Motra Inah Canabarro Lucas, e cila njihej si personi më i vjetër në botë, ka vdekur në moshën 116-vjeçare në qytetin Porto Alegre të Brazilit, shkruan BBC të enjten.
E lindur më 8 qershor 1908 në Rio Grande do Sul, motra Inah iu përkushtua jetës fetare në fillim të të 20-ave, duke iu bashkuar bashkësisë së Motrave Teresiane. Ajo jetoi gjatë dhe me shëndet të mirë, duke e konsideruar besimin e saj si sekretin e jetëgjatësisë.
“Ai [Zoti] është sekreti i jetës”, kishte deklaruar ajo.
Në vitin 2018, ajo mori bekimin e Papa Françeskut dhe gëzonte respekt të madh në komunitetin e saj. Sipas familjarëve, motra Inah ishte gjithashtu një tifoze e zjarrtë e ekipit të futbollit Sport Club Internacional, dhe çdo vit ditëlindjen e festonte me një tortë në formë stadiumi.
Vdekja e saj u konfirmua nga bashkësia fetare ku ajo jetonte. Sipas nipit të saj, 116-vjeçarja nuk vuante nga ndonjë sëmundje, por “trupi i saj gradualisht kishte ndalur së funksionuari”.
Motra Inah u bë personi më i vjetër në botë pas vdekjes së japonezes Tomiko Itooka po ashtu në moshën 116-vjeçare.
Titulli i personit më të vjetër të gjallë në botë kalon tani te Ethel Caterham, 115-vjeçare nga Surrey i Anglisë.