LAJMET E MBRËMJES

Shtyhet seanca fillestare ndaj katër serbëve të akuzuar për terrorizëm

Seanca për shqyrtimin fillestar ndaj katër serbëve të akuzuar për terrorizëm ka nisur, por nuk është zhvilluar. Në mungesë të disa prej shkresave të lëndës avokatët e Millun Milenkoviqit, Dejan Pantiqit, Aleksandar Vlajiqit dhe Miomir Vakiqit kërkuan më shumë kohë.

Është shtyrë për një ditë tjetër seanca e shqyrtimi fillestar ndaj katër serbëve të akuzuar për terrorizëm e të cilët dyshohet se kanë sulmuar në dhjetor të 2022-s zyrat e KKZ-së në Mitrovicë të Veriut.

Në këtë proces gjyqësor krahas Milun Milenkoviqit dyshohen edhe tre ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, Aleksandar Vlajiq dhe Miomir Vakiq, e të cilët pak kohë para sulmit ishin dorëhequr.

Në fillim të seancës gjykatësi Valon Kurtaj kërkoi nga mediat që të mos ua publikojnë fytyrën të akuzuarve.

E avokatët e katër të akuzuarve kërkuan shtyrjen e seancës, pasi thanë se shkresat e lëndës i kanë pranuar me vonesë dhe se gjysma e tyre kanë qenë vetëm në gjuhën shqipe.

“Ne sot kemi pranuar aktakuzën të përkthyer në gjuhën serbe, dhe sot për herën e parë jemi ballafaquar me shkresat të bashkëngjitura në aktakuzë. Ne nuk kemi pasur kohë që të barazojmë provat e paraqitura në aktakuzë me shkresat të cilat i kemi marrë”, ka thënë Milosh Dejaviq, avokat i Aleksandar Vlajiqit.

“Unë konkretisht nuk i kam marrë të gjithë shkresat e lëndës. Ne materialin që kam pranuar nuk është deklarata e klientit tim që e ka dhënë gjatë fazës së hetimit”, ka deklaruar Ljubomir Pantoviq, avokat i Pantiqit.

“Këta njerëz janë të akuzuar në bashkëkryerje por secilit nga ne na janë dorëzuar shkresa që kanë të bëjnë vetëm me të pandehurin e caktuar kurse janë të akuzuar në bashkëkryerje”, është shprehur Vasiq, avokat i Vakiqit.

Prokurori special, Afrim Shefkiu, pranoi se disa nga shkresat nuk janë të përkthyera, por tha se ato do të kompletohen brenda pesë ditësh.

“Është fakt se të gjitha shkresat e lëndës nuk kemi arritur t’i përkthejmë. Është duke vepruar që brenda afatit prej pesë ditësh t’i kompletojmë edhe përkthimet që nuk kemi arritur, ndërkaq është e habitshme deklarata e kolegut Pantoviq që thotë se nuk e kam deklaratën e klientit të tij, se ky vetë ka qenë prezent kur e kemi marrë në pyetje dhe një kopje të deklaratës e ka marrë”, u shpreh Shefkiu.

Milun Milenkoviq, i njohur si “Llune”, akuzohet për disa vepra kriminale dhe dyshohet si një nga udhëheqësit kryesorë të formacionit ilegal “Mbrojtja Civile”.

Teksa arsyetoi pafajësinë e klientit, avokati i Milenkoviqit ia propozoi gjykatësit 30 mijë euro dorëzani, për të ndryshuar masën e paraburgimit dhe për ta lënë klientin e tij në arrest shtëpiak.