Propozimi që Glauk Konjufca të jetë mandatar për kryeministër nuk është as rastësi, as kompromis i lehtë, por një përpjekje e re, e paramenduar dhe e studiuar deri në detaje nga Lëvizja Vetëvendosje. Idenë dhe propozimin për këtë post për Glauk Konjufcën, mendoj unë se duhet ta shohim, ndër të tjera, si mjet dhe si qëllim.
Si mjet, kjo ide, në kohën e acarimit të gjuhës ndërpartiake, për gjykimin tim sociologjik (jo politik!), mund të shërbejë si një lloj shtensionimi i raporteve midis ish-qeveritarëve dhe ish-opozitarëve. Themi kështu, sepse në perceptimin publik e politik, Glauku duket më i pranueshëm për ish-opozitën sesa Albin Kurti.
Ndërsa si qëllim, ky propozim, për gjykimin tim sociologjik, përmban disa objektiva e synime të cilat, në pamje të parë, duken ambivalente, por në fazat afatgjata synohen të jenë mjaft atraktive, e madje edhe interesante për studiuesit e shkencave të ndryshme.
Megjithatë, ky propozim përmban edhe disa mesazhe të tjera sporadike dhe (in)direkte që sociologjia e njohjes sociologjike na tregon se, në rastin e ngërçit të krijuar, shpresohet se mund të krijojnë një animim më solid për ta fuqizuar dukshëm rejtingun e LVV-së në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme. Në këtë kuadër, përzgjedhja apo ideja e propozimit mund të ketë targetuar edhe disa qëllime të tjera “metafizike” që në publik janë të padukshme, por mund të jenë funksionale.
Targeti i parë duket të jetë dalja nga bllokada që po e kërcënon me kolaps të gjithë “arkitekturën” e Republikës së Kosovës.
Targeti i dytë, po aq i rëndësishëm për “mirëmbajtjen” e perceptimit publik të Vetëvendosjes, duket se është edhe ruajtja e unitetit të brendshëm, apo kohezionit si kulturë “luku”. Ky kohezion, siç dihet, ka qenë një angazhim i theksuar i demiurgëve të këtij subjekti politik gjatë gjithë kohës së saj në skenën publike e politike të Kosovës.
Targeti i tretë lidhet me simbolikën e dëshmimit se Vetëvendosje, që identifikohet me karizmin e Albin Kurtit, nuk varet ekskluzivisht nga një njeri, por nga vizioni, ideja dhe platforma që përfaqëson ky subjekt.
Natyrisht, ky veprim, kur shihet nga perspektiva e jashtme, duket si një hap pragmatik e praktik, gjë që mund të fascinojë (apo, të themi, të përmirësojë imazhin) deri diku tek aleatët dhe miqtë tanë. Kjo nënkupton se LVV është e gatshme për kompromise dhe për një dialog të prekshëm institucional, por pa hequr dorë nga parimet që lidhen me vizionin e shtetndërtimit.
Sociologjikisht, ky veprim mund të kualifikohet edhe si test i pjekurisë politike së Vetëvendosjes. Duket se LVV, me këtë propozim, ngadalë por sigurt, po hyn në një fazë të re të emancipimit politik, ku idealizmi i dikurshëm pompoz po zëvendësohet me një pragmatizëm të matur e të heshtur. Mirëpo, ajo që zgjon kërshërinë e shumicës së opinionit, mbetet dilema “hamletiane”:
A do ta rrisë apo do ta përforcojë ngërçi i krijuar artificialisht rejtingun e lidershipit të Kurtit në zgjedhjet e pashmangshme nacionale?
Apo, përkundrazi, në çfarë mase do ta reduktojë ndikimin e LVV-së ky ngërç, në mënyrë që më pas ajo të mund të lidhë më lirshëm – dhe pa hipoteka – aleanca apo koalicione (jo)parimore për të formuar një qeveri të zgjeruar, siç ndodhte në periudhën e pasluftës? Megjithatë, ky propozim i Lëvizjes Vetëvendosje që Glauk Konjufca të jetë mandatar për kryeministër, në vend të Albin Kurtit, mund të interpretohet nga disa këndvështrime e kontekste të ndryshme: juridik, politik dhe strategjik.
