Në një shtet demokratik, Kuvendi nuk është një institucion që mund të “përmbyset” përmes interpretimeve të zgjeruara ose përmes kalkulimeve politike të momentit. Ai është institucioni përfaqësues i sovranit – qytetarëve – dhe funksionimi i tij është i mbrojtur nga vetë Kushtetuta. Prandaj, dekretet që nuk mbështeten qartë në dispozitat kushtetuese nuk janë vetëm të diskutueshme juridikisht; ato janë të rrezikshme politikisht
Në një republikë kushtetuese, pushteti nuk matet me vullnet politik, por me kufijtë që ia vendos Kushtetuta. Sa herë që këta kufij relativizohen ose interpretohen sipas interesit të momentit politik, rrezikohet vetë rendi institucional i shtetit. Debati i fundit rreth dekretit për shpërndarjen e Kuvendit nuk është thjesht një debat teknik apo juridik; ai është një test serioz për mënyrën se si kuptohet dhe respektohet Kushtetuta në Republikën e Kosovës.
Në hapësirën publike janë paraqitur argumente që përpiqen ta justifikojnë këtë dekret duke e paraqitur si veprim të domosdoshëm politik. Por kur argumentimi fillon të ndërtohet mbi supozime dhe jo mbi dispozita kushtetuese, atëherë problemi nuk është vetëm interpretimi i gabuar i Kushtetutës, por edhe tentativa për ta përmbysur logjikën e saj institucionale. Pikërisht për këtë arsye është e nevojshme të sqarohet se çfarë thotë Kushtetuta dhe çfarë nuk lejon ajo.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë vijim paraqiten disa vërejtje lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe mënyrën se si po tentohet të argumentohet ai në diskursin publik.
Dekreti jo vetëm që është në kundërshtim me Kushtetutën, por edhe mënyra se si po tentohet të argumentohet – interpretohet (mbrohet) – është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Argumentuesit” po thonë se në javën e parë të janarit është dashur të fillojnë procedurat për zgjedhjen e Presidentit. Madje kujtojnë se qëllimi ka qenë shpërndarja e Kuvendit. Këta ose flasin përmendësh, ose janë dashakeqës ndaj Republikës. Do t’i mirëkuptoja nëse do të flisnin përmendësh.
Në javën e parë të janarit, Kosova ishte vetëm pak ditë pas zgjedhjeve për legjislaturën e dhjetë. Nuk kishte Kuvend të konstituuar. Si do të kishte qenë e mundur të fillonin procedurat për zgjedhjen e Presidentit, sipas kësaj logjike?
Moszgjedhja e presidentit "jo më vonë se tridhjetë ditë" në asnjë rrethanë nuk nënkupton veprime automatike. Nuk ka automatizëm në politikë, sepse para se të bëhet politikë institucionale, ekzistojnë rregulla kushtetuese që mundësojnë veprime politike, të cilat duhet të bëhen në harmoni me Kushtetutën, e cila është edhe akt politik. Pra, një veprim politik nuk mund ta tejkalojë aktin politik.
Në rrethanat aktuale:
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është akt në kundërshtim me Kushtetutën.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është akt jopolitik.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është akt joinstitucional.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është veprim politik në kundërshtim me aktin politik.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është sjellje politike që, në pamje të parë, mund të duket e qëndrueshme, por pasoja që shkakton ndaj institucionit të vetëm përfaqësues të popullit – Kuvendit – është në kundërshtim me Kushtetutën.
Neni 82 i Kushtetutës përcakton rastet kur shpërndahet Kuvendi. Kosova, me përvojën e saj institucionale deri më tani, nuk ka pasur rast ta zbatojë nenin 82, paragrafi 1, nënparagrafi 3. Nënparagrafët 1 dhe 2 janë zbatuar më herët.
Neni 86, paragrafi 2, nuk ka fiksuar afat dhe shprehimisht përcakton se: “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.
Cili është fakti këtu? Organizimi i seancës më 5 mars. Pra, procedura filloi. Çka nëse procedura do të kishte filluar 15 ditë më herët dhe Presidenti nuk do të ishte zgjedhur? Faktet e datës 5 mars e pamundësuan realizimin e afatit “jo më vonë se tridhjetë ditë”. Këto tridhjetë ditë janë një mundësi, por kurrsesi pasojë për të krijuar rrethana veprimi automatik.
Pikërisht neni 82, paragrafi 1, nënparagrafi 3 ofron sigurinë juridike dhe institucionale dhe shprehimisht përcakton se Kuvendi e humb aftësinë e tij vepruese: “nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës”.
Pra, saktësisht përcaktohet se kur dhe në cilat rrethana mund të shpërndahet Kuvendi. Ky kusht ende nuk është plotësuar. Ka kohë deri në ditën e gjashtëdhjetë pas datës 5 mars. Pra, janë edhe dy muaj për të provuar zgjedhjen e Presidentit dhe për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk mundëson “përmbysjen” e organit kryesor të qeverisjes – Kuvendit – nga askush, e as nga Presidenti i Republikës, i cili zgjidhet nga Kuvendi.
Në një republikë kushtetuese, pushteti nuk matet me vullnetin e momentit politik, por me kufijtë që ia vendos Kushtetuta. Pikërisht këtu qëndron dallimi midis një vendimi politik dhe një veprimi kushtetues. Kur ky dallim fillon të relativizohet, atëherë rrezikohet vetë rendi institucional i shtetit. Çështja e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit nuk është vetëm debat juridik për interpretimin e disa dispozitave kushtetuese; ajo është një provë serioze për mënyrën se si kuptohet dhe respektohet Kushtetuta në Republikën e Kosovës.
Kushtetuta nuk ka lënë hapësirë për improvizime politike dhe as për veprime që tentojnë ta zëvendësojnë tekstin e saj me logjikë të momentit. Ajo e ka përcaktuar qartë se kur dhe në cilat rrethana Kuvendi mund të humbasë aftësinë e tij vepruese dhe kur mund të shpërndahet. Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë rend kushtetues, duke e paraqitur një vendim si të domosdoshëm politikisht, në thelb është përpjekje për ta relativizuar vetë Kushtetutën.
Në një shtet demokratik, Kuvendi nuk është një institucion që mund të “përmbyset” përmes interpretimeve të zgjeruara ose përmes kalkulimeve politike të momentit. Ai është institucioni përfaqësues i sovranit – qytetarëve – dhe funksionimi i tij është i mbrojtur nga vetë Kushtetuta.
Prandaj, dekretet që nuk mbështeten qartë në dispozitat kushtetuese nuk janë vetëm të diskutueshme juridikisht; ato janë të rrezikshme politikisht. Sepse kur fillon të relativizohet Kushtetuta, atëherë fillon të lëkundet edhe vetë themeli institucional i Republikës.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit në rrethanat aktuale është akt në kundërshtim me Kushtetutën.
(Autori është profesor i teorisë së shtetit dhe së drejtës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)