Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka nominuar Albin Kurtin për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Ai mori mbështetje unanime nga organi më i lartë i partisë, ndërsa propozimi u cilësua formal meqë, sipas Glauk Konjufcës, Kurti mandatin e ka fituar nga populli në zgjedhjet e fundit
Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Albin Kurtin edhe për një mandat në krye të Qeverisë së Kosovës, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, të dielën.
Mbledhja nisi me intonimin e himnit kombëtar, ndërsa ai i Kosovës nuk u lëshua fare.
Me vota unanime Kurti mori bekimin e organit më të lartë të partisë, për të udhëhequr qeverinë e ardhshme.
Nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, propozimin e Kurtit nga partia e quajti formal, pasi tha se nominimin ai e mori nga populli në zgjedhjet e fundit.
“Ky që po e bëj, pra që në emër të këshillit dhe gjithë juve po e nominojmë Albin Kurtin për kryeministër, është vetëm një formalizm i asaj që është vërtetë më e rëndësishmja, që Albin Kurti në zgjedhjet e 9 shkurtit është personi më i votuar ndonjëherë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Askush nuk votoi kundër e as abstenim nuk pati.
Me të marrë fjalën, kryeministri në detyrë tha se qeveria që udhëhoqi ai ka menaxhuar shkëlqyeshëm pandeminë COVID-19, krizën energjetike e sfidat e sigurisë.
Kurti iu rrok premtimeve, në rast të rizgjedhjes si udhëheqës i ekzekutivit.
Tha se do të krijohet valuta digjitale e Kosovës, do rritet paga minimale në 500 euro, do subvencionohen gjyshërit që kujdesën për nipër e mbesa, do të investohen 500 milionë euro në Brezovicë, do ndërtohen 5 diga të reja e plot premtime të tjera.
“Do të vijojmë me të gjitha punët e mira që i kemi nisur por edhe plot projekte të reja, do të përshpejtojmë rritjen ekonomike me mbështetje të ndërmarrjeve prodhuese dhe të inovacionit e do të rrisim pagat, pensionet e mbështetjen sociale. Do të shënojmë rekorde të reja në investime kapitale me projekte strategjike që rrisin aktivitetin ekonomik. Synimi ynë është që investimet kapitale të kalojnë 1 miliardshin”, ka thënë Kurti.
Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes u paralajmërua në fillim të javës së kaluar nga nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ajo tha se me përfundimet e punimeve të kësaj mbledhjeje emri për mandatar për kryeministër do t’i dërgohet presidentes.
Por të premten Gjykata Kushtetuese në bazë të kërkesës së Listës Serbe vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.