Opinion

Gjenerata Z po ia rikthen shpresën politikës

Protestuesit e gjeneratës Z nuk po kërkojnë të rrënojnë sistemet politike. Përkundrazi, ata po kërkojnë qeveri që ofrojnë vende pune, luftojnë korrupsionin dhe investojnë në veprim klimatik. Këto janë kërkesa praktike dhe ka mënyra të qarta për t’i përmbushur

OXFORD – Sado i zymtë të ketë qenë muaji i fundit i vitit 2025 – me titujt kryesorë të dominuar nga të shtëna masive, kriza dhe polarizimi – një zhvillim pozitiv ofron rreze shprese për vitin që vjen. Në mbarë botën në zhvillim, të rinjtë po kërkojnë vende pune, ushqim dhe karburante me çmim të përballueshëm, mundësi ekonomike dhe veprim për të ngadalësuar ndryshimet klimatike. Nga Azia Jugore deri në Amerikën Latine, ata po u paraqesin liderëve politikë zgjedhje të qartë: dëgjoni dhe reagoni, ose largohuni dhe zëvendësohuni.

Nepali është një shembull tipik. Në shtator, qeveria ndaloi 26 platforma të mëdha të rrjeteve sociale që ishin përdorur për të ekspozuar stilin luksoz të jetesës së fëmijëve të politikanëve, duke nxitur protesta kundër korrupsionit, nepotizmit dhe mungesës së mundësive për të rinjtë. Kryeministri 73-vjeçar, K. P. Sharma Oli, i përshkallëzoi më tej tensionet duke tallur mijëra adoleshentë që dolën në rrugë. Kur forcat e sigurisë qëlluan mbi turmat, duke vrarë të paktën 19 persona dhe plagosur qindra të tjerë, demonstruesit i vunë flakën parlamentit dhe plaçkitën rezidencën private të Olit. Ai dha dorëheqjen të nesërmen.

Disa e gjurmojnë valën aktuale të trazirave te Sri Lanka në vitin 2022, kur kolapsi ekonomik dhe mungesat e rënda të karburantit dhe energjisë elektrike ndezën një lëvizje proteste të udhëhequr nga të rinjtë. Aktivistët ngritën një kamp jashtë zyrës së presidentit të atëhershëm 72-vjeçar, Gotabaya Rajapaksa, familja e të cilit kishte qeverisur vendin për 15 nga 18 vjetët e mëparshëm, duke e akuzuar për korrupsion dhe nepotizëm. Protestuesit përfundimisht morën nën kontroll rezidencën presidenciale, duke e detyruar Gotabayën të largohej nga vendi.

Dy vjet më vonë, qeveria e Bangladeshit iu përgjigj studentëve që protestonin kundër kuotave diskriminuese të punësimit me një bllokadë të telekomunikacionit dhe një goditje brutale policore që vrau qindra civilë. Në vend se ta shtypte mospajtimin, dhuna nxiti mijëra të tjerë t’i bashkoheshin lëvizjes. Protestuesit në Dhaka marshuan së shpejti drejt zyrës dhe rezidencës së kryeministres së atëhershme 76-vjeçare, Sheikh Hasina, e cila u largua në Indi pak më vonë.

Rreth të njëjtës kohë, propozimi i presidentit kenian William Ruto për rritje taksash shkaktoi valë protestash të gjeneratës Z në mbarë vendin. Tensionet u përshkallëzuan pasi forcat e sigurisë vranë dhjetëra protestues, plagosën qindra dhe ndaluan në mënyrë arbitrare shumë të tjerë. Pasi demonstruesit sulmuan parlamentin dhe i vunë flakën një pjese të kompleksit, Ruto i tërhoqi rritjet e taksave dhe shkarkoi shumicën e kabinetit të tij. Protestat shpërthyen sërish në qershor të këtij viti, duke nënvizuar thellësinë dhe këmbënguljen e zemërimit publik.

Ndërkohë, në Peru, protestat kundër reformave të pensioneve u shndërruan në kërkesa më të gjera për adresimin e pasigurisë ekonomike në rritje dhe korrupsionit të përhapur. Goditjet vdekjeprurëse ushqyen trazirat deri sa presidentja Dina Boluarte, e cila tashmë ishte nën hetim për akuza ryshfeti, u largua nga detyra.

Nga një vend në tjetrin, demonstratat e udhëhequra nga gjenerata Z fituan shpejt mbështetje të gjerë publike. Protestuesit përdorën rrjetet sociale për të shpërndarë informacion, për t’u organizuar dhe për të ndërtuar rrjete; dhe kur qeveritë i mbyllën këto platforma, aktivistët u zhvendosën në serverë të enkriptuar dhe madje në komunitete lojërash. Kur autoritetet u përcaktuan për dhunë, protestuesit u përgjigjën duke e përshkallëzuar rezistencën, jo duke u nënshtruar.

