Në mbledhjen e të enjtes të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji është thënë se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, pasi është konstatuar se vendimi i Gjykatës Supreme që i ka shpallur të paligjshme dhe i ka shfuqizuar dy nene të udhëzuesit për liberalizim të tregut të energjisë elektrike nuk e pezullon daljen e bizneseve në treg të hapur të energjisë
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka aprovuar të enjten vendimin deklarativ për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme, i cili i ka shpallur të paligjshme dhe i ka shfuqizuar dy nene të udhëzuesit për liberalizim të tregut të energjisë elektrike.
Në mbledhjen e të enjtes të Bordit të ZRRE-së është thënë se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, pasi është konstatuar se vendimi i Supremes nuk e pezullon daljen e bizneseve në treg të hapur të energjisë.
Ymeridin Misini, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit Ligjor në ZRRE, ka thënë se Gjykata Supreme ka sqaruar se shërbimi universal u takon vetëm konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve të vogla, të cilat, sipas përkufizimit të detyrueshëm të direktivës, janë ndërmarrjet me më pak se 50 punëtorë dhe me qarkullim jo më shumë se 10 milionë euro.
“ZRRE vlerëson se Gjykata Supreme nuk ka vendosur obligim pozitiv për ZRRE-në, për të nxjerrë një akt normativ të ri zëvendësues dhe as nuk ka urdhëruar pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Përkundrazi, Gjykata ka konstatuar se tregu ligjërisht është i hapur dhe se zbatimi i ligjit primar dhe i direktivë 2009/72 vazhdon drejtpërdrejt, pa pasur nevojë për ndërhyrje shtesë normative”, ka thënë ai.
Sipas Misinit, Supremja nuk ka konstatuar mungesë të bazës ligjore për liberalizim të tregut, por vetëm mungesë të arsyetimit në disa dispozita nënligjore të shfuqizuara.
“ZRRE vazhdon zbatimin e ligjit për energji elektrike ashtu siç janë interpretuar nga Gjykata Supreme pa zgjerim apo kufizim të përcaktuara nga ligji primar. Ky vendim është deklarativ dhe konstatues dhe nuk krijon, ndryshon apo shfuqizon të drejta apo detyrime të reja për konsumatorët apo për pjesëmarrësit në treg”, ka theksuar ai.
Gjykata Supreme i ka shfuqizuar nenet e udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, të cilat kanë të bëjnë me kriteret e daljes në treg të hapur, pas padisë që e ka bërë Oda Ekonomike (OEK) për dëmtim të bizneseve. E më 8 dhjetor, OEK-u ka dorëzuar kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të ZRRE-së për moszbatim të vendimit të Supremes. Sipas OEK-ut, vendimi i gjykatës e kthen në pikën zero daljen në treg të hapur të rreth 1.300 bizneseve.
E kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se vendimi i rregullatorit e konfirmon zbatimin e vendimit të Supreme për sa i përket udhëzuesit.
“Ky vendim konfirmon zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme sa i përket udhëzuesit, i cili ishte shfuqizuar që nga viti 2021, por është konstatuar nga Gjykata Supreme me pezullimin e këtyre dy neneve të këtij udhëzuesi”, ka theksuar Fejzullahu.
Pas këtij vendimi kanë reaguar në OEK. Në këtë Odë kanë thënë se ZRRE-ja është duke vazhduar që t’i bëjë interpretim të njëanshme dhe të gabuar të këtij aktgjykimi, si dhe me keqpërdorimin e nenit 37 paragrafi 3 të Ligjit për energjinë elektrike.
Në OEK kanë potencuar se vendimi i Gjykatës Supreme për liberalizimin e tregut të energjisë nuk mund dhe nuk duhet të lexohet në mënyrë selektive apo të njëanshme, pasi që një qasje e tillë i cenon frymën e aktgjykimit dhe parimet themelore të sundimit të ligjit.
“Gjykata Supreme ka konstatuar qartë se kriteret e nxjerra mbi bazën e nenit 37 paragrafi 3 janë të paligjshme, pasi janë krijuar përtej kompetencave ligjore dhe kanë prodhuar pasoja të drejtpërdrejta ekonomike për bizneset, pa bazë të qëndrueshme ligjore. Po ashtu, është vlerësuar se interpretimi i këtij neni nga ZRRE është në kundërshtim me Direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian për tregun e brendshëm të energjisë elektrike”, thuhet në reagimin e OEK-ut. “Vendimet e Gjykatës Supreme nuk janë çështje interpretimi institucional. Ato janë akte detyruese që duhet të zbatohen në tërësi dhe në frymën e tyre. Çdo lexim selektiv krijon pasiguri juridike, dëmton klimën e biznesit dhe cenon sundimin e ligjit”.
Në OEK kanë vlerësuar gjithashtu se përpjekjet për ta paraqitur këtë vendim thjesht si “konstatues” apo për t’u mbështetur në interpretime të brendshme administrative janë të gabuara dhe e cenojnë rolin kushtetues të gjyqësorit.