LAJMET E MBRËMJES

Siljanovska-Davkova: Të turpëruar nga thirrjet antishqiptare në Kumanovë

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova ka dënuar thirrjet për zhdukjen e shqiptarëve nga tifozët maqedonas, tri ditë pasi ato u bënë në kor në një lojë basketbolli. Ajo ka thënë se populli maqedonas ndihet i turpëruar nga këto thirrje. Për ngjarjen hetime ka nisur prokuroria, ndërkaq një person është arrestuar

Tri ditë pas ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë, në të cilën tifozët vendas bënë thirrje për zhdukjen e shqiptarëve, ka reaguar presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se populli i shtetit që përfaqëson është i turpëruar nga thirrjet e këtilla.

Por, përpara se t’i referohet këtij rasti që nxiti reagime, ajo ka përmendur një tjetër – atë të korrikut, në ndeshjen mes “Shkëndijës” së Tetovës që udhëhiqet nga shqiptarët, dhe kampionit uellsian TNS, kur është fyer futbollisti Armand Ote.

“Dhe... për shkak të analfabetizmit tonë sportiv – për të disatën herë – me të drejtë nuk ndalen reagimet për incidentin e tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por na goditën të gjithëve – edhe vetveten – dhe përsëri u turpëruam”, ka shkruar presidentja Siljanovska-Davkova.

“Nuk është sportive të keqpërdoret fusha sportive për ‘ushtrime’ të gjuhës së urrejtjes, fyerje dhe satanizima me fjalë helmatisëse vrasëse – si predha”.

Ajo ka bërë thirrje që akte të tilla të ndalen në fusha sporti.

“Pas kaq shumë betejash njerëzore të humbura në fushat sportive, duhet ta themi qartë dhe me zë të lartë: Kurrë më, kudo që të jemi, me këdo që të garojmë, nuk do të lejojmë që fusha sportive të shndërrohet në një arenë gladiatorësh tifozësh”, ka shkruar presidentja e Maqedonisë së Veriut.

“Sigurisht, mësimi i parë për ‘si të tifozohet’ mësohet në shtëpi, e pas saj vijnë të tjerat: në kopsht, në shkollë fillore, të mesme, në fakultet, në klub, në ndeshje, në publik”.

Ajo ka shtruar nevojën që para çdo ndeshjeje të dërgohet një mesazh paralajmërues për shikuesit që t’i fikin mendimet dhe mesazhet e këqija. Këtë e ka parë ndër masat për t’iu kundërvënë gjuhës së urrejtjes.

“Të kujtojmë se turpi nuk është vetëm i atyre që i shqiptojnë fjalët që lëndojnë, sepse ato nuk godasin vetëm ata që janë në sallë apo në fushë, por edhe ata që i shikojnë dhe i dëgjojnë, për shkak të shtrirjes së pakufizuar të tyre”, ka shkruar Siljanovska-Davkova. “Duhet t’i kundërvihemi urrejtjes së tifozëve... ta forcojmë betejën kundër paragjykimeve dhe përplasjeve mes ‘të ndryshmëve’; duhet të njihemi dhe të kuptohemi, duhet të parandalojmë shpërthimet e urrejtjes, të reagojmë me kohë, të shërojmë aktet e urrejtjes, t’i sanksionojmë ato”.

“Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, janë disa nga parullat e kënduara nga tifozët vendas, të ngjashme me retorikën naziste të shfarosjes.

Ato u kënduan në kor, në praninë e kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski e zyrtarëve të lartë shtetërorë që po e përcillnin ndeshjen.

Mickoski u deklarua tek të hënën, pas reagimeve që ngjarja nxiti në Kosovë e Shqipëri, por edhe tek përfaqësues të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ai tha se nuk i dëgjoi thirrjet, por i dënoi ato.

“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, ka thënë ai.

Prokuroria Themelore në Kumanovë ka nisur hetime të hënën. 

E, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se, për këtë rast, është arrestuar një person dhe janë intervistuar disa tjerë.

I arrestuari me inicialet S. M. Ka moshë 30-vjeçare dhe dyshohet se është përpjekur për të sjellë pano me përmbajtje fyese.

“Lidhur me ndeshjen e basketbollit që u zhvillua më 02.08.2025 në Pallatin e Sporteve në Kumanovë, disa të dyshuar tashmë janë thirrur në Departamentin e Policisë së Kumanovës dhe është kryer një intervistë zyrtare, dhe pas analizave të kryera në koordinim me Prokurorinë Publike të Kumanovës, do të merren masa specifike ligjore kundër personave të përfshirë, përfshirë edhe ndjekje penale. Sot, oficerët e Departamentit të Policisë së Kumanovës e privuan nga liria S.M. (30) nga Kumanova, i cili dyshohet se është përpjekur të sjellë një pano me përmbajtje fyese gjatë pushimit mes pjesëlojëve të ndeshjes së basketbollit. Pasi të sqarohet plotësisht rasti, kundër tij do të ngrihet një padi përkatëse”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Ky institucion ka bërë të ditur se policia do të jetë jashtëzakonisht rigoroze ndaj çdo shkeljeje të rendit dhe qetësisë publike, veçanërisht ndaj çdo thirrjeje ofenduese të bazuar në përkatësi kombëtare, etnike ose fetare. 

“Kjo do të sanksionohet në mënyrën më të ashpër, pa asnjë tolerancë. Vetëm brohoritjet dhe brohoritjet e ndershme sportive mund të na sjellin sukses, fitore dhe gëzim sportiv”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Në mesin e të intervistuarve kanë qenë disa pjesëtarë të tifo-grupit “Kumani”, por udhëheqësi i këtij grupi ka mohuar fajësinë.

Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes në disa nene, ku dënimet shkojnë nga një deri në pesë vjet.

Hetime ka ndërmarrë edhe Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, e cila ka dënuar gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë diskriminimi apo gjuhe raciste.

Deputeti në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Bekim Qoku, tha në “Interaktiv” se racizmi ndaj shqiptarëve është i ngulitur në sentimentin kombëtar maqedonas.

“Është kulturë, është mendësi dhe mendësia nuk vjen për një vit. Mendësia do kohë të gjatë të brumoset dhe të piqet në mendjen e këtyre njerëzve dhe fatkeqësisht ata janë lënë të lirë, kanë pasur terren të hapur të lirë që t’i shfaqin këto lloj sentimentesh ndaj shqiptarëve dhe në të gjitha anketimet del që shqiptarët janë armiku numër një dhe aktualisht trajtohen si armiku numër dy për maqedonasit pas bullgarëve, dhe kjo është e rrënjosur në gjenet kulturore të maqedonasve, kjo nuk çrrënjoset për një vit”, ka thënë Qoku.

Para se zyrtarët e lartë të shtetit të Maqedonisë së Veriut të reagojnë, lidershipi në Kosovë dhe Shqipëri shprehu shqetësimin me heshtjen e tyre. 

Presidentja Vjosa Osmani, në një reagim në Facebook i ka quajtur të papranueshme thirrjet dhe kritikoi lidershipin në Shkup për mosreagim.