LAJMET E MBRËMJES

Punëtorë të katër sindikatave të sektorit privat të pakënaqur me pagat

Përfaqësues sindikalë të punonjësve teknikë të Komunës së Prishtinës, të Qendrës së Studentëve, të Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe të sigurimit të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës kanë paralajmëruar greva e protesta pas 8 nëntorit. Ata kërkojnë që pagat të rriten në 450 euro. Aktualisht marrin mes 230 e 290 euro

Katër sindikata të sektorit privat kanë paralajmëruar greva dhe protesta për shkak të pagave të ulëta. Vendimin për këto masa pritet ta marrin më 8 nëntor, kanë njoftuar përfaqësuesit sindikalë në një mbledhje të mbajtur të hënën.

Punëtorët teknikë të Komunës së Prishtinës, të Qendrës së Studentëve, të Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe të sigurimit të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës marrin pagë prej 230 deri në 290 euro në muaj. Kërkesë e tyre është që ajo të rritet në 450.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, la të hapur mundësinë që këta punëtorë të akomodohen nëpër kompani të tjera private.

“Nëse do dikush që t’i ketë shërbimet tona, atëherë duhet të ofrojë pagë minimumi 450 euro, nëse nuk e ofrojnë këtë pagë atëherë ekziston opsioni që në mënyrë gjenerale t’i lëshojnë vendet e tyre të punës duke marrë obligim sindikata që të gjithë punëtorët i lëshojnë vendet e punës nëpër këto institucione që i përmendëm që t’i transferojmë në ndonjë kompani tjetër, për të cilët unë kam ofertë që mbi 500 punëtorë tu ofrojmë këto paga”, tha Azemi.

E Arsim Gjinovci, përfaqësues i sigurimit fizik të UP-së, ka thënë se nëse nuk u rritet paga, opsion u mbetet ikja nga Kosova.

“Këtu janë dy rrugë ose të na rriten pagat ose të marrin rrugën e migrimit të gjithë. Ndoshta para janarit sepse nga 1 janari e tutje gjithqysh, nëse nuk na u rriten pagat”, theksoi ai.

Të gjithë përfaqësuesit e pranishëm votuan pro që më 8 nëntor të vendosin për datën dhe mënyrën se si do të reagojnë. Po ashtu, u kërkuan Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Arsimit që t’i marrin parasysh kërkesat e tyre.