Çmimet globale të kafesë së papërpunuar janë dyfishuar brenda pak muajsh, si rezultat i kushteve të pafavorshme klimatike dhe paralajmërimeve për vendosjen e tarifave nga Shtetet e Bashkuara. Kjo rritje vjen në një kohë kur prodhimi global, ndonëse pritet të rritet, mbetet nën pritjet e tregut për shkak të humbjeve të mëdha në vendet kryesore prodhuese si Brazili dhe Vietnami.
Sipas agjencisë Associated Press, thatësira dhe temperaturat e larta kanë dëmtuar ndjeshëm të korrat, duke ndikuar në parashikimet për sezonin aktual. Kërkesa në rritje nga tregjet e mëdha si SHBA-ja, Evropa dhe Kina ka ushtruar presion shtesë mbi çmimet, të cilat kulmuan në muajin shkurt dhe mbeten ende në nivele të larta.
Kafeja jeshile, e cila përdoret si lëndë e parë për prodhimin e kafesë së pjekur, ka kushtuar mbi dyfish më shumë në mars sesa në shtator të vitit të kaluar. Ndërkohë, çmimet për kafetë speciale – të cilat kultivohen në klimë të butë për të përmirësuar shijen – janë rritur edhe më tepër.
Një faktor tjetër që po ndikon në rritjen e çmimeve janë tarifat e reja tregtare të shpallura nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Tarifat prej 10 për qind përfshijnë shumicën e vendeve kryesore prodhuese të kafesë si Brazili, Etiopia dhe Kolumbia. Për më tepër, Trumpi ka kërcënuar me tarifa të larta prej 46 pë rqind ndaj Vietnamit dhe 32 për qind ndaj Indonezisë, edhe pse zbatimi i tyre është shtyrë përkohësisht. Kjo pasiguri ka detyruar importuesit amerikanë të furnizohen me sasi më të mëdha përpara hyrjes në fuqi të tarifave.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Kafesë, eksportet globale të kafesë së papërpunuar ranë me 14.2% në shkurt krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke çuar çmimin në nivelin më të lartë që nga viti 1977, kur një ngricë shkatërroi pjesën më të madhe të të korrave në Brazil.
Krahas kushteve klimatike, edhe faktorë ekonomikë si inflacioni, kostot e plehrave, fuqisë punëtore dhe huamarrjes kanë kontribuar në këtë rritje të ndjeshme të çmimeve.