Serbë të shumtë morën pjesë në manifestimin kryesor në Gazimestan, gjatë pelegrinazhit të përvitshëm të Vidovdanit, në kujtim të betejës së humbur ndaj ushtrisë osmane më 1389. Flamujt serbë e rekuizitat me përmbajtje nacionaliste u kapën nga policia dhe u hodhën në thasë mbeturinash. E, pranga iu vendosën 17 pjesëmarrësve, njëri nga të cilët ishte i armatosur
Kanë përfunduar në thasë bërlloku flamujt serbë dhe rekuizitat me mesazhe nacionaliste që pelegrinët i mbanin të fshehura brenda rrobave të trupit, në çanta apo i mbanin në duar, me qëllimin për të kremtuar me to brenda hapësirës së monumentit në Gazimestan, i cili shënon Betejën e Kosovës.
Policë të Kosovës kontrolluan një nga një të gjithë ata që mësynë këtë adresë, e që në mënyrë të organizuar mbërritën në vendin i cili ndodhet në periferi të Prishtinës.
Pa kaluar nëpër tri rrethoja, asnjëri prej qindra qytetarëve serbë nuk mundi të hyjë në oborrin e monumentit për pelegrinazhin e përvitshëm për Vidovdan, në kujtim të betejës së humbur ndaj ushtrisë osmane më 1389.
Kapen simbole nacionaliste e armë
Me të mbërritur te porta, të gjithë iu nënshtruan kontrollit. Pati të tillë që flamuj iu gjetën edhe në rrobat e brendshme. Ndërkaq, ata me çanta u detyruan t’i hapin për kontroll. Policia ua mori flamujt e Serbisë apo gjërat tjera që përmbanin mesazhe nacionaliste, të cilat u vendosën në thasë të zinj.
Kur kontrolli përfundoi, pjesëtarët e policisë u shpërndanë secilit letra me rregulla e udhëzime që duhej respektoheshin. Gjithë kohës, situata është ndjekur nga afër nga njësi të ndryshme të Policisë, e edhe nga disa patrulla të OSBE-së dhe EULEX-it.
E kur turma e pjesëmarrësve nisi të rritej, Policia i vuri në funksion edhe dronët.
Por, me gjithë masat e sigurisë, disa nga pjesëmarrësit arritën që te monumenti të shpalosin flamuj të Serbisë e gjatë ceremonisë kënduan në kor edhe këngë nacionaliste serbe.
Pas kësaj, Policia e ashpërsoi kontrollin te porta, ku e priti dhe e ndaloi për t’ia marrë të dhënat personale secilit të dyshuar për prishje të rendit, dhe mandej i shoqëroi nëpër vetura policore.
Kur manifestimi u krye, pjesëmarrësit u larguan nga Gazimestani në mënyrë të organizuar me vetura e autobusë.
Në Polici thanë se manifestimi u zhvillua kryesisht i qetë dhe pa incidente të mëdha, teksa bënë të ditur se 17 persona janë shoqëruar në polici për provokim dhe nxitje të urrejtjes. Tek njëri pjesëmarrës është gjetur edhe armë.
“Kanë provokuar masën, duke kryer nxitje të urrejtjes dhe posedonin veshje me përmbajtje provokuese e nxitëse, në kundërshtim me dispozitat ligjore. Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me vendim të të cilëve një të dyshuari i është shqiptuar masa e ndalimit mbi dyshimin e bazuar për veprën penale armëmbajtje pa leje, një tjetri i është shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje, 4 të tjerë janë liruar, kurse 11 të tjerë janë në procedurë të intervistimit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në ceremoni mori pjesë edhe deputeti i Kuvendit nga Lista Serbe, Sllavko Simiq.
Subjekti i tij politik e dënoi shoqërimin në Polici të 17 pjesëmarrësve, tek e kualifikoi veprimin me synim për të nxitur frikë te serbët.
“Vidovdan, festa më e rëndësishme kombëtare serbe për popullin serb, rrjedh me veprimet brutale dhe të turpshme të Prishtinës, e cila sot, në këtë festë të madhe tregoi se nuk respekton të drejtat fetare dhe civile të popullit serb. Sot Policia e Kosovës arrestoi më shumë se 15 serbë, vetëm pse mbanin flamurin serb ose kishin simbole historike në rroba”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Mesazhet politike të peshkopit
Para se të kryejnë pelegrinazhin e përvitshëm në Gazimestan, vendin ku koalicioni i prirë nga lideri mesjetar serb, Car Lazar, humbi betejën në përballje me osmanët, 636 vjet më parë, qindra qytetarë serbë ia mësynë Manastirit të Graçanicës.
Përveç nga Kosova, ata udhëtuan me autobusë edhe nga Serbia, dhe u përcollën nën masa të shtuara të sigurisë nga Policia, KFOR-i dhe EULEX-i.
Në manastir u mbajt liturgjia dhe aktivitetet përkujtimore.
Në hyrje të monumentit, shumë prej pjesëmarrësve u ndalën për t’u lutur, prekën derën dhe flamurin serb me kryq ortodoks dhe katër shkronjat cirilike “C”, që simbolizojnë sloganin kryesor nacionalist.
Pak para hyrjes në manastir, zyrtarë policorë ndaluan e më pas e dërguan në mbajtje, organizatorin meqë udhëhoqi një grup pelegrinësh nga Beogradi, të cilët veshën bluza me ngjyrat e flamurit të Serbisë e me mbishkrimin: “Serbia e Bashkuar përpara Manastirit”. E një tjetri, iu shqiptua kundërvajtje.
