Lifestyle

Gara për të gjetur ilaç për HIV-in, lajmet e fundit janë shpresëdhënëse

Sëmundja e HIV-it

Sëmundja e HIV-it

Në Afrikën e Jugut, një provë klinike ka dhënë një nga rezultatet më premtuese deri më sot në luftën kundër HIV-it.

Një grua e re, Anele, më shumë se dy vjet pas ndalimit të terapisë, mbetet pa shenja të virusit. Rasti i saj po cilësohet si mundësi reale për shërim dhe ka sjellë shpresë të re në kontinentin më të prekur nga kjo sëmundje, ka raportuar NPR.

Historia nisi në muajin maj të vitit 2016, kur Anele, atëherë 23-vjeçare, mori një telefonatë nga qendra lokale analizave në qytetin Umlazi. Asaj iu komunikua lajmi se kishte rezultuar pozitive me HIV.

“Qava shumë. Isha vetëm 23 vjeçe. Ajo ditë nuk ishte aspak e lehtë për mua”, ka thënë ajo në muajin korrik gjatë një konference të International AIDS Society (IAS) në Kigali të Ruandës.

Për shkak të stigmës, ajo nuk dëshiron të identifikohet plotësisht.

Në mesin e rreth 5.2 milionë grave që jetojnë me HIV në Afrikën e Jugut, Anele ishte fatlume që u diagnostikua herët falë një programi të ri social dhe mjekësor të quajtur FRESH (Females Rising through Education, Support and Health), i nisur në Umlazi në vitin 2012.

Prova e parë për shërimin e HIV-it në Afrikë

Ky program i lejoi mjekët të zbulonin infeksionin pothuajse menjëherë dhe ta nisnin menjëherë trajtimin. Pas disa vitesh, Anele u përfshi në provën e parë klinike në Afrikë që synonte shërimin e HIV-it.

Në vitin 2022, në provë morën pjesë 20 gra, të gjitha me trajtim antiretroviral për më shumë se shtatë vjet. Studimi u mbështet nga kompania farmaceutike Gilead Sciences dhe përdori një strategji të re: të “zgjonte” virusin nga vendet ku fshihej dhe më pas ta shkatërronte.

“HIV nuk jeton në gjak, por në rezervuar, në nyje limfatike, në mëlçi apo në tru. Duhet ta nxjerrësh jashtë që antitrupat neutralizues të mund ta shkatërrojnë”, ka shpjeguar Krista Dong, drejtoreshë klinike e FRESH dhe profesoreshë në Ragon Institute të Harvardit, MIT dhe Mass General Brigham.

Ajo e quajti këtë strategji “kick and kill”.

Gratë morën një ilaç të ri të quajtur vesatolimod çdo dy javë, ndërsa ditën e shtatë u injektuan me antitrupa neutralizues (bNAbs), të dizajnuar posaçërisht për llojin më të përhapur në Afrikë, kladi C. Në ditën e 35, u ndal trajtimi me ilaçe antiretrovirale për të parë nëse virusi do të rikthehej.

Rezultatet

Brenda një viti, tek 16 gra virusi u rikthye dhe ato rifilluan trajtimin. Por tek katër gra, HIV-i mbeti i padukshëm.

“Duhej të siguroheshim që pjesëmarrëset e kuptonin plotësisht rrezikun, sepse ndërprerja e terapisë bart pasoja reale”, ka thënë Thumbi Ndung’u, profesor në Universitetin e KwaZulu-Natal, që udhëhoqi pjesën laboratorike të provës.

Sot, vetëm një prej tyre, Anele, vazhdon të jetë pa ilaçe dhe pa HIV për më shumë se dy vjet.
Ani pse është ende herët për ta shpallur të shëruar, ekspertët besojnë se kjo është mundësi shumë reale.

“Edhe pse prova FRESH nuk ishte sukses i plotë, fakti që 20 për qind e grave arritën kontroll afatgjatë të virusit është entuziazmuese. Ka sjellë shpresë se përparimi është real”, ka thënë Dong.
Mst: Pse këto prova janë të rëndësishme për Afrikën

Sipas Ndung’ut, provat në Afrikë janë thelbësore, sepse shumica e studimeve të mëparshme janë bërë në SHBA, kryesisht te burrat homoseksualë.
Por në Afrikë, shumica e të prekurve janë gra të reja.

“Në Perëndim, epidemia është kryesisht tek burrat homoseksualë, ndërsa në Afrikë shumica janë gra të reja. Për të zhvilluar një kurë që ka ndikim, duhet të sigurohemi se funksionon në Afrikë. Dhe mënyra e vetme është të bëjmë prova këtu”, ka thënë ai.

Shpresa për të ardhmen

Studiuesit po analizojnë pse trajtimi funksionoi vetëm te disa gra, ndoshta faktorët gjenetikë, madhësia e rezervuarëve viralë ose reagimi i imunitetit. Ata shpresojnë të fillojnë prova të reja që përfshijnë pacientë më të ndryshëm, përfshirë ata me tuberkuloz apo hepatit B, që shpesh shfaqen bashkë me HIV-in në Afrikë.

Ndërkohë, rastet si ai i Aneles kanë ndezur interes të madh në rajon.

Studiues në Botsuanë dhe vende të tjera afrikane tashmë shprehin gatishmëri për të zhvilluar prova të ngjashme.

“Kjo ka sjellë shpresë të madhe në komunitet se një kthesë e re është bërë në luftën kundër HIV-it”, ka thënë Dong.