NËPËR FILM

Filmi “Në kërkim të Venerës”, propozimi i Kosovës për “Oscar”

Filmi i regjisores Norika Sefa, “Në kërkim të Venerës”, është propozimi i Kosovës për “Oscar 2023”.

Producenti i këtij projekti, Besnik Krapi, ishte i ftuar në emisionin “Nëpër Film”, me ç’rast tregoi se filmin e pret një rrugëtim i gjatë promovimi për të arritur deri tek nominimi për çmimin prestigjioz akademik.

Në një familje tradicionale shqiptare duket mision i zorshëm arritja e pavarësisë. Përplasjet midis gjeneratave janë të pashmangshme. Kështu regjisorja nëpërmjet filmit të saj “Në kërkim të Venerës”, vë në pikëpyetje sesi është të rritesh në një shtëpi ku jetojnë tri gjenerata, e që për shumë kultura tingëllon si diçka e pamundur. Sidoqoftë, nga kritikët ky film i metrazhit të gjatë shihet si rrëfim universal. Një reflektim se çfarë do të thotë adoleshenca, një përmbledhje e kërkimit drejt individualitetit.

I mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë xhirimet e filmit kishin përfunduar para se të shpërthente kriza globale shëndetësore.

“Në kërkim të Venerës”, në rolet kryesore i sjell aktoret e reja, Kosovare Krasniqi dhe Rozafa Çelaj, si dhe aktorët tjerë: Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Anisa Ismaili, Sheqerie Buqaj dhe Bleon Monolli.