Kuriozitet

Mërzia për ngordhjen e një kafshë shtëpiake po aq e fortë sa ajo për vdekjen e një njeriu

kafshe

Hulumtimet kanë treguar se mërzia për vdekjen e një kafshe shtëpiake mund të jetë po aq kronike sa ajo për humbjen e një anëtari të familjes, duke konfirmuar atë që shumë njerëz tashmë e dinë për lidhjen e tyre me kafshët.

Personat që vuajnë humbjen e një kafshe shtëpiake mund të vuajnë nga çrregullimi i pikëllimit të zgjatur (PGD), një gjendje e shëndetit mendor e shkaktuar nga vdekja e një të dashuri, ka zbuluar një sondazh i publikuar në revistën akademike PLOS One.

PGD zgjat shumë muaj, apo edhe vite, dhe shpesh përfshin një mall të thellë dhe dëshpërim, vështirësi në shoqërizim dhe në kryerjen e detyrave të përditshme, si dhe ndjenjën se një pjesë e vetes ka vdekur, raportoi Guardian. 

Aktualisht, vetëm personat që vuajnë humbjen e një njeriu mund të diagnostikohen me këtë çrregullim, por profesori që është autor i studimit ka rekomanduar që udhëzimet diagnostikuese të zgjerohen për të përfshirë edhe kafshët shtëpiake.

Studimi – një sondazh me 975 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar – zbuloi se 7.5% e personave që kishin humbur një kafshë shtëpiake plotësonin kriteret diagnostikuese për PGD, afërsisht e njëjta përqindje si te personat që kishin humbur një mik të ngushtë. Kjo përqindje është vetëm pak më e ulët se ajo e personave që kishin përjetuar PGD pas vdekjes së një gjyshi ose gjysheje (8.3%), një vëllai ose motre (8.9%) apo edhe të një partneri (9.1%).

Vetëm ata që kishin humbur prindërit ose fëmijët kishin norma dukshëm më të larta të këtij çrregullimi, përkatësisht 11.2% dhe 21.3%.

Rreth një e pesta e personave që kishin përjetuar humbjen e një kafshe shtëpiake dhe të një njeriu thanë se humbja e kafshës kishte qenë më e rëndë.

Studimi vlerësoi se një në 12 raste të PGD në Mbretërinë e Bashkuar shkaktohen nga vdekja e një kafshe shtëpiake, për shkak të faktit se rreth gjysma e të rriturve kanë kafshë shtëpiake dhe se jetëgjatësia e tyre është dukshëm më e shkurtër se ajo e njerëzve.

Autori i studimit, Philip Hyland, profesor i psikologjisë në Universitetin Maynooth në Irlandë, tha se kërkimi tregoi gjithashtu se simptomat e këtij pikëllimi të rëndë për një kafshë shtëpiake përputhen plotësisht me ato të pikëllimit për një njeri, dhe se nuk kishte asnjë ndryshim në mënyrën se si njerëzit i përjetonin këto humbje.

Ai tha se studimi paraqiste “dëshmi të qëndrueshme dhe bindëse” se pikëllimi për një kafshë shtëpiake nuk është më pak legjitim dhe bëri thirrje që udhëzimet për diagnostikimin e PGD-së të zgjerohen.