LAJMET E MBRËMJES

SHBA-ja e pezullon dialogun strategjik me Kosovën, shkaku i veprimeve të Qeverisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për një kohë të pacaktuar. Në njoftimin e publikuar në Facebook, Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se vendimi është marrë pasi që veprimet e Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”. E ky vendim i SHBA-së është përcjellë me reagime të shumta, përfshirë nga presidentja Vjosa Osmani, spektri opozitar politik e shoqëria civile

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, si pasojë e shqetësimeve rreth veprimeve të Qeverisë në detyrë.

Në njoftimin e publikuar të premten në rrjetin social Facebook, në Ambasadën amerikane në Kosovë kanë bërë të ditur se veprimet e Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

“Mbetemi të përkushtuar për t’i çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe të popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit, si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë vjetëve”, është thënë në njoftim.

Ky njoftim është dhënë pak kohë pasi që e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Pratippati, nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN është shprehur e zhgënjyer me deklaratat e Kurtit, të bëra në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe në të cilat ai i pati kritikuar institucionet e drejtësisë.

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime e minojnë procesin politik, i dobësojnë institucionet e Kosovës dhe i përkeqësojnë tensionet ndëretnike. Ne jemi duke e shqyrtuar me kujdes përgjigjen tonë, por më lejoni që të jem e qartë, çdo veprim që e dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, ka theksuar Prattippati në përgjigje për KOHËN.

Në Qeverinë në detyrë i kanë hedhur poshtë kritikat amerikane, duke i kualifikuar “të ligjshme dhe kushtetuese” veprimet e ekzekutivit.

“Ne jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë dhe i falënderoj për mbështetjen dhe ndihmën ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tonë në aq shumë fusha. I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete, përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona”, ka thënë Përparim Kryeziu, i cili është zëdhënës i Qeverisë në detyrë.

E presidentja Vjosa Osmani ka shprehur “keqardhje dhe shqetësim të thellë”, shkaku i vendimit të SHBA-së për ta pezulluar dialogun e planifikuar strategjik.

Kosova dhe SHBA-ja pritej që ta finalizonin marrëveshjen për dialogun strategjik gjatë këtij viti, pasi presidentja Osmani pati njoftuar në janar për arritjen e ujdisë mes dy vendeve.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, ka thënë Osmani, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht. “Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet mbi një synim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për mirëqenie të përbashkët ekonomike”.

Pas njoftimit për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik SHBA-Kosovë, kryetarët e tri partive më të mëdha opozitare kanë mbajtur takime në Ambasadën amerikane.

Fillimisht është raportuar për praninë e kryetarit të Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, por KOHA ka mësuar se në takimin në Ambasadën amerikane kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të partive të tjera. E Ekonomia Online ka raportuar se takime me përfaqësues amerikanë, me fillim nga ora 15:00, kanë pasur kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, ai i LDK-së Abdixhiku dhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Reagime të ashpra për vendimin amerikan

Në reagimin pas njoftimit për vendimin amerikan, presidentja Osmani ka thënë se Kosova është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar”, ka theksuar ajo. “Çështja e aleancës me SHBA-në, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-së dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot”.

Osmani ka theksuar se dialogu strategjik, i arritur në janar të 2025-s, është një mekanizëm tejet i çmuar i bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Në këtë frymë, Presidenca e Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt, sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes”, ka thënë ajo.

E krahas Osmanit, shqetësim për vendimin e SHBA-së kanë shprehur edhe në partitë që gjatë mandatit të kaluar kanë qenë në opozitë.

Në PDK kanë thënë se me këtë vendim, Kosova është duke rrëshqitur në një drejtim të rrezikshëm.

“Partia Demokratike e Kosovës ka marrë me shqetësim të madh vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat dialogun strategjik me Kosovën, një proces i cili ishte menduar të forconte marrëdhëniet tona ekonomike, politike, diplomatike dhe të mbrojtjes”, është thënë në një njoftim të PDK-së. “Ky është dëmi më i madh politik, diplomatik dhe strategjik që i është shkaktuar Republikës së Kosovës në 25 vjetët e lirisë së saj, duke cenuar drejtpërdrejt raportet me aleatin tonë kryesor dhe duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë ndërkombëtare të shtetit tonë”.

Në këtë parti kanë bërë thirrje gjithashtu për bashkimin e “të gjitha forcave politike properëndimore” për t’i dhënë Kosovës “një qeveri të përgjegjshme”.

Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, e ka vlerësuar pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik si “pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran”.

“Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, teksa ka bërë thirrje për t’u “bashkuar të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë - para se të bëhet vonë për të gjithë”.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka ftuar të gjitha forcat politike dhe shoqërinë e Kosovë që të reflektojnë mbi situatën.

“Kosova po i kalon ditët më të errëta në historinë e vet. Ka një kohë të gjatë që unë dhe Aleanca kemi tërhequr vërejtjet tona për sjelljet e papërgjegjshme dhe destruktive të Kurtit dhe qeverisë së tij. Ndërsa sot gjendemi në një situatë që nuk ka mundur të paramendohet për Kosovën”, ka shkruar ai në Facebook.

