Një nga konceptet më thelbësore të gjuhës që i jep formë vetë ligjit, pra DIATEZA, anashkalohet vazhdimisht në debatet tona publike dhe juridike. Kjo është e habitshme dhe e rrezikshme njëkohësisht. Diateza tregon marrëdhënien midis veprimit, subjektit që e kryen dhe objektit që e pëson. Nëse themi "Kuvendi voton", jemi në diatezën veprore: theksi bie mbi aktin dhe kryesin e tij, duke shënuar një proces në zhvillim e sipër. Por nëse themi "presidenti zgjidhet", kalojmë në diatezën pësore: theksi bie tërësisht te rezultati i certifikuar dhe tek ai që e pëson veprimin. Ky dallim gramatikor nuk është çelësi për të lexuar saktë tekstin dhe ngërçet kushtetuese.
Hartuesit e Kushtetutës kanë qenë tepër të kujdesshëm me diatezën. Ata kanë zgjedhur foljen "take place", në diatezën veprore, për të treguar një ngjarje fizike që ndodh në hapësirë dhe kohë, e jo në diatezën pësore, e cila do të shënjonte certifikimin e një fituesi. Prova bindëse gjendet në nenin 86, pika 5: kur votime të mëparshme dështojnë, teksti thotë shprehimisht se "a third ballot takes place". Meqenëse Kushtetuta vetë ia jep këtë trajtë diatezore një raundi të vetëm votimi, për të shënuar zhvillimin e aktit, logjika deduktive dikton që fraza "shall take place" në nenin 86.2 përcakton procesin, jo rezultatin. Kjo gjuhë shënon aktin e mbledhjes dhe nisjes, jo finalizimin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKushtetuta e ndan qartë aktin e votimit nga suksesi i votimit, duke kaluar me vetëdije nga një diatezë në tjetrën. Kur neni 82.1.3 sanksionon rënien e Kuvendit pas 60 ditësh, ai përdor foljen "is not elected", pra diatezën pësore, për të shënuar rezultatin përfundimtar. Ky nen thekson njëkohësisht se koha llogaritet nga fillimi i procedurës, pra nga nisja e procesit. Neni 86.2, nga ana e tij, nuk kërkon që presidenti të "be elected" brenda afatit, nuk kërkon diatezën pësore të rezultatit, por kërkon që procedura "shall take place". Ky ndryshim leksikor i qëllimshëm provon se neni 86.2 shërben si mekanizmi që vë në lëvizje procedurën, jo si afat certifikimi.
Nëse neni 86.2 do të lexohej gabimisht me diatezë pësore, si afat i fundit të procesit, atëherë fillimi i tij do të mbetej tërësisht i parregulluar. Kjo zbrazëti logjike do të lejonte absurditetin e mëposhtëm: zgjedhja e presidentit të nisë dhe të mbarojë shumë para skadimit të mandatit aktual, duke u udhëhequr nga mendësia "kur kemi kuorum, le të zgjedhim tre kryetarë radhazi". Pikërisht për të parandaluar këtë uzurpim demokratik, ku një legjislaturë mund të vendosë mbi mandatin pasardhës shumë kohë para afatit natyral, ky rregullim kohor funksionon si kornizë shtrënguese për fillimin e procedurës.
Gjuha, germa dhe fryma e Kushtetutës (si në variantin shqip, ashtu edhe në atë anglisht) e thonë qartë: "take place" shënon nisjen e procesit; "is elected" shënon përfundimin e tij. Ky dallim nuk është i rastësishëm. Ai provon pa ekuivok se afati i nenit 86.2 vendos momentin kur duhet të fillojë raundi i parë, jo datën kur duhet të certifikohet detyrimisht fituesi. Megjithatë, përballë kësaj qartësie, Gjykata Kushtetuese herë pas here ofron lexime krejtësisht të ndryshme, interpretime ku gjuha duket se ua tradhton mendimin dhe ku logjika juridike shkëputet tërësisht nga rregullat bazike të gramatikës. Zgjedhja e presidentit nuk është emergjencë dhe nuk kërkon as nguti, as dramatizim. Kemi kandidatë të mirë, ndoshta më të mirët prej kohësh, që janë deklaruar vetë dhe me dëshirën e tyre. Le të provohen në votë, le të bindin dhe le të fitojnë me meritë. Nëse nuk arrihet kuorumi, Kushtetuta ka parashikuar 60 ditë për të provuar. Nëse dështon edhe kjo, provohen të tjerë. E gjithë kjo është e shkruar, e rregulluar dhe e menduar mirë. Nuk ka nevojë për imponim, as për ngutje që ngjajnë më shumë me zgjidhje të fabrikuara sesa me procese demokratike. Gjuha e ligjit, kur lexohet me kujdes dhe me ndershmëri, është e qartë: mjafton të kemi durim dhe respekt për të.