Karateisti Islam Selmani ka mbetur pa medalje në Kampionatin Evropian që po organizohet në Yerevan të Armenisë.
Por paraqitja tij është vlerësuar pozitive. Karateisti premtues përfundoi i pesti në ngjarjen kontinentale për seniorë, në kategorinë deri 60 kilogramë.
Selmani 19-vjeçar, në repesazh të shtunën, e humbi luftën për medalje të bronztë me karateistin e Armenisë, Yura Zalyan. Zalyan fitoi me rezultatin 5:3 ndaj karateistit të Kosovës. Lufta ishte shumë e fortë. 15 sekonda pa u mbyllur ballafaqimi, rezultati ishte i barabartë 3:3. Ndonëse u mundua të kthehej në lojë, Selmani nuk pati kohën e mjaftueshme dhe lufta i takoi karateistit kundërshtar.
Selmani, medalist i artë në Evropianin për kadetë, juniorë dhe U21, pati rrugëtim të gjatë deri në luftën për medalje të bronztë.
Në luftën e parë fitoi 4:2 ndaj karateistit të Skocisë, Adam Hamill.
Më pas dominoi ndaj rumunit Mario Petre, duke fituar 9:1.
Në raundin e tretë, Selmani e eliminoi grekun Christos-Stefanos Xenos.
Selmani garues të fortë përballë pati në gjysmëfinale. U mposht nga Akhmed Akhmedov. Karateisti rus që garon me flamur të Federatës Evropiane të Karatesë (EKF), fitoi me rezultatin 5:2.
Në repesazh Selmani nuk arriti që të fitojë në luftën për medalje të bronztë ndaj armenit Yura.
Në Yerevan të Armenisë garuan edhe disa karateistë por që u ndalën herët.