Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Çarjet e para në sektorin e TIK-ut në Kosovë?

Kosova ka treguar se di të ndërtojë një sektor nga fillimi. Tani sfida është të kuptohet me kohë që loja po ndryshon dhe duhet të veprohet para se kjo të bëhet e ndjeshme për të gjithë. Sepse kur bëhet e ndjeshme, zakonisht është vonë

Prej vitesh, sektori i Teknologjisë Informative dhe Komunikimit (TIK) në Kosovë është një nga rrëfimet e rralla të suksesit. Përmes tij janë krijuar mijëra vende pune, sidomos për të rinjtë, dhe është tërhequr kapital nga jashtë pa kërkuar investime kolosale. Në një vend ku krijimi i vendeve të punës mbetet sfidë, ky sektor është kthyer në një nga shtyllat kryesore për punësim, eksport dhe modernizim ekonomik.

Rritje mbresëlënëse, por e paqëndrueshme

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sot, sipas të dhënave zyrtare rreth 20,000 njerëz punojnë në sektorin e TIK-ut. Për ta bërë më të kuptueshme peshën e tij, mjafton një krahasim i thjeshtë: Trepça, në ditët e saj më të mira, punësonte po kaq shumë njerëz, duke përfshirë minierat, metalurgjinë dhe gjithë zinxhirin prodhues. Dallimi është se TIK-u nuk shihet në horizont. Nuk ka oxhaqe, fabrika të mëdha, apo linja prodhimi. Nuk menaxhohet nga një dorë e vetme, joeficiente. Puna zhvillohet në zyra dhe qendra të thirrjeve, e shpërndarë në mijëra kompani të vogla e të mesme. Prandaj për qytetarin duket si sektor më i vogël sesa është në të vërtetë. Por për ekonominë, pesha e tij është e madhe dhe konkrete.
Rritja e këtij sektori është vërtet mbresëlënëse. Ajo nuk erdhi si rezultat i politikave publike apo subvencioneve, por nga iniciativa e lirë e ndërmarrësve. Në periudhën 2021-2023 numri i ndërmarrjeve të TIK-ut u rrit nga rreth 2,800 në afro 4,000, ndërsa i të punësuarve nga rreth 14,700 në mbi 18,600.

E njëjta histori shihet edhe te eksportet e shërbimeve të TIK-ut. Nga 99 milionë euro në vitin 2021, ato u rritën në 210 milionë në 2022, në 286 milionë në 2023, në 348 milionë në 2024 dhe në 398 milionë euro në vitin 2025. Një rritje e tillë, brenda kaq pak vitesh, rrallë shihet në ekonominë e Kosovës.

Sinjalet e para

Në shikim të parë, kjo është një histori e pastër suksesi. Por pikërisht këtu duhet të jemi të kujdesshëm. Sepse një rritje e shpejtë nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të qëndrueshme. Një pjesë e këtij momentumi, sidomos në vitet 2022 dhe 2023, lidhet me zhvillime jashtë Kosovës. Lufta në Ukrainë e çrregulloi tregun për “outsourcing” në Evropë dhe shumë investitorë u detyruan të kërkojnë alternativa. Kosova përfitoi nga kjo situatë. Por tani po vërejmë një ndryshim të ritmit dhe strukturës së rritjes. Sektori i TIK-ut vazhdon të rritet, por me ritëm më të ngadaltë, në një mjedis krejt tjetër dhe me presione të reja.

Një nga këto presione po vjen nga një ndryshim tjetër shumë më i thellë, që sjell mundësi, por edhe rreziqe: Inteligjenca Artificiale.

Për ta thjeshtuar, një pjesë e madhe e shërbimeve të TIK-ut që Kosova eksporton, bazohet në procese strikte dhe detyra rutinore që përsëriten. Këtu hyjnë komunikimi me klientët, përpunimi i të dhënave dhe një pjesë e programimit. Pikërisht këto janë fushat ku Inteligjenca Artificiale po bëhet gjithnjë e më e aftë dhe po zëvendëson qysh sot faktorin njeri.