Në oborr, ata ndezën qirinj. E pas këtyre riteve, peshkopi i Malit të Zi, Joanikije, mbajti liturgjinë.
Ai para të pranishmëve, gjatë gjithë kohës iu referua Kosovës edhe me termin Metohi, dhe e përshkroi si tokë e serbëve.
“Dhe këta fëmijë e të rinj që i përmbushin shenjtorët tanë çdo javë e çdo festë, ata dëshmojnë se sa e madhe është dashuria e popullit tonë për Kosovën, për tokën e shenjtë serbe, për vatrën tonë shpirtërore e popullore”, ka thënë peshkopi Joanikije.
Ligjërimi i këtij prijësi fetar u dominua nga mesazhe politike.
“Shumë të tjerë do të thonë se e kemi humbur Kosovën apo se duhet harruar Kosovën, por unë, asnjë njeri besimtar nuk e kam dëgjuar ta ketë thënë këtë – as të parën e as të dytën – porse po shohim dashuri për Kosovën dhe për popullin tonë të kryqëzuar në Kosovë”, ka thënë Joanikije.
Derisa brenda manastirit zhvilloheshin lutje dhe rite fetare, jashtë tij, në një hapësirë të vogël, u shërbye bukë për të pranishmit.
Gjatë gjithë kohës, pjesëtarë të Policisë patrulluan përgjatë rrugës kryesore të Graçanicës. Të njëjtën e bënë edhe pjesëtarë të KFOR-it.
Rrugët e komunës së banuar kryesisht me serbë nuk u stolisën me flamuj të Serbisë, meqë në fillim të qershorit, Gjykata Themelore në Prishtinë anuloi vendimin e vitit të kaluar të komunës së Graçanicës për ta shfaqur atë për Vidovdan.
Përvetësimi nga serbët
Në ditën kur serbët festuan Vidovdanin, në Prishtinë studiuesit thanë se kjo ngjarje është përvetësuar dhe përdoret për qëllime nacionaliste.
Në tryezën e titulluar “Vidovdani midis Mitit dhe Gjeopolitikës: Roli i tij në Projektin Kombëtar Serb”, e që e organizoi Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, albanologu Zymer Neziri foli për përvetësimin.
“Kisha dhe shteti serb përvetësojnë edhe shenjtorë për qëllimet e tyre nacionaliste dhe shoviniste, madje edhe në vendin e krimit shekullor, në Kosovë”, ka thënë Neziri.
Ai iu referua edhe një kënge, që serbët e këndojnë në kor në këtë festë.
“Kjo këngë natyrisht thotë ‘Në qiell shikoj, shekujt kalojnë, kujtimet e kahershme i vetmi ilaç, nga do të shkoj ty të kthehem përsëri, pra Kosovë, kush do t’ma rrëmbejë Kosovën nga zemra ime.’ Kjo lidhet edhe me kohën e Millosheviqit kur iu mor autonomia Kosovës, është Vidovdani 1989. Politika shtetërore serbe është një instrument politik serb pas Millosheviqit dhe Vuçiqit dhe sigurt vijnë edhe të tjerë”, ka thënë ky albanolog
E, historiani gjerman Stephan Keck tha se beteja e Kosovës që përkon me Vidovdanin, është kthye në subjekt mitologjik.
“Pak dihet realisht për këtë betejë, por supozohet se të dyja palët dolën të rraskapitura dhe se beteja nuk ishte vendimtare. Megjithatë, ajo mbetet ikonike për Ballkanin”, ka thënë ai.
Beteja e Kosovës, për serbët, është bërë më me shumë domethënie që nga koha e mbajtjes së fjalimit të Slobodan Milosheviqit në vitin 1989, kur kishte mbledhur rreth 1 milion njerëz, të cilëve u kishte thënë se “serbët më nuk do të rrihen e as persekutohen”. Ata konsiderojnë se Kosova është koka e Lazarit, ndërsa Serbia dhe populli serb janë trupi i tij.
Ushtrisë së Perandorisë Osmane i kishte prirë Sulltan Murati I, i cili sipas historisë ishte vrarë nga një princ shqiptar i quajtur Millosh Kopiliqi.
Për serbët edhe ky princ nuk është Millosh Kopiliqi por Milosh Obiliqi.
Pak metra nga monumenti i Luftës së Kosovës në fshatin Mazgit është varri i Sulltan Muratit, në të cilin prehen vetëm zorrët e tij, pasi supozohet se trupi i tij të jetë kthyer në Turqi. Ky varr është shndërruar në tyrbe dhe vizitohet çdo 28 qershor nga turqit dhe të tjerët.
Gazimestani është një vend afër Prishtinës që për çdo vit bashkon serbët për të përcjellë nga aty mesazhe nacionaliste. Dhjetë vjet pasi Millosheviqi mbajti tubimin në këtë vend, Kosova është çliruar nga sundimi 100-vjeçar i Serbisë dhe prej 17 vjetësh ka shpallur pavarësinë. Secilin 28 qershor, grupe ekstremistësh nga e gjithë Serbia vizitojnë manastiret ortodokse nëpër Kosovë, por edhe Gazimestanin, gjatë së cilave vizita bëjnë thirrje që Kosova të ripushtohet.