1. Konteksti juridik;
Nëse dihet që Albin Kurti – për arsye juridike (p.sh. një vendim i Gjykatës Kushtetuese për ndalim kandidimi apo pengesë formale) – nuk mund të dekretohet si mandatar në zgjedhjet e pashmangshme të marsit, atëherë Vetëvendosje duket se po llogarit ta mbajë shpresën dhe ambicien e hapur për ta kandiduar sërish Kurtin, njësoj si në vitin 2021, kur u rikthye furishëm.
Por, nëse qëllimi është “për të blerë kohë”, atëherë mendoj se ky propozim nuk garanton ndonjë stabilitet ligjor. Sepse, në rast të refuzimit nga presidentja ose dështimit në votim, procesi mund të çojë sërish në interpretime të reja kushtetuese e përplasje ndërinstitucionale. Nga kjo perspektivë, kandidati i propozuar Glauk Konjufca duket më shumë si një “mandatar teknik” apo “valvul shkarkimi”, sesa si një kandidat serioz për të mbledhur votat e ish-opozitës. E themi kështu, sepse të gjitha barrikadimet, inatet, smirat dhe xhelozitë e krijuara gjatë “odisejadës” së ngërçit absurd e bëjnë praktikisht të pamundur votimin e tij nga opozita.
2. Konteksti politik;
Në thelb, simbolika e këtij ngërçi që e ka bllokuar shtetin për muaj të tërë, nuk është tjetër veçse një pretekst i qëllimshëm artificial, i “gatuar” bashkë nga ish-qeveria dhe ish-opozita.
Në fakt, bëhet fjalë për një krizë të thellë institucionale që e ka hendikepuar shtetin në shumë fusha – juridike, politike, sociale e sidomos ekonomike.
Prandaj, ideja e propozimit të Konjufcës mund të shihet si një përpjekje për zbutjen e tensioneve me partnerët potencialë të koalicionit apo me presidenten, por edhe si një mesazh për gatishmërinë politike të LVV-së për bashkëpunim të ardhshëm, pa e pasur si kusht figurën e Kurtit. Por, nëse Konjufca dështon të marrë votat, gjë që nga prononcimet ad hoc të subjekteve politike po shihet se nuk do ta votojnë, ai rrezikon humbjen e kapitalit të tij politik, bashkë me rolin ekuilibrues që e ndërtoi gjatë mandatit të ish-kryetarit të Kuvendit.
Suma summarum, ai do të shndërrohet në një “kurban politik” të krizës institucionale, ndërsa Albin Kurti do të “notojë” sërish si lidership i pakontestuar dhe si karizma e figura qendrore e skenës politike në Kosovë. Kapital, ky i (pa)mjaftueshëm për ta përsëritur fitoren e vitit 2021, kur mori mbi 50% të votave shqiptare…
3. Konteksti strategjik;
Në teoritë e sociologjisë politike, subjektet që nuk ndërtojnë strategji me faza afatshkurtra, afatmesme e afatgjata, jo vetëm që e kanë të vështirë ndërtimin e vizionit politik, por edhe mirëmbajtjen e pushtetit. Nga ky kontekst, propozimi i Konjufcës për kryeministër ka edhe një funksion të pashprehur strategjik. Ky funksion, përveçqë synon të blejë kohën e duhur që Kurti ta zgjidhë çështjen ligjore ose politike, synon gjithashtu të menaxhojë kontrollin mbi krizën institucionale dhe njëkohësisht të parandalojë imponimin e ndonjë skenari tjetër nga faktori i jashtëm apo ish-opozita, për krijimin eventual të ndonjë “qeverie teknike” – qeveri e cila, sipas të gjitha kalkulimeve politike, do t’i kthente subjektet në pikën zero…