Shqetësime janë shprehur edhe nga organizata të shoqërisë civile.

Në Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLSP) i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë “që t’i ndalë të gjitha veprimet dhe retorikën nxitëse që mund të shkaktojnë dëme të mëtutjeshme”.

“Pezullimi i këtij dialogu strategjik ende pa filluar përbën një goditje të rëndë, të panevojshme dhe plotësisht të evitueshme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Duke e pasur parasysh rolin historik dhe të pazëvendësueshëm të SHBA-së në çlirimin, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit tonë, ky njoftim përbën rrezik për sigurinë dhe mirëqenien afatgjate të Republikës së Kosovës”, kanë thënë në GLPS.

Në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS) e kanë vlerësuar vendimin e SHBA-së si sinjal se veprimet e njëanshme dhe qasjet konfrontuese e rrezikojnë të ardhmen e Kosovës.

Ehat Miftaraj, i cili është drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), i ka kritikuar kryeministrin në detyrë Kurti dhe presidenten Osmani, duke i akuzuar se “po e çojnë vendin drejt humnerës”.

E në Odën Ekonomike Amerikane (OEAK) kanë vlerësuar se pezullimi i nismës strategjike amerikane përbën hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Kosovës dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë që të ndryshojë qasje.

Përse SHBA-ja vendosi ta pezullojë nisjen e dialogut strategjik me Kosovën?

Pasoja për Kosovën shkaku i veprimeve të Qeverisë në detyrë janë paralajmëruar që në mëngjesin e së premtes, kur Prattipati e ka shprehur zhgënjimin e Washingtonit zyrtar me qëndrimet e Kurtit.

Kryeministri në detyrë Kurti dhe zyrtarë të partisë së tij, duke e përfshirë nënkryetarin e LVV-së, Glauk Konjufca, e kanë kritikuar Gjykatën Kushtetuese për njëanshmëri, duke thënë se ajo është e afërt me partitë shqiptare që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë.

“Ndërmjet mandatit tonë që s’po përfundon dhe mandatit të ri që s’po fillon, të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e dimë që ndodhet Gjykata Kushtetuese, e cila po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj VETËVENDOSJE!-s”, pati thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, më 7 shtator. Këtë ai e ka thënë pasi që Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, nëpërmjet së cilës ua ka ndaluar deputetëve të zgjedhur të Kuvendit që të ndërmarrin veprime deri më 30 shtator, si dhe ua ka ndaluar atyre zhvillimin e ndonjë procedure në funksion të formimit të Qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese e ka vendosur këtë masë në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe. Kushtetuesja dhe bashkësia ndërkombëtare e kanë dënuar trysninë e Kurtit dhe të eksponentëve të partisë së tij ndaj gjykatës më të lartë të vendit.

Ankesa në Kushtetuese e Listës Serbe, parti kjo më e madhe e serbëve të Kosovës dhe që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, është adresuar pasi që kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i ka hedhur në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komunitetit pakicë joserb dhe serb.

Në Listën Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, kanë këmbëngulur që për postin e nënkryetarit ta propozojnë vetëm emrin e deputetit, Sllavko Simiq, edhe pasi që ai ka dështuar t’i merrte 61 votat e nevojshme, pas tri rundeve të lejuara të votimit.

Pas kësaj, Basha ka vendosur që ta përdorë opsionin e nxjerrjes së emrave me short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit. Krahas të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për postin e nënkryetarit serb është propozuar edhe deputeti Nenad Rashiq, nga partia “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Kurtit. Por as Rashiq nuk i ka marrë votat e nevojshme.

Basha e ka shpallur njëanshëm të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit të pestë. Po ashtu, partia e Kurtit ka bërë përpjekje të pasuksesshme për t’ia ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen si në zgjedhjet parlamentare të shkurtit ashtu dhe në ato lokale të 12 tetorit.

Pak para votimit në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Prattipati pati shprehur shqetësim për çdo përpjekje që do t’ua kufizojë partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.

Çfarë është dialogu strategjik?

Dialogu strategjik është një proces, të cilin Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e zhvillon në shumicën e rasteve me vende të ndryshme të botës, në synimin për t’i avancuar marrëdhëniet bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve, të cilat zhvillohen ose në Washington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash, përfshirë mbrojtjen, sigurinë, mjedisin, energjinë, bashkëpunimin ekonomik dhe të tjera.

Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, Radio Evropa e Lirë ka konfirmuar se SHBA-ja gjatë viteve të fundit ka zhvilluar dialog strategjik me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, si dhe vende të tjera. Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka hyrë në një dialog të tillë strategjik me SHBA-në. Takimi i parë në kuadër të tij është mbajtur më 2 qershor të 2022-tës në Washington dhe është drejtuar nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pati paralajmëruar më 6 gusht se Shtetet e Bashkuara dhe Serbia do të nisin dialog të përbashkët strategjik në fund të këtij viti. SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i kualifikon aleate, si Lëvizja Demokratike Bjelloruse, e udhëhequr nga opozitarja Svietlana Tsikhanovskaya.