Në praktikë, ky zëvendësim nuk përcillet me njoftime publike, apo me valë largimesh nga puna. Ai është gradual, por i vazhdueshëm. Përderisa ndërmarrjet po e ulin ritmin e punësimit, pozitat e lira po i zëvendësojnë më rrallë dhe kontratat nuk po i vazhdojnë me automatizëm. Fokusi është zhvendosur te testimi i zgjidhjeve të Inteligjencës Artificiale dhe integrimi i tyre në zinxhirin e vlerës, ndërsa eficienca dhe automatizimi mbeten synimet kryesore. Për Kosovën, kjo do të thotë më pak kërkesë për shërbimet që ofron sot.

Në nivel global, ky ndryshim tashmë po diskutohet hapur. Edhe vetë ndërmarrjet që zhvillojnë teknologjitë e IA paralajmërojnë se shumë vende pune në nivelet fillestare do të zhduken brenda pak vitesh dhe se ky ndryshim mund të vijë shumë më shpejt sesa mendohet.

A po e godet IA sektorin e TIK-ut?

A është Inteligjenca Artificiale arsyeja kryesore për ngadalësimin e rritjes së eksporteve të TIK-ut? Përgjigjja e sinqertë është se nuk e dimë ende me siguri. Tregjet gjithmonë ndikohen nga disa faktorë në të njëjtën kohë. Por, do të ishte gabim dhe një iluzion i rrezikshëm të injorohej Inteligjenca Artificiale si një faktor i mundshëm. 

Tani për tani, ajo çfarë dimë me siguri është se nëse tregu i TIK-ut dobësohet, ndikimi nuk do të mbetet vetëm brenda sektorit, por do të kalojë direkt në tregun e punës. Kjo nënkupton më pak vende të reja pune, më shumë presion për të punësuarit dhe më shumë vështirësi për të rinjtë që hyjnë në treg. Në një vend si Kosova, kjo mund të kthehet shpejt në problem social. Papunësia rritet, konsumi bie dhe migrimi shtohet. Sepse, kur mungon perspektiva, njerëzit kërkojnë mundësi diku tjetër. Kjo është një dinamikë që e njohim mirë.

Koha për veprim

Kosova ende gëzon disa përparësi. Sektori i TIK-ut është i ri dhe fleksibël. Ai nuk është i lidhur me struktura të vjetra apo teknologji të tejkaluara, gjë që e bën përshtatjen më të lehtë krahasuar me industri të tjera.

Por, përshtatja nuk ndodh vetvetiu. Nga ndërmarrjet kërkohet ripozicionim, ngritje kapacitetesh dhe investime në fusha dhe tregje të reja. Duke njohur mirë shpirtin ndërmarrës të njerëzve tanë, jam i bindur se kjo përshtatje do të ndodhë. Por, pa mbështetje institucionale tranzicioni do të jetë më i ngadaltë dhe më i dhimbshëm. E mbështetja nevojitet në fushën e inovacionit, zhvillimit të shërbimeve dhe produkteve të reja, qasjes në tregje të reja dhe në shërbime të këshillëdhënies. Po ashtu, është thelbësore mbështetja për ngritjen e aftësive të fuqisë punëtore përmes programeve të edukimit të vazhdueshëm, në mënyrë që të punësuarit të kalojnë nga punët e thjeshta në role më të përparuara, në përputhje me zhvillimet bashkëkohore.

Kosova ka treguar se di të ndërtojë një sektor nga fillimi. Tani sfida është të kuptohet me kohë që loja po ndryshon dhe duhet të veprohet para se kjo të bëhet e ndjeshme për të gjithë. Sepse kur bëhet e ndjeshme, zakonisht është vonë.

Zgjidhja për Trepçën mund të zgjasë me dekada. Por, zhvillimi dhe forcimi i “Trepçës” moderne është ende në dorën tonë.

(Autori është ekonomist dhe themelues i www.eciks.com