Opinion

Enver Hoxhaj ka të drejtë: PDK-ja dhe i gjithë spektri politik kosovar kanë nevojë për një katarsis të lidershipit!

Deklarata e Hoxhajt se “Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e partisë duhet të shtyhet, sepse një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtjesore në një kohë kaq të shkurtër…”, në esencë, përveçse është një apel publik për instalimin e “institutit” të llogaridhënies, përgjegjësisë dhe transparencës, është edhe një standard i ri e i verifikuar që duhet të krijojë kushte e rrethana mobilizuese e normative, të cilat i japin partisë kohezion, orientim dhe profilizim shumë më të qartë. Në fakt, konventa si tubim i madh, i organizuar në mënyrë të rregullt (zakonisht çdo vit ose çdo disa vite), duhet t’u ofrojë strukturave vendimet e duhura dhe të elaboruara në planin strategjik dhe sidomos atë organizativ. Ajo është ndër ngjarjet më të rëndësishme të jetës së brendshme të një partie. Pikërisht aty strukturat sjellin vendime për statutin dhe dokumentet programore; pastaj zgjedhin kryetarin dhe organet drejtuese (këshillin, kryesinë); miratojnë strategjitë elektorale dhe caktojnë orientimet kryesore politike; bëjnë kalkulime, analiza dhe diagnostikime të defekteve të së kaluarës; dhe në fund krijojnë edhe oferta politiko-programore për ciklin e ardhshëm zgjedhor. Sfidë kjo për zgjedhjet e jashtëzakonshme... në pritje!

Mirëpo, nga perspektiva sociologjike, konventa përveç që është një procedurë ndoshta monotone (!) është edhe një ritual kolektiv (ani pse joformal), që synon të prodhojë një identitet të ri politik dhe solidaritetit ndërmjet anëtarëve të partisë. Themi kështu për shkakun se aty gjasat që rindërtohet karizma dhe legjitimiteti i një lidershipi të ri, përmes zgjedhjeve të brendshme me kandidat e kundërkandidat, janë kritere që moti janë dëshmu në demokracitë e zhvilluara. Ngase, në konventa zakonisht  "regjistrohen" dhe shtohen si ambiciet ashtu edhe synimet për të afirmuar narrativa të reja praktike e atraktive për mirëqenien e shtetit. Në këtë kontekst, deklarata e Enver Hoxhajt se “PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra”, bashkë me kërkesën për shtyrjen e konventës, mund të “lexohet” si një mesazh i dyfishtë: si kritikë ndaj status quo-së brenda PDK-së; dhe si një përpjekje e re për të ripozicionuar veten brenda krizës së identitetit që po e përjeton partia.

Por, ajo që e thotë tërthorazi dhe me “zë të ulët” na e jep të kuptojmë se “arkitektura” dhe kriteret imponuese për përzgjedhjen e liderit të ri partiak nuk janë kah përputhen fare as me standardet e as me ambiciet që ai mendon se duhet t’i ketë PDK-ja në “xherdanin” e së ardhmes. Për gjykimin tim sociologjik, qëndrimi i Hoxhajt është edhe një prejudikim publik për riciklimin apo riprodhimin e strukturave të vjetra partiake. “Në përkthim”, kjo nënkupton se PDK-ja duhet që përmes konventës të shkurorëzohet përfundimisht nga kurthet e logjikës së vendimmarrjes në rrethe të ngushta, që transparenca dhe llogaridhënia të instalohen si vlera të reja të partisë. Nga ana tjetër, brenda idesë së shtyrjes e konventës duhet parë edhe synimin për të vendosur veten si alternativë reformuese për PDK-në. Dhe pse jo, kjo qasje do të duhej të ishte shembull edhe për partitë e tjera në Kosovë. Madje, mendoj që mediat do duhej ta rrisnin kureshtjen për këtë standard të ri, në mënyrë që lidershipét e ardhshëm të dalin ekskluzivisht përmes “dyerëve” të ofertave dhe cilësive të kandidatëve që e synojnë postet e larta partiake. S’ka asgjë të keqe këtu! Kjo qasje madje do e pamundësonte definitivisht edhe riciklimin e  “fytyra” të njejta që në sociologjinë e zhvillimit identifikohen si sindroma e “lidershipit të përjetshëm”. Nga perspektiva sociologjike, deklarimin publik të Hoxhajt unë e shoh edhe si një sinjal eufemist për një konflikt të heshtur brendagrupeve (intra-party conflict) apo fraksioneve që kanë fuqi të dukshme vendimmarrëse brenda PDK-së, e që njihet si “sekret publik” i vjetër. PDK-ja, si subjekt i pasluftës, ende i mban në “barkun” e saj disa “komandantë” që nuk lejojnë reformimin e thellë të partisë. Nevoja për katarsis programor, organizativ, politik e ideologjik shihet nga ta si rrezik për demonopolizimin e interesave klanore brendapartiake.

P.S. Thënë më ndryshe: Enver Hoxhaj, si politikan po i thotë PDK-së, anëtarësisë dhe gjithë opinionit publik se problemi nuk qëndron te “teknikat” e përzgjedhjes së kryetarit, por te modeli i drejtimit të partisë, i cili po diktohet “pamëshirshëm” nga rrethanat e reja gjeopolitike.