Opinion

Çka sinjalizojnë njohjet e reja nga Kenia, Sudani dhe Siria?

Rendi global multipolar prodhon pengesa të reja. Paralelisht, ai ofron edhe mundësi të reja për projektim të agjencisë shtetërore, përmes hapjeve diplomatike. Përballë vështirësimit të integrimit multilateral dhe dialogut të ngadalësuar me Serbinë, njohjet e reja duhet të shërbejnë si katalizator për rikthimin e kësaj axhende në qendër të punëve të jashtme

Njohja nga Siria me 29 tetor 2025 ka ringjallur debatin mbi njohjet ndërkombëtare të Kosovës, i cili për një kohë kishte përbërë epiqendrën e politikës së jashtme. Disi gradualisht, ky proces po i afrohet numrit të 2/3 të njohjeve nga shtetet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Kjo do të paraqiste fitore diplomatike, ani pse dikush mund t’a shohë si simbolike, në mungesë të anëtarësimit të plotë.

Midis shtatorit 2020 dhe marsit 2025, Kosova përjetoi një periudhë shterpë me zero njohje dypalëshe. Gjatë vitit 2025 situata ndryshoi, me njohjet formale nga Kenia në mars, Sudani në prill dhe Siria në tetor.

Këto tre njohje mund të konsiderohen të parat në rendin global multipolar ose post-liberal. Rrjedhimisht, ato ofrojnë disa mësime në raport me ridefinimin e sferave të dominimit, aktorëve kyç dhe balancit të fuqisë nëpër rajone.

Një nga elementet kryesore është se përfshirja direkte e shteteve, si Arabia Saudite dhe Turqia, shërben si dëshmi e rritjes së rolit të fuqive rajonale. Në literaturë një nga tiparet e rendit multipolar aktual, shpesh konsiderohet rritja e rëndësisë së fuqive së mesme (middle powers). Rendi ndërkombëtar i cili po merr trajtë, i lejon fuqitë e mesme që përbrenda skemave rajonale të projektojnë një staturë që ngjason me atë të fuqive të mëdha.

Më tej, njohjet e reja vënë në spikamë lëvizjen e balancit të fuqisë midis shteteve, si dhe ndërmjet grupeve të shteteve. Ta zëmë, në Lindjen e Mesme qendra e rëndesës në dy dekadat e fundit ka rrëshqitur vërejtshëm nga rajoni i Levantit drejt shteteve të Gjirit Persik. Element tjetër me rëndësi është se me rënien e regjimit të Asadit në Siri në dhjetor 2024, arkitektura e riformësuar e rajonit vë në dukje rritjen e influencës së faktorit sunit. Në këtë kontekst, koridori Ankara-Damask-Riad ka krijuar një aks me ndikim jo vetëm brenda, por edhe jashtë Lindjes së Mesme.

Midis këtyre transformimeve, përcjellësit e fushës kanë pohuar me të drejtë se Kosova duhet synuar njohjen nga shtetet e mbetura, si Iraku dhe Libani. Paralelisht, do të ishte e vyeshme që njëri sy të shohë kah ndryshimet tjera që mund të shfaqen përreth, ta zëmë në Iran.

Nga njëra anë është për vlerësim fakti që brenda më pak se dy dekadave, Kosova thuajse ka arritur ta kompletojë njohjen brenda një rajoni heterogjen, me tensione shtetërore, kombëtare, fetare dhe sektare. Nga ana tjetër vlerësimi do të mbetej i kotë po nuk u shtrua pyetja se si të arrihet tek skenarë të ngjashëm nëpër rajone gjetkë. Kaukazi, Magrebi, apo Saheli janë disa prej tyre. Në disa rajone të kontinenteve të Afrikës, Amerikës Latine dhe Azisë, narrativa dhe postura e Kosovës nuk kanë arritur të adaptohet mjaftueshëm me transformimet e rendit të ri.

Sa i përket njohjes dypalëshe, vitet e fundit përqëndrimi i Kosovës ka qenë në pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian (BE). Kjo qasje është e kuptueshme, meqë integrimi në BE paraqet synimin kryesor të deklaruar të politikës së jashtme.

Megjithkëtë, tre njohjet e reja duhet lexuar si inkurajim për angazhim më të thellë me sferën joperëndimore; pra si një plotësim, jo zëvëndësim, i partneriteteve perëndimore. Fragmentarizimi i rendit global ka ndihmuar shtetet joperëndimore, shpesh të referuara me termin përgjithësues dhe homogjenizues ‘Global South’, për të projektuar ambicien dhe zgjeruar ndikimin e tyre.

Përderisa në proceset lobuese vërehet roli i Presidencës, Qeveria ka marrë pozicion dukshëm më të tërhequr. Kjo ngjan befasuese meqë Qeveria kishte luajtur rolin kryesor në arritjen e njohjeve në të kaluarën. Marrë në konsideratë rrjetin diplomatik në dispozicion, mungesa e një qasjeje proaktive dhe insistuese nga ana e Qeverisë për shtetnjohjen bart kosto. Kosto janë rastet e humbura.

Elementi tjetër që vlen të përmendet është rëndësia e diplomacisë shumëaktorëshe. Krahas Presidencës, hetohet njëfarë përfshirje e aktorëve dytësorë dhe joshtetërorë, si individë nga biznesi dhe kleri fetar. Në këtë kontekst, aktorët joshtetërorë kosovarë, si organizatat joqeveritare, institucionet shkencore dhe kompanitë, mund të integrohen shumë më shumë brenda konfiguracioneve të politikës së jashtme.

Parë përgjithësisht, tre njohjet e reja mund të konsiderohen të kenë krijuar një valë të re. Kjo valë mund dhe duhet zgjeruar më tej. Për këtë kërkohet zbatimi i një diplomacie me një qasje më të balancuar kundruall fokusit gjeografik, si dhe me një llojllojshmëri aktorësh të përfshirë. Tutje, cilësia e përfaqësimit ndërkombëtar do të përmirësohej dhe retorika diplomatike do të stërhollohej duke u ndërlidhur me vlerat dhe dimensionet morale të marrëdhënieve ndërkombëtare, si në raport me Gazën apo Sudanin.

Rendi global multipolar prodhon pengesa të reja. Paralelisht, ai ofron edhe mundësi të reja për projektim të agjencisë shtetërore, përmes hapjeve diplomatike. Përballë vështirësimit të integrimit multilateral dhe dialogut të ngadalësuar me Serbinë, njohjet e reja duhet të shërbejnë si katalizator për rikthimin e kësaj axhende në qendër të punëve të jashtme.

(Autori mban gradën PhD për marrëdhënie ndërkombëtare nga Universiteti i Tartu në Estoni, ku edhe ka ligjëruar. Botimet e tij akademike dhe hulumtimet e politikave përqendrohen në politikën e jashtme, diplomacinë, sovranitetin e kontestuar dhe transformimin e rendit global. Ka bashkëpunuar me institute dhe organizata vendore dhe të huaja, duke përfshirë së fundmi International Centre for Defence and Security (ICDS) në Tallinn)