Gjykata Kushtetuese përmes dispozitivit dhe arsyetimit në aktgjykim ka prodhuar politikë për një stabilitet artificial, sepse ka privilegjuar aktor të caktuar politikë, dhe ka sakrifikuar parime normative dhe ka injoruar epërsinë e neneve kushtetuese kundrejt neneve të rregullores. Me këtë rast, nuk ka ofruar zgjidhje afatgjate veçse ka lënduar besimin demokratik brenda pakicë
Në çdo vend normal, e të së drejtës, Kushtetuta duhet të ketë epërsi ndaj çdo akti tjetër ligjor, përfshirë Rregulloren e Kuvendit. Në rastin tonë, paragrafi 4 i nenit 67 i Kushtetutës flet për përfaqësimin e komuniteteve në Kryesinë e Kuvendit, pa e kushtëzuar atë shprehimisht me grupin politik specifik, të përkatësisë komunitare.
Por, problemi qëndron te nënparagrafi 6.1 i paragrafit 6 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, duke e lidhur funksionin e nënkryetarit ekskluzivisht me një grup specifik politik parlamentar të pakicës serbe, dhe kjo përbën të paktën dy gjëra problematike: privilegjon një grup specifik politik serb dhe jo pakicën si tërësi, si dhe tkurr kuptimin kushtetues në përfaqësimin e pakicës serbe.
Në hirin doktrinar kushtetues, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese vihet në tension të drejtpërdrejtë me parimin e neutralitetit politik të Kushtetutës, dhe me idenë që të drejtat kushtetuese u përkasin deputetëve të grupimit specifik politik, jo pakicës si tërësi.
Gjykata Kushtetuese me këtë aktgjykim “sui generis” nga sa përshkruan në dispozitiv dhe arsyetim, ka zgjedhur një interpretim funksional e politik dhe jo normativ, ngase ka toleruar devijim nga parimi i prevalencës së akteve ligjore. Ky tolerim nuk është i panjohur në jurisprudencë, por është kontestues, sepse Gjykata nuk ka arsyetuar bindshëm pse grupi specifik “srpska lista” përfaqëson domosdoshmërisht komunitetin serb. Me këtë rast, Gjykata me aktgjykim ka krijuar: a) precedent ligjor, ku aktet nënligjore "e lexojnë" Kushtetutën sipas realiteteve momentale, dhe b) cenim i parimit të barazisë së deputetëve të pakicës së njëjtë, duke përjashtuar ata/ato që nuk janë pjesë e grupit specifik politik. Kushtetuta nuk flet për parti, por për komunitete. Gjykata do të duhej ta gjykonte frymën e Rregullores në përputhje me Kushtetutën, jo anasjelltas. Andaj, duke mos e pranuar që çdo deputet i pakicës serbe, pavarësisht grupit parlamentar të mund të propozohej, aktgjykimi mund të konsiderohet i brishtë kushtetutshmërisht, i debatueshëm juridikisht, por i kuptueshëm politikisht.
Aktgjykimi (KO325/25) i Gjykatës, në vend se të vendoste për përfaqësim efektiv ka lejuar monopol politik. Pra, do të duhej çështja të gjykohej që të mundësohet përfaqësimi efektiv dhe real i pakicës serbe, pluralizimi brenda pakicës dhe të mos detyrojë afiliimin politik të caktuar. Madje, edhe në dokumente të Komisionit të Venecias theksohet se "masat për përfaqësim të pakicës nuk duhet të rezultojnë në ngrirjen e identitetit politik të saj". Nëse nisemi nga koncepti juridik i Komisionit të Venecias, rasti i adresuar në Gjykatë bie ndesh kur Rregullorja (dhe më pas Gjykata Kushtetuese) e lidh pozitën e nënkryetarit me një grup specifik parlamentar të pakicës serbe dhe përjashton çdo deputet tjetër serb që nuk i përket atij grupi!. Atëherë, Gjykata Kushtetuese me aktgjykim çfarë realiteti momental ka konfirmuar: atë të mohimit të pluralizmit politik brenda pakicës, kufizimit indirekt të së drejtës për t'u zgjedhur dhe monopolizimit në përfaqësim!. Ky aktgjykim ka krijuar një problematikë në të ardhmen për gjyqësinë kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese përmes dispozitivit dhe arsyetimit në aktgjykim ka prodhuar politikë për një stabilitet artificial, sepse ka privilegjuar aktor të caktuar politikë, dhe ka sakrifikuar parime normative dhe ka injoruar epërsinë e neneve kushtetuese kundrejt neneve të rregullores. Me këtë rast, nuk ka ofruar zgjidhje afatgjate veçse ka lënduar besimin demokratik brenda pakicës. Gjykata nuk mundet dhe nuk duhet të favorizojë një parti të caktuar si "përfaqësuese legjitime" të një grupi shoqëror, po ashtu nuk duhet që nëse deputetë të zgjedhur të barabartë, që i përkasin të njëjtit komunitet, por që nuk i përkasin së njëjtës përkatësi partiake atëherë përjashtimi i njërit përbën diskriminim politik.
Pluralizmi politik brenda një komuniteti është themel për një shoqëri demokratike, prandaj paradoksi qëndron te njohja e “srpska lista” si bllok homogjen dhe me ekskluzivitet, për pakicën serbe në tërësi.