LAJMET E MBRËMJES

Përvjetori i 18-të i Pavarësisë bën bashkë në Prishtinë liderët e Kosovës e Shqipërisë

Albin Kurti Edi Rama

Foto: Driton Paçarada

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e kryeministri Edi Rama kanë qëndruar të hënën në Kosovë, një ditë para shënimit të përvjetorit të 18-të të Pavarësisë. Kryeministri Rama, që vizitën në Prishtinë e nisi më herët, u prit nga presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti. Mes krerëve të Kosovës e Shqipërisë u diskutua për marrëdhëniet ndërshtetërore.

Liderët e Kosovës e të Shqipërisë janë bërë bashkë në prag të shënimit të përvjetorit të 18-të të Pavarësisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pritur të hënën nga presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.

Marrëdhëniet ndërshtetërore është thënë se kanë qenë kryefjala e takimeve të liderëve shtetërorë me kryeministrin Rama.

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, në takimin Osmani-Rama është diskutuar edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme.

“Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin. Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike”, u tha në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Homologun e tij nga Shqipëria me ceremoni shtetërore e priti kryeministri Kurti.

Konferencë nga ta nuk pati, por për takimin nga Zyra e Kryeministrit u tha se marrëdhëniet ndërshtetërore, marrëveshjet ndërqeveritare e projektet infrastrukturore ishin ndër temat kryesore të diskutimit.

“Kryeministri Rama uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe për formimin e Qeverisë, për çka kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij dhe vullnetin e Qeverisë që drejton për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shërbim të qytetarëve dhe mbarë kombit”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Përveç Ramës, për përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë do të qëndrojë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.