Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka ngritur alarmin për situatën e rënduar financiare me të cilën po përballet institucioni, duke njoftuar se, deri më 31 korrik, nuk ka pranuar asnjë mjet buxhetor për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.
Për pasojë, është vënë në rrezik serioz ekzekutimi i pagave për stafin, si dhe përmbushja e obligimeve të tjera operative.
“RTK ka njoftuar me kohë për situatën dhe ka dërguar kërkesa zyrtare te mekanizmat institucionalë të Republikës së Kosovës, mirëpo deri tani nuk kemi pranuar përgjigje apo ndonjë informacion për rrjedhën e mëtejme”, thuhet në njoftimin e menaxhmentit.
Përpjekjet për të ruajtur stabilitetin financiar, përmes menaxhimit racional dhe optimizimit të brendshëm, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të përballuar krizën aktuale pa ndihmën e institucioneve, ka thënë menaxhmenti i televizionit.
RTK-ja, si medium publik me mision kushtetues, paralajmëron se çdo vonesë e mëtejme në mbështetjen financiare rrezikon funksionimin e institucionit dhe besimin e publikut në shërbimin informues.
Në kushtet kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, menaxhmenti i RTK-së i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë për reagim të menjëhershëm dhe trajtim me prioritet të lartë të kësaj çështjeje jetike për funksionimin e transmetuesit publik.
E Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka paralajmëruar protestë më 6 gusht nëse nuk bëhet alokimi i mjeteve të nevojshme.