e para sikur sot Kosova po fillon të eksitojë si shtet”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

Ajo ka theksuar se Partia Demokratike synon të zhvillojë një platformë largpamëse të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes, për një periudhë prej 10 deri në 20 vjetësh. (koha.net)