Kuriozitet

Dy gra austriake që u ndërruan në lindje takohen pas 35 vjetësh

Jessica (prapa) e kontaktoit e para Dorisin në Facebook

Jessica (prapa) e kontaktoit e para Dorisin në Facebook

Dy gra nga Austria, të cilat ishin ndërruar aksidentalisht në lindje në një spital në qytetin jugor të Grazit, janë takuar për herë të parë pas 35 vjetësh.

Sipas “Kronen Zeitung”, Doris Grunwald dhe Jessica Baumgartner kanë lindur në tetor të vitit 1990 në spitalin LKH-Uniklinikum në Graz. Të dyja ishin foshnje të lindura para kohe dhe, pak pas lindjes, janë ndërruar gabimisht dhe secila i është dorëzuar prindërve të familjes tjetër.

Në vitin 2012, Doris Grunwald zbuloi se nuk ishte vajza biologjike e prindërve që e kishin rritur, Evelin dhe Josef Grunwald, kur po dhuronte gjak dhe kuptoi që grupi i gjakut nuk përputhej me atë të nënës së saj.

Rasti u bë publik në vitin 2016 nga transmetuesi publik austriak ORF, por në atë kohë familja tjetër nuk mund të gjendej.

Jessica Baumgartner ishte rritur jo shumë larg, nga Herbert dhe Monika Derler, brenda rajonit të Grazit. Ajo zbuloi se grupi i saj i gjakut nuk përputhej me atë të prindërve kur mbeti shtatzënë, dhe mjeku e informoi për rastin e dy foshnjave të ndërruara në Graz.

Pas kësaj, Jessica kontaktoi Dorisin përmes Facebookut, dhe të dyja u takuan personalisht, duke mbyllur kështu një histori të pazakontë që kishte nisur më shumë se tri dekada më parë.