Komisioni i posaçëm i themeluar nga MINTI, për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, ka dalë në terren bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut dhe ka identifikuar disa nga njehsorët që nuk e matin drejt energjinë e shpenzuar. Në KEDS kanë insistuar se njehsorët e matin drejt energjinë e shpenzuar, por kanë thënë se aty ku konstatohet e kundërta, konsumatorët do të kompensohen
Janë tërhequr nga funksioni të mërkurën njehsorë elektrikë që janë vërejtur se regjistronin në kohë të pasaktë energjinë e konsumuar, ka njoftuar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).
Komisioni i posaçëm i themeluar nga kjo ministri për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, ka dalë në terren bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut të mërkurën dhe ka identifikuar disa nga njehsorët.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Njehsorët, te të cilët janë vërejtur mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ky institucion u ka bërë thirrje qytetarëve që të parashtrojnë ankesa në adresën elektronike [email protected], të bashkëngjisin numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme.
Gjatë aksionit, drejtoresha ekzekutive e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka thënë për emisionin “tre8tre” në KTV se komisioni ka dalë në terren dhe pasi të marrë njehsorët për të cilët ka pasur ankesa nga konsumatorët, do t’i verifikojë dhe më pas do të lëshojë një raport për sekretarin, Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në MINTI, por edhe konsumatorëve.
“Njehsorët që dëshmohen, duke iu referuar ankesave, se nuk ka përputhje të orës, ata do të zëvendësohen me të tjerë deri të bëhet verifikimi i tyre”, ka thënë Bushrani.
Ajo ka thënë se janë rreth 70 ankesa për këtë çështje.
Komisioni i krijuar nga MINTI u bë pas denoncimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës se në një hulumtim me 800 njehsorë të rrymës në Prishtinë e Ferizaj, ka rezultuar se rryma matet gabimisht dhe gjithmonë me të shtrenjtën. Kjo parti i ka dorëzuar në KEDS ankesat e qytetarëve dhe ka paralajmëruar lëndë edhe për Prokurorinë Speciale.
KEDS-i, në anën tjetër, ka mohuar pretendimet.
Zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj, ka thënë se të gjithë njehsorët elektrikë të vendosur nga kjo kompani matin energjinë elektrike saktë, ndërsa, në rast devijimi të gjithë qytetarët do të kompensohen.
“Të gjithë njehsorët e vendosur nga KEDS-i e bëjnë matjen e energjisë elektrike me saktësi dhe ky është elementi kyç për çdo faturim dhe nuk është vënë asnjëherë në dyshim. Po ashtu të gjithë njehsorët janë në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe akteve ligjore dhe nënligjore të republikës. Ndërrimet e vërejtura në kohë janë një karakteristikë teknike e njohur e kohës së njehsorëve elektrikë dhe nuk përfaqësojnë manipulim, siç është pretenduar”, ka insistuar ajo. “Në çdo rast kur është konstatuar një anomali, është bërë korrigjimi përkatës në kartelën e konsumatorit në përputhje me procedurat dhe rregullat në fuqi. Kohëzgjatja e tarifave mbetet gjithmonë e njëjtë dhe nëse kalimi në tarifë fillon disa minuta më vonë për të njëjtën vonesë edhe do të përfundojë. Devijime të tilla mund të veprojnë edhe në drejtim të kundërt, duke rezultuar në dobi për disa konsumatorë, varësisht nga zhvendosja e kohës, që e vërteton se është një tolerancë teknike e njehsorit dhe jo e qëllimshme”.
Sipas saj, KEDS dhe KESCO nuk mund të përfitojnë financiarisht nga kjo situatë.
“Ne i sigurojmë të gjithë konsumatorët e prekur nga devijimet e mundshme që dalin jashtë normës teknike se do të kompensohen në mënyrë të plotë, qoftë ajo edhe për centin e fundit”, ka thënë Dallaveraj.Një numër i madh njehsorësh, kryesisht në fshatra, janë vendosur lart në shtylla elektrike dhe ekranet e tyre nuk mund të shihen nga konsumatorët.
Zëdhënësja Dallaveraj tha se ata janë inteligjentë dhe se devijimi i kohës është i pamundur te këto pajisje.
“Ka pasur polemika edhe për njehsorët, të cilët janë vendosur në shtylla dhe për shumë konsumatorë ka qenë e pamundur që këta njehsorë të arrihen dhe të shikohen edhe fizikisht, por ju njoftojmë që njehsorët e vendosur në shtylla janë njehsorë inteligjentë dhe me ta devijimet e kohës janë të pamundura për shkak se sinkronizohen nga sistemi automatik i qendrës AMK”, ka thënë ajo.
Pas konferencës që pati KEDS dhe pas njoftimit nga MINTI, ka reaguar Visar Azemi, anëtar i LDK-së, i cili kishte raportuar për këto probleme në njehsorët elektrikë.
Ai ka thënë se shteti ka dështuar në trajtimin e këtij problemi.
“Nëse ministria sot ka dalë edhe me i heq ata njësorë elektrikë, atëherë pyetja e thjeshtë është: ku paskan qenë këta gjithë këto vite që nuk kanë reaguar. Të dy palët, edhe KEDS-i, edhe ministria e pranojnë që ka pasur edhe më herët ankesa. Pse nuk kanë reaguar. Shteti paska dështuar dhe MINTI po reagon vetëm kur ka plasur skandali nga ne”, ka thënë ai.
Azemi tha se do t’i drejtohet Prokurorisë Speciale për KEDS-in dhe MINTI-n.
KOHA pati raportuar në dhjetor të 2024-tës se si banorët e një blloku banesor në Fushë-Kosovë kanë thënë se ora nëpër njehsorë figuron disa orë para ose prapa kohës reale, dhe kësisoj ua pamundëson përpjekjet për kursim.
KEDS-i atëkohë pati ftuar qytetarët që të ankohen për këtë çështje. E në qershor të 2023-tës, KOHA raportoi se verifikimi i njehsorëve elektrikë nga zyrtarët e Agjencisë së Metrologjisë është bërë në laboratorë të KEDS-it edhe pse kjo ishte praktikë e ndërprerë prej 2019-s, me arsyetimin se përbën shkelje të Ligjit për Metrologji.
Në strukturën e tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me shërbime universale të furnizimit është përcaktuar që tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00 deri në 22:00 gjatë periudhës 1 tetor deri më 31 mars, kurse prej orës 08 deri në 23:00 gjatë periudhës 1 prill deri më 30 shtator.
Tarifa e lartë për konsumatorët të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj është 9.05 centë për kilovat, teksa ajo e ulët është 3.88 centë për kilovat.
E për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë, tarifa e lartë është 15.43 centë, ndërsa ajo e ulëta 7.28 centë.
(Elda Islami)