Larg së qenit të kufizuara në një brez apo rajon të vetëm, këto lëvizje rinore pasqyrojnë shqetësime të përbashkëta për punëtorët si në vendet e pasura, ashtu edhe në ato të varfra. Pagat, siguria për punës dhe fuqia blerëse janë gërryer gradualisht nga një seri goditjesh globale – kriza financiare e vitit 2008, pandemia COVID-19, lufta në Ukrainë dhe presionet në rritje të migracionit – duke i bërë qeveritë aktuale të duken gjithnjë e më të shkëputura nga realiteti.

Megjithatë, protestuesit e gjeneratës Z nuk po kërkojnë të rrënojnë sistemet politike. Përkundrazi, ata po kërkojnë qeveri që ofrojnë vende pune, luftojnë korrupsionin dhe investojnë në veprim klimatik. Këto janë kërkesa praktike dhe ka mënyra të qarta për t’i përmbushur.

Papunësia e të rinjve është rast tipik. Një dekadë më parë, Portugalia, Irlanda, Italia, Greqia dhe Spanja – të ashtuquajturat vendet PIIGS – po përballeshin me një krizë të rëndë të borxhit sovran. Që atëherë, katër nga pesë vendet e kanë ulur ndjeshëm papunësinë e të rinjve. Në Portugali, papunësia te grupmosha 15-24 vjeç ra nga 34.7% në vitin 2014 në 18.3% deri në tetor 2025, ndërsa në Irlandë norma zbriti nga 24.2% në 2014 në 13.4% në tetor 2025. Greqia e uli papunësinë e të rinjve nga 52.8% në 2014 në 22.4% në 2024, dhe Spanja nga 53.2% në 26.5% në të njëjtën periudhë.

Ky sukses i atribuohet kryesisht programit të Bashkimit Evropian “Garancia për të rinjtë” pas krizës, përmes të cilit qeveritë angazhohen t’u ofrojnë të rinjve një vend pune cilësor, praktikë profesionale, mundësi trajnimi ose vazhdim arsimimi brenda katër muajsh nga përfundimi i shkollës ose nga mbetja pa punë. Edhe pse programi nuk i zgjidhi të gjitha problemet, ai tregoi se çfarë mund të arrihet me vullnet politik të qëndrueshëm dhe politika të synuara.

Siç tregojnë përvojat e fundit të Armenisë, Azerbajxhanit, Moldavisë dhe Ukrainës, lufta kundër korrupsionit mund të jetë shumë më e vështirë. Megjithatë, përparimi domethënës është i mundur, edhe pse kërkon shërbyes civilë profesionistë dhe të paguar në mënyrë adekuate, sisteme të forta monitorimi dhe auditimi, si dhe përgjegjësi reale politike. Edhe qeverisja elektronike mund të ndihmojë: sistemi i digjitalizuar i prokurimit publik në Ruandë uli mundësitë për korrupsion, ndërsa kalimi i Gjeorgjisë në një sistem plotësisht elektronik të tenderëve solli përmirësime të matshme, të paktën në vitet e para.

Transparenca është thelbësore. Kur korrupsioni tolerohet dhe normalizohet, ai përhapet; kur ekspozohet, kostot reputacionale dhe normat shoqërore mund ta dekurajojnë keqbërjen dhe të forcojnë llogaridhënien. Prandaj mbrojtja e sinjalizuesve dhe bazat e të dhënave të qasshme kundër korrupsionit kanë rëndësi, dhe prandaj bizneset duhet të jenë pjesë e zgjidhjes.

Ndryshimet klimatike gjithashtu peshojnë rëndë mbi brezat e rinj. Qeveritë shpesh e kanë minuar mbështetjen publike për veprimin klimatik duke ua ngarkuar kostot disproporcionale atyre që kanë më pak mundësi të paguajnë, por ekonomia e qëndrueshmërisë po ndryshon me shpejtësi. Kostoja e energjisë elektrike nga panelet diellore në shkallë të madhe ra me 85% midis viteve 2010 dhe 2020 dhe vazhdon të bjerë, ndërsa kostot e ruajtjes me bateri kanë rënë me më shumë se 90% në të njëjtën periudhë.

Sigurisht, zgjerimi i këtyre sistemeve ende kërkon investime të konsiderueshme, përfshirë përmirësime të rrjetit dhe ruajtje të besueshme. Por burimet e rinovueshme gjithashtu ulin ekspozimin ndaj goditjeve të çmimeve të lëndëve djegëse fosile, sanksioneve dhe ndërprerjeve tregtare që rrisin shpenzimet familjare. Megjithatë, për të rinjtë që përballen me kosto të larta jetese dhe mundësi në tkurrje, tranzicioni drejt energjisë së pastër ka të bëjë me më shumë sesa energji elektrike më të lirë. Ai ka të bëjë me qeveritë që u ofrojnë atyre një të ardhme që nuk përcaktohet nga pasiguria e përhershme.

(Ngaire Woods është dekane e Shkollës së Qeverisjes Blavatnik në Universitetin e Oksfordit. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)