Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

“Sephora” dhe “Benefit Cosmetics” nën hetime për reklamim të produkteve kozmetike për fëmijë

Sephora

Sephora

Foto: Associated Press

Autoritetet italiane kanë nisur një hetim ndaj brendeve të produkteve kozmetike të bukurisë “Sephora” dhe “Benefit Cosmetics”, për shkak të dyshimeve se kanë përdorur strategji marketingu “tinëzare” për të shitur produkte kujdesi për lëkurën fëmijëve.

Sipas autoritetit italian te konkurrencës dhe tregut “Autorità Garante della Concorrenza e del Mercato” (AGCM), hetimi është hapur ndaj kompanisë mëmë, konglomeratit, “Louis Vuitton and Mowt Hennessy” (LVMH), e cila dyshohet se ka tentuar të promovojë produkte kundër plakjes edhe për fëmijë nën moshën 10-vjeçare, ka raportuar BBC.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Autoritetet paralajmërojnë se këto praktika mund të kenë nxitur fenomenin e ashtuquajtur “cosmeticorexia”, një obsesion i pashëndetshëm me kujdesin ndaj lëkurës te të rinjtë, që sipas ekspertëve është në rritje.

Në një deklaratë, përfaqësuesit e “LVMH” kanë deklaruar se do të “bashkëpunojë plotësisht” me autoritetet, por nuk kanë dhënë komente të tjera për shkak të hetimeve në vazhdim.

Përfaqësuesit e AGCM kanë bërë të ditur se inspektorët, së bashku me policinë financiare italiane, kanë kryer kontrolle në zyrat e “LVMH” dhe “Sephora” në Itali.

Sipas tyre, kompanitë “mund të mos kenë sqaruar qartë” se produktet kozmetike nuk janë të destinuara për fëmijë, ndërsa “duket se kanë inkurajuar blerjen përmes strategjive të fshehta të marketingut që përfshijnë mikro-influencues të rinj”.

Hetimi përqendrohet në “praktika të mundshme tregtare të padrejta”, të lidhura me përdorimin e hershëm të kozmetikës për të rritur, përfshirë “nxitjen e blerjeve të vazhdueshme të maskave për fytyrë, serumeve dhe kremrave kundër plakjes” nga fëmijët nën 10 vjeç.

“Sephora”, e cila ka miliona ndjekës në rrjetet sociale, është bërë qendër e trendit “Sephora kids”, ku fëmijët publikojnë video duke treguar rutinat e tyre të kujdesit për lëkurën dhe produktet që blejnë. Qindra video shfaqin fëmijë që blejnë dhe prezantojnë produkte me etiketa si “Sephora kids haul” apo “Sephora kids GRWM (Get Ready With Me)”.

Si AGCM ashtu edhe Associacioni britanik i dermatologeve (British Association of Dermatologists) kanë paralajmëruar se këto produkte mund të jenë të dëmshme për fëmijët.

Sipas ekspertëve, ato mund të shkaktojnë irritime, reaksione alergjike dhe, në disa raste, probleme të përhershme të lëkurës.

Përfaqësuesit e AGCM kanë theksuar se paralajmërimet e rëndësishme për përdorimin nga fëmijët në produktet e “Sephora” dhe “Benefit” “mund të jenë lënë jashtë ose të jenë paraqitur në mënyrë mashtruese”.

“Të gjitha kompanitë rikonfirmojnë respektimin e plotë të rregullave në fuqi në Itali”, thuhet në deklaratën e “LVMH-së”