Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Studimi: Vaksina kundër Covid-19 lidhet me rrezik më të ulët për sulm në zemër dhe në tru

Vaksina kundër Covidit

Vaksina kundër Covidit

Një studim i ri i publikuar në revistën mjekësore JAMA Internal Medicine ka zbuluar se vaksina kundër Covid-19 lidhet me rreth 40 për qind më pak rrezik për ngjarje serioze kardiovaskulare, si sulmi në zemër, në tru dhe shtrimet në spital për sëmundje të zemrës që lidhen me infeksionin nga koronavirusi, ka raportuar The Washington Post.

Studiuesit analizuan të dhënat e rreth një milion veteranëve amerikanë gjatë viteve 2024-2025 dhe zbuluan se personat që morën vaksinën e përditësuar kundër Covid-19 kishin 37.7 për qind më pak gjasa të përjetonin komplikime serioze në zemër, të lidhura me virusin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përfitimi ishte më i madh te personat mbi 75 vjeç dhe tek ata që kishin probleme paraprake shëndetësore, si sëmundje të zemrës, diabet ose sëmundje kronike të mushkërive.

“Këto vaksina kanë sjellë përfitime edhe te njerëzit që ndoshta nuk e dinin se kishin kaluar Covid-19”, ka thënë një nga autorët e studimit, Ziyad Al-Aly.

Studimi ka zbuluar gjithashtu se personat e vaksinuar kishin rreth 6 për qind më pak rrezik për probleme serioze të zemrës në përgjithësi, edhe kur ato nuk lidhen drejtpërdrejt me një infeksion të diagnostikuar me Covid-19.

Po ashtu, vaksina u lidh me rreth 7 për qind më pak shtrime në spital dhe më pak vdekje nga të gjitha shkaqet.

Sipas studiuesve, në një grup prej një milion njerëzish, vaksinimi mund të parandalojë mbi 2.300 ngjarje të rënda kardiovaskulare dhe rreth 1.580 vdekje brenda tetë muajve.

Ekspertët theksojnë se nevojiten studime të tjera për të kuptuar më mirë të gjitha efektet pozitive të vaksinave mRNA, por rezultatet aktuale mbështesin rëndësinë e vaksinimit, sidomos te të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Megjithëse vaksinat kundër Covid-19 janë lidhur në raste të rralla me inflamacion të muskulit të zemrës (miokardit) dhe të mbështjellësit të saj (perikardit), specialistët theksojnë se përfitimet e vaksinimit vazhdojnë të jenë shumë më të mëdha se rreziqet e mundshme.