Në konferencën vjetore të tyre, prokurorët morën mbështetje ndërkombëtare pas përballjes së vazhdueshme me kritika të Qeverisë. Në këtë ngjarje, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, tha se përkundër kritikave, të arriturat dhe sukseset e organit të akuzës janë pranuar edhe nga Qeveria
Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe të Bashkimit Evropian (BE), të shtunën i kanë dalë në mbrojtje organit të akuzës, pas përballjes së vazhdueshme me kritikat e Qeverisë.
Në konferencën vjetore të prokurorëve, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria duhet t’i mbështesë institucionet e drejtësisë.
“Është frustruese nganjëherë, është edhe ofenduese, që të përballeni me kritikat për shkak të punës së mirë që e bëni, jo vetëm nga publiku, por edhe nga udhëheqësit e degëve të qeverisë, që po ashtu kanë përgjegjësi për të mbrojtur sundimin e ligjit të Kosovës dhe qeverisjen e mirë”, ka thënë ambasadori Hovenier.
E shefi i zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, i kualifikoi si sulme kritikat e zyrtarëve qeveritarë ndaj Prokurorisë.
“Kohët e fundit, për fat të keq, kam vërejtur deklarata të qeverisë në media që sulmojnë prokurorët dhe gjyqtarët. Unë e kam kritikuar publikisht këtë, duke nënvizuar rëndësinë themelore të pavarësisë së prokurorisë dhe gjykatave. Sulmet që tentojnë të ushtrojnë ndikim të padrejtë, apo ta minojnë autoritetin e institucioneve, janë të papranueshme dhe duhet të evitohen”, ka thënë Szunyog.
Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, tha se përkundër kritikave të qeveritarëve, të arriturat dhe sukseset e organit të akuzës janë pranuar edhe nga ta.
“Gjatë vitit 2023 institucioni i Prokurorit të Shtetit ka punuar ose ka pranuar në punë 52 mijë e 93 raste, nga të cilat ka zgjidhur 43 mijë e 973 raste. Bazuar në raportet kredibile ndërkombëtare, si dhe në vetë deklaratat e zyrtarëve të institucioneve publike të institucioneve të Kosovës, në vitin 2023 Kosova ka shënuar rezultate të konsiderueshme në sundimin e ligjit, ku rolin vendimtar në këtë sukses e ka edhe kryeprokurori i Shtetit, andaj këto suksese janë argumenti më i mirë se edhe zyrtarët që vazhdimisht kritikojnë punën e prokurorit të shtetit, i pranojnë rezultate dhe sukseset e punës sonë”, ka thënë Kelmendi.
Edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, kritikoi Qeverinë dhe Kuvendin për presion dhe tha se ka qenë kritike mbajtja e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
Zyrtarë të Qeverisë kanë akuzuar një pjesë të madhe të prokurorëve e të gjyqtarëve, duke thënë se vazhdojnë të jenë të kapur nga partitë që e kanë pasur pushtetin deri para tri vjetësh. E, së fundmi, kryeministri Kurti ka bërë përgjegjës organin e akuzës, për mungesën e një aktakuze për sulmin terrorist serb në Banjskë, i ndodhur gjashtë muaj më parë.